Izraeli dhe mbështetësi i tij më i madh, Shtetet e Bashkuara, duhet të pranojnë se objektivi i deklaruar ushtarak i shkatërrimit të Hamasit ka sjellë një kosto dërrmuese për jetët dhe infrastrukturën e civilëve, që ka të ngjarë të mos justifikohet sipas ligjit ndërkombëtar...
Pas më shumë se 4 muajsh lufte brutale, fushata ushtarake hakmarrëse e Izraelit kundër Hamasit është karakterizuar nga një model i qartë i krimeve të luftës dhe i shkeljes së ligjit ndërkombëtar. Arsyetimi i shpallur zyrtarisht i Izraelit për luftën e tij në Gaza, është eliminimi i Hamasit, si përgjegjës për krimet e tmerrshme të kryera gjatë sulmit të tij të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
1.139 njerëz, kryesisht civilë izraelitë u vranë, mijëra të tjerë u plagosën. Një numër ende i panjohur grash dhe vajzash iu nënshtruan dhunës seksuale; ndërsa 240 persona u morën peng, shumë prej të cilëve mbahen ende nga Hamasi. Në kundërpërgjigje, Izraeli i zhvendosi me forcë palestinezët, duke lënë qindra mijëra prej tyre pa nevojat themelore njerëzore.
Ai ka kryer sulme pa dallim, jo proporcionale dhe të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe “objekteve civile”, si shkollat dhe spitalet. Rreth 28.000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i fushatës ushtarake, shumica e tyre gra dhe fëmijë. Pjesë të mëdha të Gazës janë rrafshuar. Njëzet për qind e infrastrukturës së saj dhe shumica e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, duke e bërë rajonin kryesisht të pabanueshëm. Po ashtu Izraeli vendosi një bllokadë të zgjatur në kohë, duke u mohuar palestinezëve ushqimin e mjaftueshëm, ujin e pijshëm, karburantin, qasjen në internet, strehimin dhe kujdesin mjekësor.
Ai po i burgos dhe mban banorët e Gazës në kushte çnjerëzore. Vetë Izraeli e pranon se disa nga të arrestuarit kanë vdekur në qeli. Ndërkohë në Bregun Perëndimor, është rritur ndjeshëm dhuna kundër palestinezëve nga forcat izraelite dhe kolonët hebrenj.
SHBA-ja dhe shumë vende perëndimore e kanë mbështetur Izraelin, duke i ofruar ndihmë ushtarake, në kundërshtim me thirrjet e OKB-së për një armëpushim. Po ashtu ato kanë ndërprerë financimin e Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së OKB-së në shërbim të refugjatëve palestinezë, duke hedhur gjithashtu poshtë akuzën për gjenocid që depozitoi Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), edhe pse masakra vazhdoi të shpalosej.
Bashkëfajësia diplomatike aktuale në krizën katastrofike të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Gaza, është në fakt kulmi i viteve të erozionit që ka pësuar sundimi i ligjit ndërkombëtar dhe sistemi global i të drejtave të njeriut. Një degradim i tillë nisi seriozisht pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, kur Shtetet e Bashkuara filluan “luftën kundër terrorit”, një fushatë që e normalizoi idenë se gjithçka është e lejueshme në ndjekjen e “terroristëve”.
Dhe në luftën e tij aktuale në Gaza, Izraeli ka kopjuar strategjinë dhe taktikat e SHBA-së, duke pasur njëherazi mbështetjen e plotë të kësaj të fundit. Duket sikur janë harruar plotësisht mësimet e hidhura morale të Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore, dhe bashkë me to edhe thelbi i parimit të vjetër “Kurrë më”.
Ky degradim, aq i dukshëm në shkatërrimin e Gazës dhe në reagimin e Perëndimit ndaj saj, sinjalizon fundin e rendit botërore të bazuar në rregulla dhe fillimin e një epoke të re.
Universaliteti, pra parimi se ne të gjithë, pa përjashtim, jemi të pajisur me të drejta të njeriut në mënyrë të barabartë, pavarësisht se kush jemi apo ku jetojmë, qëndron në zemër të sistemit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Ajo ishte themeli i Konventës së Gjenocidit dhe i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të dyja të miratuara në 1948. Ky parim diktoi shfaqjen e mjeteve të reja të llogaridhënies gjatë viteve, duke përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare të themeluar në vitin 2002.
Për dekada, kjo infrastrukturë ligjore ka garantuar që shtetet të respektojnë detyrimet e tyre ndaj respektimit të të drejtave të njeriut. Një kritik i sistemit aktual, mund të thotë se në fakt shtetet i kanë kushtuar vetëm fjalë universalitetit. Se shekulli XX ishte plot me shembuj dështimesh për të ruajtur dinjitetin e barabartë të të gjithëve: dhuna ndaj atyre që mbështesnin de-kolonizimin, Lufta e Vietnamit, gjenocidet në Kamboxhia dhe Ruanda, luftërat që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë etj.
Të gjitha këto ngjarje dëshmojnë për një sistem ndërkombëtar që ka favorizuar më shumë pabarazinë dhe diskriminimin sistematik sesa universalitetin. Me të drejtë, dikush mund të pretendojë se universaliteti nuk u zbatua kurrë për palestinezët, të cilët siç e theksoi dikur studiuesi i famshëm palestinezo-amerikan Eduard Said, kanë qenë që nga viti 1948, “viktima të viktimave, dhe refugjatë të refugjatëve”.
