TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Nëntor 2024, 12:18

Perëndimi duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë për ta distancuar Rusinë nga Kina

Shkruar nga Conrad Black

Perëndimi duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë

Vajtimet dhe ankesat mbi fundin papritur të ndihmës për Ukrainën nga ana e Shteteve të Bashkuara, dhe dorëzimin e saj tek Kremlini, për shkak të afërsisë së supozuar të Donald Trump me diktatorët, janë zhdukur tashmë në eterin e fantazive të pakuptimta.

Më pak se 2 javë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, qeveritë e Evropës Perëndimore kanë filluar që ta kuptojnë për fat të mirë se administrata e ardhshme, do të bëjë një punë shumë më të qëndrueshme, më të mirë-arsyetuar dhe në fund të suksesshme për ta udhëhequr aleancën perëndimore drejt objektivat e tij të përbashkëta, sesa qasja e deritanishme e administratës Biden-Harris.

Vajtimet dhe ankesat mbi fundin papritur të ndihmës për Ukrainën nga ana e Shteteve të Bashkuara, dhe dorëzimin e saj tek Kremlini, për shkak të afërsisë së supozuar të Donald Trump me diktatorët, janë zhdukur tashmë në eterin e fantazive të pakuptimta.

Është e vërtetë, që ndonjëherë Trump preferon më shumë të merret vesh me diktatorët sesa demokratët e lëkundur dhe të pavendosur, pasi tek e fundit është më e mundur të arrihet një marrëveshje me ta.

Ashtu si Mao Ce Dun preferoi dikur të bisedonte me republikanët si Eisenhower (që kërcënoi të përdorte armët bërthamore për t’i dhënë fund Luftës së Koresë, nëse Republika Popullore e Kinës nuk do të fillonte të negocionte seriozisht), dhe Nixon e Kissinger, me të cilët ai arriti një sërë marrëveshjesh, të cilat po zbatohen ende.

Ai i cilësoi si të paparashikueshëm presidentët demokratë Truman, Kennedy dhe Johnson. Natyrisht, presidentët amerikanë janë që të gjithë udhëheqës demokratikë që në përgjithësi veprojnë brenda kufijve të Kushtetutës së SHBA-së, dhe ku dallimi midis një Angela Merkel të paqartë dhe tepër të kujdesshme, dhe një Putini shumë më tepër të qartë, nuk ka nënkuptuar ndonjëherë faktin që Trump e preferonte politikisht këtë të fundit.

Politika e Joe Biden në Ukrainë për të dhënë “çfarëdo ndihme, dhe për aq kohë sa do të duhet”, ishte vetëm një politikë e furnizimit me armë, derisa ukrainasi i fundit të ishte gati të sakrifikonte jetën në një luftë të gjatë rrënuese, të cilën Ukraina nuk mund të fitonte dot kundër një vendi me një popullsi gati 4 herë më të madhe, dhe ndaj një regjimi që ka luksin të shpërfillë opinionin publik.

Premtimi i Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, bazohet në besimin që ai ka tek aftësitë vetjake për t’i thënë Putinit, se nëse nuk pranon një rikthim të pjesshëm të territoreve të pushtuara, dhe ta pranojë atë si fitoren e vetme që mund të arrijë, dhe nga ana tjetër të garantojë sigurinë e Ukrainës në kufijtë e rinj të rishikuar, atëherë Trump do të vendosë ta armatosë Ukrainën me armë edhe më të fuqishme, që do të transferojnë luftën brenda Rusisë.

Trump e bëri të qartë në debatin e tij televiziv me Biden, që i dha fund karrierës politike të këtij të fundit, se nuk do të pranonte kushtet aktuale të paqes që ofron Putin. Trump është një tregtar mendjemprehtë, dhe këtë e tregoi edhe mandatin e tij të parë me liderët e vendeve të Evropës, Lindjes së Mesme dhe të Largët por edhe brenda SHBA-së.

Ndaj ai nuk do të kthehet mbrapsht në asnjë rrethanë, dhe as do të tolerojë zhbërjes e fitores së madhe strategjike që arriti pa gjak Perëndimi në fundin e Luftës së Ftohtë. Po ashtu, ai nuk do të pranojë që dikush tjetër përveç NATO-s, të vendosë se kush do të pranohet apo jo në aleancë.

