TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Shkurt 2024, 16:16

Erëra lufte në Kore: Pse është shumë i lartë rreziku i një konflikti të ri

Shkruar nga Federico Giuliani
Erëra lufte në Kore: Pse është shumë i lartë
Kim Jong Un /

A mund të dalë nga arkivat e historisë, një konflikt që ka mbetur i ngrirë për mbi 70 vjet, dhe të kërcënojë të tashmen? Me sa duket po, të paktën duke gjykuar nga erërat e luftës që po fryjnë gjithnjë e më fort në gadishullin Korean...

Lufta e Koresë përfundoi në vitin 1953, me armëpushimin e nënshkruar në Panmunjom midis forcave të Koresë së Veriut, të ndihmuar nga kinezët, dhe SHBA-së, të përfaqësuar nga Kombet e Bashkuara. Megjithatë, teknikisht nuk përfundoi asnjëherë, sepse ajo luftë vëllavrasëse midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, e mbështetur përkatësisht nga Kina (dhe në një masë më të vogël Bashkimi Sovjetik) dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij, nuk u pasua kurrë nga ndonjë traktat paqeje.

Këtë e dinë mirë udhëheqësit aktualë koreanë, si nga veriu po ashtu edhe nga jugu. Sepse ata janë trashëgimtarë të atyre që luftuan në një nga konfliktet më mizore të shekujve të fundit, dhe që sot duket se po joshen sërish nga lufta, duke luajtur pikërisht me gjendjen e pezullt të Luftës së Koresë.

Nëse i shtojmë tensioneve ndër-koreane - të cilat nuk janë ulur asnjëherë në gati një shekull - 4 dinamikat që po e tronditin Lindjen e Largët, atëherë e kuptojmë pse ka më shumë gjasa që të shpërthejë një krizë e re në paralelin e 38-të sesa në brigjet e Tajvanit.

Gjendja e pezullt në gadishull dhe hija e një konflikti të ri

Sa i përket tensioneve midis dy Koreve, nga njëra anë kemi presidentin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili synon ta bëjë vendin e tij një fuqi më shumë se rajonale dhe për të çarë “kafazin’ ekonomiko-diplomatik të krijuar nga SHBA për të frenuar ambiciet gjeopolitike të Phenianit.

Në Korenë e Jugut, ku SHBA-ja ka 23-29 trupa dhe rreth 300 tanke “Abrams”, bateritë e raketave “Patriot” dhe sistemin e ri “Thaad” protagonist është presidenti Yoon Suk Yeol. Një konservator i thekur, Yeol është krejtësisht i ndryshëm në krahasim me paraardhësin e tij Moon Jae In (ky i fundit synonte të krijonte një marrëdhënie harmonike me Kim përmes takimeve dhe marrëdhënieve të drejtpërdrejta).

Por në dallim nga Moon, Yeol ka përdorur një retorikë më të ashpër dhe e ka bërë të qartë, jo vetëm me fjalë, se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo provokimi të Veriut. Ashtu si në janar kur gjatë një stërvitjeje ushtarake, Pheniani gjuajti 200 predha artilerie pranë vijës kufitare detare me Korenë e Jugut.

Në kundërpërgjigje Seuli organizoi një stërvitje artilerie me topat vetëlëvizës K-9 dhe armë në të njëjtën zonë, pranë ishujve të Koresë së Jugut të Baengnyeong dhe Yeonpyeong.

Me Kim dhe Yoon në krye të dy Koreve, është e pamundur të pritet një ulje e tensioneve, duke qenë se i inkurajuar nga partneriteti me Rusinë dhe diplomacia e përtërirë me Kinën, Kim synon të përshpejtojë modernizimin e arsenalit ushtarak të vendit të fundit.

Ndërkohë Yeol, i verbuar nga antikomunizmi dhe tejet nacionalist, synon të zhdukë njëherë e përgjithmonë “armikun” e Koresë së Veriut. Kim i ka rritur më tej rreziqet duke propozuar rishikimin e Kushtetutës së Koresë së Veriut, gjë që mund të ndodhë shumë shpejt, për ta quajtur Korenë e Jugut “armikun kryesor”.

Skenarët e frikshëm

Kështu mbërrijmë tek 4 variablat që rrezikojnë në një farë mënyre të përshpejtojnë, në një mënyrë pak a shumë të drejtpërdrejtë, rifillimin e luftimeve midis dy Koreve. E para, edhe jo sipas rëndësisë, përkon me rritjen e vazhdueshme të Kinës në skenën globale.

