
Pesë ushtarë izraelitë u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga një pajisje shpërthyese në Beit Hanun, në veri të Gazës, njoftuan sot Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), sipas mediave shtetërore.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në mbrëmje, rreth orës 22:00, gjatë një operacioni tokësor në qytetin Beit Hanoun, ku një patrullë këmbësore e Batalionit Netzah Yehuda u sulmua. Sipas njoftimit të Radios së Ushtrisë Izraelite, ushtarët u goditën nga një bombë e vendosur në anë të rrugës ndërsa po lëviznin në këmbë, jashtë automjeteve të blinduara.
"Ushtarët e këmbësorisë u goditën nga një bombë e vendosur në anë të një rruge pak pas orës 22:00 (19:00 GMT) të hënën, gjatë operacioneve tokësore në Beit Hanoun. Ushtarët po vepronin në këmbë dhe nuk ndodheshin brenda një automjeti", u njoftua përmes Radios së Ushtrisë Izraelite.
Gjatë evakuimit të të plagosurve, militantët hapën zjarr ndaj forcave izraelite, duke e komplikuar më tej situatën. IDF tha se po kryen një hetim fillestar për të zbardhur detajet e incidentit, i cili shënon një nga humbjet më të mëdha për ushtrinë izraelite në muajt e fundit në veri të Gazës.
Operacionet në Beit Hanun janë pjesë e një ofensive të zgjeruar të IDF kundër grupeve militante, përfshirë Hamasin, në përpjekje për të çmontuar infrastrukturat e tyre në veri të Rripit të Gazës. Konflikti i vazhdueshëm ka shkaktuar tensione të larta dhe viktima të shumta si nga pala izraelite ashtu edhe nga ajo palestineze.
Lini një Përgjigje