
Shtetet e Bashkuara po përballen me një përplasje të paprecedentë mes pushtetit federal dhe autoriteteve lokale. Protestat kundër politikave të imigracionit të presidentit Donald Trump kanë hyrë në ditën e katërt, ndërsa rrugët e qendrës së Los Anxhelosit janë kthyer në skenë përplasjesh mes qytetarëve dhe forcave të armatosura.
Zhurma e granatave shurdhuese dhe lëshimi i plumbave gome nga policia shpërndau turmat e protestuesve nëpër rrugët e qytetit. Garda Kombëtare – forca rezervë e ushtrisë amerikane – është vendosur përreth ndërtesave federale me armë të gjata dhe mburoja, përballë thirrjeve të zemëruara:
“Garda Kombëtare jashtë LA-së!”, dhe “Turp! Turp! Turp!”
Vendimi i Trump për të dërguar 4.000 trupa të Gardës Kombëtare, në kundërshtim me vullnetin e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, ka tensionuar më tej situatën. Kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, e përshkroi qytetin si një “rast testimi” për përpjekjet e Trump për të uzurpuar kompetencat e qeverive lokale.
Shtesë e kësaj manovre të militarizuar është lajmi se 700 marinsa janë mobilizuar dhe qëndrojnë gati për dislokim. Një lëvizje që për demokratët përbën jo vetëm “mbireagim i rrezikshëm”, por një provokim i qëllimshëm për të shtuar trazirat dhe për të rritur tensionin publik në prag të fushatës zgjedhore.
Trump, nga ana tjetër, e justifikon këtë prani ushtarake si të nevojshme për “rivendosjen e rendit dhe ligjit”.
Lini një Përgjigje