TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Janar 2025, 10:09

Lufta në Ukrainë po pasuron miliarderët e Putinit

Shkruar nga Pamfleti

 Lufta në Ukrainë po pasuron miliarderët e Putinit

“Lufta do të përfundojë në një farë mënyre në 18-24 muajt e ardhshëm. Por pikërisht atëherë do të fillojnë problemet për regjimin. Sepse ajo nisi si rezultat i mungesës së përgjigjeve të Putinizmit për hallet e shumicës së njerëzve që jetojnë në Rusi...”

Hendeku i pasurisë së Rusisë ka qenë gjithmonë i madh. Por ndërsa vazhdon lufta kundër Ukrainës, ai po bëhet akoma më i madh. Raportet rreth ekonomisë ruse duken shpesh kontradiktore. Pavarësisht sanksioneve të rënda ndërkombëtare, Kremlini po shpenzon miliarda për ushtrinë, dhe po ofron bonuse gjithnjë e më të mëdha për ata që regjistrohen në forcat e armatosura.

Ndërsa qindra mijëra burra janë dërguar në luftë, vendi po përballet me mungesën e fuqisë punëtore. Në të njëjtën kohë, rritja e inflacionit e ka zvogëluar fuqinë blerëse të pagave. E megjithatë, super të pasurit e Rusisë po bëhen vetëm më të pasur. Madje ata që janë në listat e zeza të Perëndimit edhe më shumë se kolegët e tyre. Për të zbërthyer këto dinamika kontradiktore brenda ekonomisë ruse, Meduza bisedoi me Jem Morrow një studiues i njohur i shoqërinë ruse. Jem Morrow është pseudonimi i përdorur nga studiuesi për arsye sigurie.

Rusia po përballet me një mungesë të krahut të punës në mbarë vendin, ndërsa qeveria ka rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe luftën në Ukrainë. Pse kjo nuk ka sjellë përfitime më të gjera ekonomike për punëtorët me të ardhura më të ulëta?

Zakonisht njerëzit mendojnë se në kohë lufte, 3 janë grupimet që përfitojnë më shumë: familjet e ushtarëve, punonjësit e kompleksit ushtarako-industrial, dhe një grup tjetër i vogël, që janë pronarët e bizneseve. Ata mendojnë se ashtu si në disa vende perëndimore, këto grupime janë më të mëdha.

Në realitet, përfiton një grupim shumë më i vogël. Njerëzit diskutojnë shumë për paratë që fitojnë ushtarët. Por si përqindje e popullsisë mbetet vogël, madje edhe shuma që marrin është modeste. Para luftës në Ukrainë, Rusia ishte një nga vendet me pabaraazinë më të madhe në botën e zhvilluar.

Dhe e tillë do të mbetet. Madje mund të bëhet edhe më keq. Situata do të përkeqësohet për shkak të problemeve masive që lufta po i shkakton ekonomisë ruse në tërësi, sa i përket aspekteve si qasja në kredinë konsumatore, e cila tani kushton rreth 3 herë më shumë se sa në një ekonomi të ngjashme në Perëndim.

Me përjashtim të një pakice të vogël njerëzish, rritja e pagave nuk po mban të njëjtin ritëm me inflacionin. Sigurisht, ne njohim njerëz që po marrin paga shumë më të mëdha se më parë. Por për 10 vjet, ata kanë përjetuar rënie të standardit të jetesës. Ndaj duhet edhe një dekadë ose më shumë rritje të qëndrueshme për të ndier vërtet ndryshimin.

Pavarësisht luftës dhe sanksioneve, numri i miliarderëve rusë është rritur gjatë viteve të fundit. Cilët faktorë po i lejojnë individët më të pasur të kenë sukses, ndërsa shumë rusë të zakonshëm përballen me vështirësi ekonomike?

Ne e dimë që disa njerëzve iu ofrua mundësia për të rikrijuar pasurinë e tyre, si para dhe gjatë luftës. Dhe disa njerëz e kanë bërë këtë. Por edhe për njerëzit që kanë humbur shuma të konsiderueshme parash në Perëndim, ose u janë ngrirë asetet, largimi i kompanive perëndimore i dha mundësi presidentit rus Vladimir Putin që të shpërblejë njerëzit besnikë ndaj tij.

Jo të gjithë ata ishin domosdoshmërisht oligarkë para luftës. Por kemi shumë prova që disa njerëz tashmë të pasur, janë bërë shumë më të pasur falë ndarjes së këtyre aseteve produktive, që në fakt u braktisën nga kompanitë perëndimore.

