
Janë mijëra e mijëra kilometra linja hekurudhore, tubacione, kabllo dhe mijëra vende të ndryshme potenciale për këto sulme.
Sulmet sabotuese për të cilat fajësohet Rusia, i kanë detyruar vendet e NATO-s të përpiqen që të kundërpërgjigjen në një farë mënyre. Kjo situatë, tregon se pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin, është përhapur tashmë edhe tek aleanca përmes “luftës hibride”, pavarësisht përpjekjeve për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Incidente të pashpjegueshme të zjarrvënieve, daljes së trenave nga shinat dhe bllokimit të sistemit GPS-it, kanë ndodhur muajt e fundit në territorin e aleancës. Dhe anëtarët e NATO-s nuk kanë qenë në gjendje që të frenojnë të ashtuquajturat sulme të “zonës gri”, të lidhura shpesh me shërbimin ushtarak sekret rus GRU.
“Ka pasur shumë diskutime, por pak veprime të NATO-s për t’u përballur me këtë çështje. Aleatët nuk bien dot dakord mbi natyrën dhe shkallën e kërcënimit, dhe as se si të kundërpërgjigjen”, thotë për Newsweek John Foreman, ish-atasheu britanik i mbrojtjes në Moskë dhe Kiev.
Ai vuri në dukje se si një propozim i asamblesë parlamentare të NATO-s për themelimin e një Qendre të NATO-s për Qëndrueshmërinë Demokratike, u kundërshtua nga anëtarët e aleancës, duke theksuar mungesën e gatishmërisë kundër përpjekjeve të Moskës për ta përçarë Perëndimin.
Zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov, deklaroi në maj se pretendimet për përfshirjen e rusëve në incidente të tilla “janë krejtësisht të pabaza, dhe ne i hedhim poshtë me vendosmëri që të gjitha ato”. Ndërkohë Foreman thotë se Moska po zhvillon prej gati 2 dekadash një fushatë të luftës politike kundër Perëndimit.
Kjo fushatë përfshin edhe ndërhyrje politike, kërcënime, dezinformim, spiunazh, sulme kibernetike dhe vrasje. Pavarësisht “provave të shumta mbi shkallën dhe ambiciet e operacioneve jo konvencionale ruse, anëtarët e NATO-s nuk kanë qenë të gatshëm që ta adresojnë këtë çështje, duke u fokusuar më shumë tek kërcënimi ushtarak konvencional rus”-shtoi Foreman.
Manuali i lojërave sovjetike
Policia e Suedisë, vendit anëtar më të ri të NATO -s, po heton daljet e përsëritura të trenave nga shinat. Një shtim i rasteve të bllokimit të sistemit GPS mbi Detin Baltik, detyroi Finnair, kompaninë shtetërore të Finlandës, anëtares së dytë më të re të aleancës, të pezullojë fluturimet për në Tartu të Estonisë.
Zjarret në një uzinë të përpunimit të metaleve në Hamburg, një kompani farmaceutike në Kopenhagë dhe në një qendër tregtare në Varshavë, janë ndër incidentet më të fundit, kostoja serioze e të cilave, mohimi i besueshëm nga Moska, dhe mosplotësimi i kritereve për një përgjigje kolektive në kuadër të Nenit 5 ku bazohet NATO-n, po paraqesin jo pak probleme për aleancën.
Sikurse u shpreh presidenti letonez Edgars Rinkēvičs për “The Financial Times”, NATO nuk mund të lëshojë raketa në drejtim Rusisë “për shkak të një incidenti të vogël”. Ndërkaq Daniela Richterova, pedagoge në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, thotë se objektivat e sotme të Moskës janë të ngjashme me ato të Luftës së Ftohtë.
“Nga vitet 1960 e në vazhdim Moska, Praga dhe Berlini Lindor, po planifikonin dhe në disa raste kryen sulme kundër vendeve anëtare të NATO-s. Ne kemi prova të planeve të detajuara kundër infrastrukturës më të rëndësishme, depove të armëve dhe infrastrukturës së sigurisë në Francë, Gjermani dhe Austri.
Ajo që besoj se nuk e kemi parë deri më tani, por që ishte pjesë e doktrinës së Bllokut Sovjetik, është ajo që KGB-ja dhe shërbimet e tjera speciale të bllokut sovjetik i referoheshin si instalime dhe infrastrukturë politike, të sigurisë dhe inteligjencës”, thotë ajo për Newsweek.
