Dy ministra të qeverisë së krahut të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu kanë sulmuar ashpër Shefin e Shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, teksa njëri prej tyre i ka bërë thirrje hapur Netanyahut ta shkarkojë.
Përplasja mes lidershipit politik dhe atij ushtarak po thellohet ndërsa Izraeli po debaton për hapat e ardhshëm në ofensivën kundër Hamasit në Gaza.
Në ditët e fundit, ministrat janë përplasur publikisht me Zamir-in mbi disa çështje kyçe, nga plani i Netanyahut për të marrë nën kontroll Gazën, të cilin gjeneralët e shohin si një rrezik për ushtrinë dhe pengjet izraelite ende në duart e Hamasit, deri te emërimet e reja ushtarake.
Sot, 13 gusht, sulmet ndaj Zamir-it u ashpërsuan, kur ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i kërkoi Netanyahut që ta shkarkojë nëse nuk “shpall menjëherë zëvendësimin e këshilltarëve të tij të majtë”.
“Kur sheh se kush janë njerëzit pranë Shefit të Shtabit, kupton pse ai po i kundërvihet planit tonë për pushtimin e Gazës”, deklaroi Ben-Gvir.
Ky është sinjali më i fundit i një përçarjeje të thellë mes qeverisë dhe ushtrisë izraelite, ndërsa po merren vendime për të ardhmen e konfliktit, që ka shkaktuar mbi 61mijë të vrarë palestinezë, ka gjeneruar një katastrofë humanitare dhe ka ndezur kritika të forta ndërkombëtare.
Përplasja ka përfshirë edhe emërimet ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, akuzoi Zamir-in se ka propozuar ngritje në detyrë pa ndjekur procedurat, duke shkaktuar “dëme të panevojshme”.
Të gjitha këto tensione shpërthyen javën e kaluar, kur Netanyahu urdhëroi ushtrinë të “përgatitej” për pushtimin total të Gazës, ndërsa gjeneralët këmbëngulnin për një operacion më të kufizuar, duke paralajmëruar se plani do të lodhte kapacitetet e ushtrisë dhe do të rrezikonte 50 pengjet e mbetura në Gaza, prej të cilëve 20 besohet se janë ende gjallë.
Ndërkohë, aleatët e Netanyahut dhe Zamir-it kanë nisur një “luftë të ftohtë” në media, aq sa djali i kryeministrit e akuzoi Shefin e Shtabit për “tentativë grushti shteti”.
Zamir deklaroi sot se ka miratuar planin kryesor për hapat e ardhshëm në Gaza, por mosmarrëveshjet kanë thelluar ndarjet e nisura që nga sulmi i 7 tetorit 2023, kur Hamas vrau 1,200 njerëz dhe mori peng 250 persona.
Shumë drejtues ushtarakë kanë dhënë dorëheqjen për dështimet që çuan në atë sulm, humbja më e madhe e jetëve hebraike që nga Holokausti. Netanyahu, nga ana tjetër, ka refuzuar të marrë përgjegjësi personale dhe ka bllokuar vazhdimisht thirrjet për një hetim publik mbi këtë katastrofë.
Lini një Përgjigje