Shembulli i famshëm është prodhuesi të kosit Danone, por edhe kompania e birrës Carlsberg. Dhe pastaj janë boshllëqet në treg që ka krijuar largimi i gjigantëve si McDonald’s. Pra, bllokada e pjesshme e ekonomike ndaj Rusisë, i ka ofruar më shumë mundësi elitës për të blerë më shumë besnikëri përmes rishpërndarjes së aseteve.

Sipas disa raporteve, asetet e miliarderëve përbëjnë tani 27 për qind të PBB-së së Rusisë. Si e perceptojnë rusët e zakonshëm këtë përqendrim të pasurisë, veçanërisht gjatë një kohe plot vështirësi ekonomike?

Mendoj se ekzistojnë disa diskurse kontradiktore. Kështu, shohim njerëz që ankohen për abuzimet, për njerëz që përfitojnë nga sakrifica e bërë nga ushtarët rusë. Por kemi edhe një diskurs alternativ, që thotë “Rusia mbetet vendi im, e drejtë apo e gabuar rruga që po ndjek”.

Pra ideja e rreshtimit pas liderit. Dhe kështu ata disi neutralizojnë disi njëri-tjetrin. Kjo ndodh midis njerëzve të zakonshëm me të cilët bisedoj. Thënë këtë, nëse do të ketë një armëpushim të negociuar, apo edhe një paqe të përhershme, mendoj se shumë shpejt, pakënaqësia sociale do të nisë të shfaqet në disa mënyra.

Nuk po them se do të ketë trazira apo ndonjë gjë tjetër. Por duhet të ketë një rishikim të situatës nga elitat, sidomos mbi oreksin e tyre të shfrenuar për pasurinë e vendit. Putin ishte shumë i qartë në fillim të luftës kur tha: ”Të gjithë do të përfitojnë, dhe oligarkët që do të dalin jashtë linjës zyrtare do zhyten në telashe”.

Dhe ai ia doli të disiplinojë njerëz si oligarku i aluminit Oleg Deripaska që disa vite më parë e poshtërua në publik. Ndaj ai do të ketë një arsye për të kundërvepruar. Mendoj se përfundimi i luftës, do të paralajmërojë shumë më tepër sfida politike për regjimin sesa vetë lufta.

Nëse lufta do të zgjasë, a prisni që hendeku i pasurisë të zgjerohet më tej, apo mund të çojë përfundimisht në një kolaps ekonomik për të pasurit? Në të kundërt, nëse lufta përfundon së shpejti me një marrëveshje paqeje, si mund të ndryshojë kjo dinamikën e ngjarjeve?

Kapacitetet shtrënguese, janë të tilla që njerëzit ndoshta në mënyrë naive, apo falë mendimeve të dëshiruara, besojnë se do të ketë disa ndryshime spektakolare brenda ekonomisë politike ruse. Unë nuk besoj se mund të ndodhë diçka e tillë.

Por sigurisht, është e qartë se regjimi mund të bëhet më represive, edhe nëse lufta përfundon apo nëse vazhdon, vetëm si një mënyrë për të mbajtur kontrollin e vendit. Njerëzit thonë se mund të bëhemi si Koreja e Veriut, por unë jam disi skeptik për këtë.

Sepse nëse elita vazhdon t’u kërkojë njerëzve të bëjnë sakrifica dhe të tolerojnë rënien e standardeve të tyre të jetesës si rezultat i politikës së tyre të jashtme, atëherë ata duhet të bëjnë diçka në lidhje me këtë. Ose do të ketë më shumë shtypje duke bërë “koka turku” një pjesë të elitës.

Unë mendoj se lufta do të përfundojë në një farë mënyre në 18-24 muajt e ardhshëm. Por pikërisht atëherë do të fillojnë problemet për regjimin. Sepse ajo nisi si rezultat i mungesës së përgjigjeve të Putinizmit për hallet e shumicës së njerëzve që jetojnë në Rusi.

Sidomos për atë që studiuesit e quajnë riprodhim social. Unë dua të sigurohem që fëmijët e mi do të jetojnë në një vend më të mirë se unë, dhe të kenë mundësi më të mira. Rusi mesatar dëshiron të jetë i sigurt se riprodhimi social do të ndodhë në një mënyrë kuptimplote dhe pozitive, por kjo që nga viti 2008 nuk ka qenë e mundur./Përgatiti: Pamfleti nga Meduza

oligarkia ruse lufta në ukrainë

Lini një Përgjigje