Për sulme të tilla mund të përdoren njerëz me pak lidhje me Moskën. Kështu pas një zjarri në mars në një magazinë në Londër të lidhur me një biznes ukrainas, dy burra u akuzuan se vepronin për llogari të grupit rus të mercenarëve Wagner, raportoi BBC.
Ndërkohë, një burrë u arrestua në Poloni, teksa po vëzhgonte masat e sigurisë në aeroportin Rzeszow, shumë i rëndësishëm për ndihmat ushtarake që shkojnë në Ukrainë, me sa duket me synimin për të ndihmuar në një plan për të vrarë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Vështirësia kryesore në demaskimin e Rusisë, ka të bëjë me faktin që këto sulme përfshijnë përdorimin e shpeshtë të palëve të treta. Këta mund të jenë kriminelë të nivelit të ulët ose vandalë që paguhen me shuma të vogla parash. Ata mund të mos e dinë domosdoshmërisht për kë po punojnë, apo pse e kryejnë detyrën që u caktohet- shprehet Markus Korhonen, bashkëpunëtor i lartë në S-RM, një kompani e këshillimit gjeopolitik dhe mbi rrezikun kibernetik
Korhonen thotë se është gati e sigurt se Rusia do t’i shtojë sulme të tilla, dhe ekziston një gamë e madhe objektivash të mundshëm, të cilat janë të vështira për t’u mbrojtur të gjitha. Microsoft ka paralajmëruar se Moska qëndron pas një fushate “keqinformimi keqdashës” kundër Lojërave Olimpike të Parisit.
“Janë mijëra e mijëra kilometra linja hekurudhore, tubacione, kabllo dhe mijëra vende të ndryshme potenciale për këto sulme. Prandaj, është shumë e vështirë të forcohet siguria në të gjitha objektivat e mundshme dhe infrastrukturës ndaj këtyre lloj kërcënimesh”-thekson Korhonen.
Po çfarë mund të bëjë NATO në këto kushte?
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, është shprehur se “sulmet hibride kundër shteteve të vijës së parë”, ishin në fokus të takimit të Ministrave të jashtëm të NATO-s në Pragë gjatë muajit të kaluar. Ai theksoi se ne “do të përgjigjemi individualisht dhe kolektivisht”, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Se çfarë forme mund të marrë ky reagim kjo është e paqartë, sidomos duke pasur parasysh natyrën asimetrike të objektivave, të cilat shpesh nuk kanë lidhje direkte me Ukrainën. Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský, tha për Financial Times, se kufizimi i vizave për diplomatët rusë për t’ua ndaluar udhëtimin jashtë vendit ku ata janë të akredituar, mund të jetë një opsion.
“Rritja e mbikëqyrjes dhe e kufizimeve për diplomatët mund të jetë një pjesë e reagimit”, mendon Foreman, që shton se duhet të ketë një ndëshkim të koordinuar siç janë sanksionet, kufizimet e vizave dhe dëbimet, “përndryshe kërcënimi do të vazhdojë”.
Roger Hilton, ekspert i mbrojtjes në grupin GLOBSEC me qendër në Sllovaki, shprehet se shqetësimet e shprehura nga ministrat e jashtëm të NATO-s në Pragë muajin e kaluar, ishin pranimi më i madh kolektive deri më tani i aktiviteteve të Rusisë në zonën e madhe gri.
“Denoncimi i këtyre incidenteve publikisht dhe me autorin përgjegjës, është hapi i parë i kundërpërgjigjes ndaj këtyre kërcënimeve. Shumë gjëra që lidhen me ndërtimin e niveleve më të larta të qëndrueshmërisë dhe të orientimit si duhet në mediat sociale, kërkojnë më shumë kohë për të dhënë rezultatet e tyre”. deklaroi ai për Newsweek.
Po ashtu, NATO mund të marrë në konsideratë “kufizimin e lëvizjes së diplomatëve rusë, rritjen e mbikëqyrjes tek objektiva të mundshëm të infrastrukturës kombëtare më të rëndësishme, si dhe rritjen e mbrojtjes kibernetike. Derisa disa nga këto politika të zbatohen në nivel kombëtar, intensifikimi i taktikave asimetrike nga Rusia, do t’u sigurojë rusëve një avantazh të qartë në shkaktimin e përçarjes dhe të shpërqendrimeve strategjike për vendimmarrësit-thotë Hilton./Përshtati "Pamfleti" nga “Newsweek”
Lini një Përgjigje