Pekini synon të modernizojë Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA), të reduktojë hendekun ushtarak me Shtetet e Bashkuara dhe të kontrollojë rrugët kryesore të Indo-Paqësorit. Pra thënë ndryshe, Dragoi po “gëlltit” me një vështirësi gjithnjë e të madhe ndërhyrjen (dhe kërkesat) e SHBA-së në Azi.

Dhe në rastin e një lufte midis Republikës Popullore të Kinës dhe SHBA-së, nuk mund të përjashtohet ri-ndezja e luftës në gadishullin Korean. Skenari e dytë që duhet t’i kushtohet vëmendje është dinamizmi në rritje i Rusisë në Lindjen e Largët, pjesërisht për të mbështetur partneren e saj, Kinën, kundër Uashingtonit në disa nga zonat më të nxehta (Deti i Kinës Jugore, ujërat afër Japonisë) dhe pjesërisht nga nevoja vetjake.

Duke mos pasur më mundësinë e manovrimit në Evropë, Moska i është përshtatur rrethanave duke u bërë një fuqi e pastër (Eur)Aziatike. Kjo ka lehtësuar forcimin e marrëdhënieve midis Kremlinit dhe Kim Yong Un, me sa duket në lidhje me transferimin e njohurive ushtarake ruse në Phenian, në këmbim të raketave dhe armëve të tjera të destinuara për Rusinë (që po përdoren në Ukrainë).

Dy tendencat e fundit përfshijnë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Uashingtoni e konsideron Indo-Paqësorin prioritetin nr.1 në axhendën e tij, dhe s’ka ndërmend të tërhiqet as edhe një hap, sepse duke konsoliduar praninë e tij atje, SHBA-ja arrin që të jetë një fuqi e vërtetë globale.

Duke pasur parasysh raportet shumë të acaruara me Kinën, administrata Biden ka filluar ndërtimin e një rrjeti diplomatik me partnerë të shumtë lokalë, në një përpjekje të re për të frenuar Pekinin. Kësisoj, Shtëpia e Bardhë është përpjekur ta bëjë sa më efikas koordinimin ushtarak me shtete të ndryshme të rajonit, nga Koreja e Jugut, Japoni dhe deri në Australi.

Dhe është e kuptueshme që gjithë këto lëvizje kanë ndezur sirenat e alarmit si në Korenë e Veriut po ashtu edhe në Kinë. Së fundmi ndalemi pak tek Japonia, aleati kryesor i SHBA-së në Azi, ku edhe po ndodh një riarmatim total. Kohët e fundit, Tokio nënshkroi një marrëveshje me SHBA-në për blerjen e 400 raketave lundruese Tomahawk, me një vlerë 1.6 miliardë euro që do të paguhen në një periudhë 3-vjeçare duke filluar nga viti 2025.

Por kjo blerje është vetëm maja e ajsbergut. Sepse qeveria japoneze e kryeministrit Fumio Kishida, është angazhuar të dyfishojë shpenzimet vjetore të mbrojtjes në rreth 68 miliardë dollarë në vit, nga tani deri në vitin 2027, duke e bërë Japoninë vendin e tretë për sa i përket shpenzimeve ushtarake në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Paralelisht një testi raketor dhe dronëve nënujorë, Kim po vëzhgon me kujdes atë që po ndodh në rajon. Më se i vetëdijshëm, se ndryshe nga disa vite më parë, ka në krah Kinën dhe Rusinë. “Situata në Gadishullin Korean, është më e rrezikshme se sa ka qenë në çdo periudhë që nga fillimi i qershorit 1950.

“Kjo deklaratë mund të duket shumë dramatike. Por ne besojmë se ashtu si gjyshi i tij në vitin 1950, edhe Kim Jong Un e ka marrë tashmë vendimin strategjik për të shkuar drejt luftës. Ne nuk e dimë se kur dhe si ka ndërmend që të nisë sulmin. Por ky rrezik është tashmë përtej paralajmërimeve rutinë që bëhen në Uashington, Seul dhe Tokio”- “paralajmërojnë Robert L. Carlin dhe Siegfried S. Hecker nga instituti i mendimit “38 North”. Pra erërat e luftës po vazhdojnë të fryjnë në të dy Koretë./ Përshtati Pamfleti nga “Il Giornale”

era luftë në kore rreziku i një konflikti

Lini një Përgjigje