TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Nëntor 2024, 14:32

Lufta hibride i paraprin asaj me armë, si po sabotohen rrjetet nënujore të komunikimit dhe transportit në Perëndim

Shkruar nga Paolo Mauri

Lufta hibride i paraprin asaj me armë, si po sabotohen rrjetet

Finlanda dhe Gjermania, deklaruan se ishin “thellësisht të shqetësuara për kabllon e prerë nënujore” dhe po hetonin “një incident, i cili ngre menjëherë dyshime të forta për një dëmtim të qëllimshëm”.

Midis të dielës dhe të hënës, në Detin Baltik u këputën dy kabllo nënujore të komunikacionit. E para, një lidhje interneti me gjatësi 218 kilometra ndërmjet Lituanisë dhe ishullit suedez Gotland, e cila doli nga shërbimi rreth orës 9 të mëngjesit të së dielës.

E dyta, një kabllo 1200 kilometra e gjatë që lidh kryeqytetin finlandez Helsinki me portin gjerman Rostock, i quajtur C-Lion1, ndaloi së funksionuari rreth orës 3 të mëngjesit të së hënës, raportoi Cinia, kompania shtetërore finlandeze e sigurisë kibernetike dhe telekomunikacionit.

Finlanda dhe Gjermania, deklaruan se ishin “thellësisht të shqetësuara për kabllon e prerë nënujore” dhe po hetonin “një incident, i cili ngre menjëherë dyshime të forta për një dëmtim të qëllimshëm”.

“Është absolutisht thelbësore që të sqarohet se përse kemi aktualisht dy kabllo që nuk funksionojnë në Detin Baltik”- u shpreh Carl-Oskar Bohlin, Ministri suedez i Mbrojtjes Civile. Ndërkaq Samuli Bergstrom, kreu i komunikimeve në Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike Traficom, tha se arsyet e ndërprerjes së linjës kabllore nënujore midis Finlandës dhe Gjermanisë janë duke u hetuar.

Sipas tij, ndërprerje të tilla ndodhin herë pas here dhe për disa arsye. Për shembull, për shkak të kushteve të këqija të motit apo dëmtimeve të shkaktuara nga anijet. Në këtë drejtim, i dyshuari kryesor për dëmtimin e kabllos nënujore C-Lion1, mund të jetë një anije tregtare kineze, MV Yi Peng 3, e cila u largua të martën nga Baltiku.

Kjo linjë nënujore e komunikimit, është përuruar në vitin 2016, dhe është e vetmja që kalon nga Finlanda në Evropën Qendrore. Gjatë viteve të fundit, ka pasur disa ndërprerje të linjave të kabllove dhe tubacioneve nënujore, duke ngritur jo pak dyshime për akte sabotimi.

Në tetorin e vitit të kaluar, tubacioni “Balticconnector” midis Finlandës dhe Estonisë, u dëmtua gjatë atij që autoritetet finlandeze thanë në atë kohë ishte një veprim i qëllimshëm. Megjithatë, që nga ajo kohë Helsinki dhe Pekini janë angazhuar në bisedime diplomatike mbi rolin e mundshëm të një anijeje mallrash të regjistruar në Hong Kong mbi dëmin e shkaktuar tek tubacioni në fjalë.

Po në shtator të vitit 2023, Suedia raportoi se ishte dëmtuar edhe një linjë kabllore nënujore që shkonte deri në Estoni. Duke u rikthyer pas në kohë, kujtojmë sulmin tashmë të njohur në tubacionet e gazsjellësit Nord Stream, që kalon po përmes Detit Baltik, dhe që ndodhi në shtatorin e vitit 2022.

Por edhe para konfliktit në Ukrainë, janë regjistruar një sërë aksidentesh të dyshimta. Kështu në nëntorin e vitit 2021, u pre dhe u zhvendos një pjesë e gjatë e një linje sensorësh nënujorë nga sistemi i vëzhgimit LoVe (Lofoten-Vesteralen).

Ndërkohë disa muaj më vonë, në janarin e vitit 2022, u këput një nga dy kabllot me fibra optike që lidhin Norvegjinë me ishujt Svalbard, Svalbard Undersea Cable System. Policia norvegjeze, e cila hetoi se çfarë ndodhi në rastin e fundit, deklaroi pas një muaji se bazuar tek provat e mbledhura, bëhej fjalë për aktivitet njerëzor.

Prandaj u hap mundësia e një akti të qëllimshëm, pa paragjykuar gjithsesi mundësinë e një aksidenti. “Lufta” për kabllot e komunikimit dhe tubacionet nënujore të transportit, është pjesë e aktiviteteve ushtarake të kryera në “zonën gri?” të konflikteve, pra veprime për të cilat është shpeshherë e vështirë t’i drejtohet gishti i fajit ndaj dikujt, siç ndodh edhe në rastin konkret, synon arritjen e avantazheve (përfshirë ato politike).

Pra në thelb është një pjesë e rëndësishme e luftës hibride. Këto infrastruktura janë shumë të rëndësishme për sigurinë e një vendi. Sidomos sot, kur midis 97-99 për qind e trafikut të të dhënave kalon përmes kabllove nënujore.

Në një botë jashtëzakonisht të ndërlidhur, ku përveç e-maileve dhe bisedave tona, këto kabllo shfrytëzohen nga transaksionet financiare ndërkombëtare, rëndësia e tyre kuptohet mjaft mirë, veçanërisht në lidhje me brishtësinë e tyre të brendshme, e ilustruar shumë qartë nga këto raste.

Italia ka qenë ndër vendet e para që e kuptoi nevojën për të mbikëqyrur dhe mbrojtur infrastrukturat kombëtare të kabllove nënujore. Në këtë kuadër, ajo nisi një mision që përfshin Marinën, dhe pse aktualisht është praktikisht e pamundur të garantohet 100 për qind siguria e  një linje kabllore nënujore apo e tubacioneve të ndryshme.

Monitorimi i vazhdueshëm i kabllove me gjatësi qindra apo mijëra kilometra në thellësi të detit, është një sfidë e rëndësishme teknologjike dhe operacionale. Nga këndvështrim i fundit, vendi ynë, që më në fund e ka kuptuar rëndësinë e domenit nënujor, ka nisur disa programe kërkimore të lidhura me Qendrën e re Kombëtare të Dimensionit Nënujor (PNS) në La Spezia, që mund të gjejnë zbatime edhe në këtë kuptim.

Prandaj, tema është shumë aktuale, deri në pikën që siç është thënë prej disa kohësh, NATO duhet të konceptojë zyrtarisht lindjen e një domeni të ri nënujor - përveç 5 atyre tradicionale (deti, ajri, toka, kibernetika, hapësira). Kjo duke u bazuar tek teknologjitë e reja, të cilat lejojnë zgjerimin e fushës së operacioneve, dhe duke pasur parasysh panoramën aktuale të infrastrukturave nënujore./Përshtati "Pamfleti", nga “Il Giornale”

arme lufta hibride rrjete nenujore perendim

Lini një Përgjigje