Politikani rus Dmitry Medvedev ka deklaruar se Rusia ka të drejtë të hyjë në luftë me NATO-n. Duke shkruar në platformën “X”, Medvedev ka cituar ata që i ka quajtur “kriminelët ukrainas” të thonë se, çdo sulm i tyre ndaj çfarëdo objektivi rus ka qenë i aprovuar nga NATO.
“Nëse është e vërtetë, dhe këtu nuk ka arsye për ta vënë në dyshim, atëherë kjo është një provë direkte dhe ligjore e përfshirjes së Perëndimit në luftën kundër Rusisë. Ajo quhet “casus belli” dhe për Rusinë është një mundësi për të vepruar brenda këtij konteksti kundër çdo vendi të NATO-s”, ka deklaruar Medvedev.
Teoria e luftës, që për herë të parë u hartua në Greqinë e lashtë dhe që përdoret ende nga disa të krishterë, “casus belli”, është një akt apo situatë që moralisht justifikon konfliktin.
Forcat ukrainase e kanë sulmuar Krimenë e pushtuar disa herë në përpjekje ta çliruar dhe vendet perëndimore e kanë pajisur Kievin me armatime dhe pajisje që pas nisjes së pushtimit në shkurt të 2022-shit, edhe pse është e paqartë nëse po ofrojnë më shumë ndihmë ushtarake direkte.
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti rus, i konsideruar gjerësisht si zëvendësuesi i Putin, vazhdimisht përdor rrjetet sociale për të shkruar deklarata provokuese për Ukrainën dhe aleatët e saj Perëndimorë.
Në postimin e fundit, Medvedev paralajmëroi se “apokalipsi po afrohet”, duke cituar një varg biblik dhe liderët e vjetër sovjetikë.
Ai e mbylli mesazhin me një citim kërcënues që ish-lideri sovjetik Nikita Khruschev u bëri ambasadorëve perëndimorë në vitin 1956, që thotë: “Ju pëlqen apo jo, historia është në anën tonë. Ne do t’ju varrosim të gjallë”.
Lini një Përgjigje