Njëkohësisht, nuk ka gjasa që të ketë shumë durim me qasjen e gjatë kaotike të Gjermanisë mbi këtë çështje.

Trump duket se është i vetmi lider i rëndësishëm perëndimor, që e kupton plotësisht se objektivi tjetër dhe pothuajse i barabartë i Perëndimit në këtë luftë, pas ruajtjes së Ukrainës me disa kufij të modifikuar, por me një garanci të fortë nga Rusia dhe NATO, është se ai duhet të bëjë absolutisht gjithçka që ka mundësi për ta shkëputur Kinën nga aleanca me Rusinë.

Lufta e Ukrainës duhet të përfundojë me nder për Perëndimin, por në fillim ne duhet të bëjmë përpjekje për t'i kujtuar Rusisë se ajo është një vend perëndimor dhe jo oriental, dhe se në përgjithësi Moska ka përparuar kur ka qenë aleate me shumicën e Fuqitë e Mëdha Perëndimore (kundër Napoleonit dhe Hitlerit), dhe nuk ka dalë aspak mirë kur u është kundërvënë atyre (Krimeja dhe Lufta e Ftohtë).

Përjashtim ishte Lufta e Parë Botërore, por në atë kohë arsyeja ishte vetë qeveria krejtësisht e paaftë e Rusisë perandorake. Ideja se Kina do të përpiqet që ta izolojë apo pushtojë Tajvanin është një absurditet.

Por një skenar më i frikshëm dhe më i besueshëm, do të ishte që Moska dhe Pekini të bien dakord për dërgimin e 40-50 milionë kinezëve të tepërt në Siberi, për të shfrytëzuar burimet natyrore, në këmbim të një përqindje fitimit për Kremlinin.

Ky pakt do të bënte Kinën shumë më të frikshme sesa Republika Popullore aktuale, e mbipopulluar dhe e varfër në burime. Nëse lufta e Ukrainës do të mundet të përfundojë në mënyrë të kënaqshme, nuk do të kishte asnjë arsye pse të mos arrihet një pakt mossulmimi, dhe me një respekt reciprok midis NATO-s dhe Rusisë.

Në një situatë të tillë, s’ka pse të jemi kaq të shqetësuar me disa nga shtetet e tjera që u shkëputën nga Bashkimi Sovjetik, siç është Bjellorusia. Takimi plot ankth i udhëheqësve të vendeve më të mëdha të Evropës Perëndimore disa javë më parë, për të diskutuar se si duhet të vazhdojë furnizimi me armë ndaj Ukrainës, nëse këtë nuk do ta bëjnë më amerikanët (në fakt nuk ka qenë asnjëherë një skenar serioz, pasi 95 për qind e ndihmës amerikane është dhurimi i armëve dhe municioneve nga fabrikat amerikane, ndaj pothuajse të gjitha shpenzimet mbeten brenda vendit), ishte thuajse po aq absurd sa edhe deklarata e presidentit të Këshillit Evropian Jacques Poos mbi shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990.

”Kjo është ora e Evropës, ne nuk kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara!”-deklaroi Poos. Megjithatë, më pak se një muaj më vonë, të gjitha vendet evropiane të NATO-s nisën të bënin thirrje për ndihmë ndaj presidentit amerikan Bill Clinton.

Donald Trump është një njeri i zgjuar, edhe pse kjo nuk është gjithmonë e qartë për evropianët. Megjithatë fitorja e tij më 5 nëntor, duhet ta tregojë këtë fakt edhe për dyshuesit më të mëdhenj. Dhe Evropa Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë aleatë të natyrshëm dhe të domosdoshëm për njëri-tjetrin.

Kjo edhe kur në të dyja anët e Atlantikut, nuk ka ndonjë mirënjohje të vazhdueshme ndaj aleatit tjetër. NATO është aleanca më e suksesshme në histori, dhe ajo duhet ta shpëtojë Ukrainën nga rusët, dhe rusët nga afrimi me kinezët./ Marrë nga “Brussels Signal”, përshtati "Pamfleti"

Lini një Përgjigje