Megjithatë, fati i universalitetit nuk qëndron në duart e atyre që e tradhtojnë atë. Përkundrazi, si një projekt ambicioz i përhershëm për njerëzimin, fuqia e tij qëndron para së gjithash, në shpalljen e tij të vazhdueshme dhe në mbrojtjen e tij këmbëngulëse.
Gjatë gjithë shekullit të njëzetë, parimi i universalitetit pati pengesa të panumërta, por drejtimi kryesor ishte drejt shpalljes, afirmimit dhe mbrojtjes së tij. Por kjo ndryshoi në vitet e para të shekullit XXI, me nisjen e “luftës kundër terrorit” pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit.
Gjatë 20 viteve të fundit, doktrina dhe metodat e “luftës kundër terrorit” janë miratuar ose imituar nga qeveritë në mbarë botën. Ato janë vendosur për të zgjeruar shtrirjen dhe gamën e masave të “vetëmbrojtjes” shtetërore dhe për të goditur çdo popull apo autoritet që mendohet se garanton “kërcënimin terrorist”.
Numri i jashtëzakonshëm i vrasjeve civile në Gaza të kryera në emër të vetëmbrojtjes dhe kundër terrorizmit, është një pasojë logjike e këtij kuadri, që e ka shtrembëruar dhe thuajse çmontuar të drejtën ndërkombëtare dhe, së bashku me të, parimin e universalitetit.
Sulmet ajrore amerikane në Afganistan, Irak, Pakistan, Somali dhe Siri shkaktuan shumë viktima na radhët e civilëve. Në Siri, bombardimet e pamëshirshme të infrastrukturës civile nga Rusia shkaktuan vdekjen e mijëra civilëve. Por në rastet e dokumentuara nga Amnesty International, autoritetet ruse pretenduan se forcat e tyre të armatosura po goditnin objektiva “terroristë”, edhe kur raketat shkatërronin spitale, shkolla dhe tregje.
Edhe pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, u justifikua gjithashtu me referenca të rreme për vetëmbrojtje. Sulmet e saj pa dallim kanë shkaktuar mijëra viktima në civilë, teksa ka shumë prova krimeve sipas ligjit ndërkombëtar, si tortura, dëbimi dhe transferimi i dhunshëm, dhuna seksuale dhe vrasjet e paligjshme.
Edhe Kina ka përmendur “luftën kundër terrorizmit” për të justifikuar goditjen e saj të gjerë ndaj ujgurëve, kazakëve dhe pakicave të tjera etnike kryesisht myslimane në Xinjiang, të cilat rezultuan krime kundër njerëzimit. Ndërkohë brenda disa ditësh nga vendimi i GJND-së dhe thirrjeve të saj për masa të përkohshme për të parandaluar gjenocidin në Gaza, Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri të tjera perëndimore, pezulluan fondet për Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë, e cila siguron një rrugë shpëtimi për njerëzit në Gaza.
Më shumë se çdo vend tjetër, Shtetet e Bashkuara mund të parandalojnë aleatin e tyre të ngushtë të vazhdojë të kryejë mizori. Por deri më tani, ka zgjedhur të mos e bëjë këtë. Dhe ky model sjelljeje ka një kosto të madhe. Siç ka thënë një diplomat i G-7 “Ne e kemi humbur përfundimisht betejën në Jugun Global. E gjithë puna që kemi bërë me Jugun Global (mbi luftën në Ukrainë) është sabotuar tashmë. ... Harrojini rregullat, harroni rendin botëror. Ata nuk do të na dëgjojnë më kurrë.”
Rreziku i gjenocidit, serioziteti i shkeljeve që po kryhen dhe justifikimet e dobëta nga zyrtarët e zgjedhur në demokracitë perëndimore, paralajmërojnë një ndryshim epokal. Rendi i bazuar në rregulla, që i ka qeverisur çështjet ndërkombëtare që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore është duke perënduar dhe mund të mos ketë më kthim pas.
Pasojat e kësaj braktisjeje janë shumë të dukshme: më shumë destabilitet, më shumë agresion, më shumë konflikt dhe më shumë vuajtje. Kontrolli i vetëm ndaj dhunës do të jetë akoma më shumë dhunë. Fundi i rendit të bazuar në rregulla do të sjellë gjithashtu një zemërim të madh në të gjitha shtresat e shoqërisë, në të gjitha rajonet e tokës, me përjashtim të atyre që janë të mirë-pozicionuar për të korrur çfarëdo shpërblimi të ndyrë që mund të nxirret nga një sistemi ndërkombëtar i dëmtuar rëndë.
Gjithsesi, është ende e mundur të ndërmerren disa hapa për të shmangur këtë skenar. Ato fillojnë me ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha operacioneve ushtarake si nga Izraeli po ashtu edhe nga Hamasi, me lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve civilë që mbahen nga Hamasi dhe të gjithë palestinezëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme nga Izraeli, dhe me heqjen e rrethimit të Gazës.
Izraeli dhe mbështetësi i tij më i madh, Shtetet e Bashkuara, duhet të pranojnë se objektivi i deklaruar ushtarak i shkatërrimit të Hamasit ka sjellë një kosto dërrmuese për jetët dhe infrastrukturën e civilëve, që ka të ngjarë të mos justifikohet sipas ligjit ndërkombëtar./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”
Marrë me shkurtime
Shënim: Agnès Callamard, Sekretare e Përgjithshme e Amnesty International. Gjatë viteve 2016-2021, shërbeu si Raportuese Speciale e OKB-së për ekzekutimet pa gjyq.
Lini një Përgjigje