
Teksa të dyja palët kanë folur pozitivisht rreth perspektivave për një armëpushim, një numër pikash të rëndësishme negociuese mbeten: garancitë nga pala izraelite se lufta nuk do të vazhdojë dhe këmbënguljen e Netanyahut që Hamasi të dëbohet nga Gaza përgjithmonë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha presidentit të SHBA Donald Trump se do ta nominonte për çmimin Nobel për Paqe, duke përgëzuar përpjekjet e Trump për t'i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme.
Të dy udhëheqësit u takuan për herë të parë që kur SHBA-të nisën sulmet ndaj programit bërthamor të Iranit, si pjesë e një lufte jetëshkurtër mes Izraelit dhe Iranit.
"Duke ardhur nga ju në veçanti, kjo është shumë domethënëse", tha Trump.
Trump pritej të ushtronte presion mbi Netanyahun që të binte dakord për një armëpushim në luftën 21-mujore të Izraelit kundër Hamasit në Gaza, mes një proteste mbi koston humanitare të një ofensive që ka çuar në gati 60.000 vdekje, shumica e të cilëve palestinezë.
Negociatorët izraelitë dhe të Hamasit u takuan për bisedime indirekte për herë të parë në gjashtë javë në Katar të hënën. Teksa të dyja palët kanë folur pozitivisht rreth perspektivave për një armëpushim, një numër pikash të rëndësishme negociuese mbeten, duke përfshirë garancitë nga pala izraelite se lufta nuk do të vazhdojë dhe këmbënguljen e Netanyahut që Hamasi të dëbohet nga Gaza përgjithmonë.
Gjatë darkës në Dhomën Blu në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet nëse besonte se palestinezët duhet të largohen me forcë nga Gaza, mes raportimeve se Izraeli ka hartuar plane për të detyruar të gjithë palestinezët në Gaza të futen në një kamp në rrënojat e Rafah - një plan që është kritikuar si një plan për spastrim etnik . Trump i kërkoi Netanyahut t'i përgjigjej pyetjes.

“Quhet zgjedhje e lirë. E dini, nëse njerëzit duan të qëndrojnë, ata mund të qëndrojnë, por nëse duan të largohen, ata duhet të jenë në gjendje të largohen”, tha Netanyahu, i cili kërkohet nga gjykata ndërkombëtare penale për krime lufte të dyshuara në lidhje me luftën në Gaza.
“Nuk duhet të jetë një burg. Duhet të jetë një vend i hapur dhe t’u japë njerëzve një zgjedhje të lirë. Po punojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të gjetur vende që do të kërkojnë të realizojnë atë që gjithmonë kanë thënë se duan – t’u japin palestinezëve një të ardhme më të mirë. Dhe… mendoj se po i afrohemi gjetjes së disa vendeve”, shtoi ai.
Gjatë takimit, Trump tha gjithashtu se “shpresonte” që SHBA-të nuk do ta sulmonin përsëri Iranin.
“Ata duan të gjejnë një zgjidhje. Ata janë shumë të ndryshëm tani nga ç’ishin dy javë më parë”, tha ai.
Ai nuk pranoi të jepte një datë për bisedimet e ardhshme me Iranin, por u tha gazetarëve se do të mësonin më shumë detaje nesër.
I pyetur në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, Trump sugjeroi se do të rifillonte dërgesat e armëve për ushtrinë ukrainase, megjithëse Shtëpia e Bardhë kishte konfirmuar së fundmi se kishte ndaluar disa dërgesa armësh për shkak të një shqyrtimi nga Pentagoni të rezervave në rënie të municioneve amerikane.
Papritur, Trump tha se nuk ishte aspak i kënaqur me presidentin rus Putin.
“Sinqerisht, jam i zhgënjyer që Presidenti Putin nuk është ndalur. Nuk jam i lumtur për këtë”, tha Trump.
“Do t’i dërgojmë më shumë armë Ukrainës. Duhet ta bëjmë. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Po goditen shumë rëndë tani. Po goditen shumë rëndë. Do të na duhet të dërgojmë më shumë armë”, theksoi ai.
Trump tha gjatë takimit se Hamasi "dëshiron të takohet dhe të ketë armëpushim". Por ai nuk ndau asnjë detaj shtesë mbi përgatitjet për një armëpushim.
Netanyahu përsëriti këmbënguljet izraelite se ata do të ruanin një "garanci sigurie" mbi territore si Rripi i Gazës.
“Mendoj se palestinezët duhet të kenë të gjitha fuqitë për të qeverisur veten, por asnjë nga fuqitë për të na kërcënuar. Dhe kjo do të thotë që disa fuqi si siguria e përgjithshme do të mbeten gjithmonë në duart tona”, tha Netanyahu.
“Mendoj se mund të gjejmë një paqe midis nesh dhe të gjithë Lindjes së Mesme me udhëheqjen e Presidentit Trump dhe duke punuar së bashku. Mendoj se mund të krijojmë një marrëveshje shumë, shumë të gjerë që do të përfshijë të gjithë fqinjët tanë”, shtoi ai.
Përpara se të nisej për në Uashington të dielën, Netanyahu tha se ishte i bindur se mund të arrihej një marrëveshje dhe se negociatorëve izraelitë u ishin dhënë udhëzime të qarta për të arritur një armëpushim, por vetëm me kushtet për të cilat Izraeli tashmë ka rënë dakord.
Burime pranë kryeministrit i përshkruan bisedimet në Katar si pozitive, sipas stacionit radiofonik ushtarak të Izraelit dhe një zyrtari izraelit të cituar nga Reuters. Zyrtarët palestinezë ishin më pesimistë dhe thanë se takimet fillestare të së dielës kishin përfunduar pa rezultat përfundimtar.
Netanyahu u takua me të dërguarin e Lindjes së Mesme, Steve Witkoff dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio më herët të hënën. Pritet që ai të qëndrojë në Uashington për t'u takuar me nënpresidentin JD Vance dhe zyrtarë të lartë, përfshirë kryetarin e dhomës së përfaqësuesve, Mike Johnson./ Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”.
Lini një Përgjigje