TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Shtator 2024, 10:47

Kush janë perëndimorët që keqinformojnë publikun dhe veprojnë në dobi të Rusisë dhe Putinit

Shkruar nga Marc Champion
Kush janë perëndimorët që keqinformojnë publikun dhe
Vladimir Putin

Kur flitet për luftën informative dhe atë të keqinformimit, presidenti rus Vladimir Putin është natyrisht një profesionist. Si agjent karriere në KGB, kjo është ajo që di më mirë dhe çfarë e bën më me lehtësi. Ky argument u nënvizua sërish nga rasti i fundit i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, që pretendon se ka një përpjekje sistematike të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Kjo ndodhi në vitin 2016, por sot jemi në 2024-ën. Ndaj duhet të pyesim se përse Putinduhet të shqetësohet - duke pasur parasysh sasitë e mëdha të informacioneve të rreme që po prodhojmë vetë - dhe sa vëmendje duhet t’i kushtojmë të ashtuquajturave ‘masave aktive’ të Moskës.

Raporti i Departamentit të Drejtësisë prej 277 faqesh, pretendon se Rusia ka drejtuar një projekt të gjerë dhe të fshehtë të ndërhyrjes në zgjedhje të quajtur “Doppelganger” (Sozia), dhe ka mbyllur dhjetëra faqe interneti në vend. Ky operacion është organizuar gjatë takimeve në administratën presidenciale në Moskë, i njohur më shumë si Kremlin.

Sipas shënimeve të marra gjatë këtyre takimeve, të paktën disa prej tyre u drejtuan nga zëvendës shefi i parë i kabinetit të Putinit, Sergey Kiriyenko. Është e vështirë të mbivlerësohet roli i qendrës së Kiriyenkos në Kremlin. Dikur një liberal, ai është sot njeriu kryesor për strategjinë e brendshme politike të Putinit, përfshirë zgjedhjet e fundit presidenciale.

Por edhe për mediat dixhitale dhe për administrimin e 4 rajoneve të Ukrainës, të cilat Putini i aneksoi në mënyrë të njëanshme Rusisë më 30 shtator 2022. Ai është shumë besnik, drejton shoqatën ruse për artet parciale, aq shumë të dashur për Putinin, dhe është një aleat i ngushtë i Yury Kovalchuk, miliarderit të përshkruar shpesh si “bankieri i Putinit”.

Një raport mbi ecurinë e operacionit “Doppleganger” iu dërgua vetë Putinit. Vetë Kremlini e mohon ekzistencën e këtij operacioni ndikimi. Sipas Departamentit të Drejtësisë,”Doppelganger” drejtoi qendrat e mashtrimeve në rrjet për të shkruar komente në postime të ndryshme, si dhe për të prodhuar artikuj të rremë, shpeshherë në faqet e internetit të rreme të krijuara enkas për të imituar ato të mediave kryesore amerikane dhe evropiane.

Qëllimet e parashtruara, përfshijnë jo vetëm ndikimin në zgjedhjet e ardhshme në SHBA, por edhe dobësimin e mbështetjes publike për mbrojtjen e Ukrainës dhe diskreditimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe NATO-s në përgjithësi.

Një projekt i quajtur “Nxitja e Konflikteve Ndërkombëtare”, synonte të thellonte më tej konfliktet ekzistuese brenda aleatëve të SHBA-së, apo të “krijonte artificialisht” përplasje

të reja. Një sugjerim entuziast i regjistruar në një takim në Kremlin ishte:”Shpikni një lajm mbi një ushtar amerikan që përdhunon një grua gjermane. Do të ishte një gjetje e mrekullueshme!”

Po ashtu, ka udhëzime të detajuara me shkrim mbi qendrat e mashtrimeve online, se çfarë mesazhesh duhet të përhapin. Por edhe kuotat për përmbushjen e tyre:60.000 komente në muaj për Gjermaninë dhe Francën. Dhe ka një këshillë për ata që janë me më përvojë mbi mënyrat e keqinformimit:”Të përdorin një minimum lajmesh të rreme, dhe një maksimum informacioni realist”.

Por fiksimi i Putinit me keqinformimin tregon një dobësi të tijën. Ai pasqyron besimin e tij të thellë se votuesit dhe popullsia në tërësi, nuk kanë mendime të vetat. Se qëndrimet e tyre janë produkte të manipulimit, qoftë nga shërbimet e tij speciale dhe degët e tjera të shtetit - sidomos brenda Rusisë, ku Kremlini ushtron një kontroll të rreptë mbi mediat tradicionale dhe sociale - apo nga agjenci të huaja, si për shembull CIA.

Prandaj, kur më shumë se 1 milion ukrainas dolën në rrugë në vitet 2013-2014, duke kaluar disa muaj jashtë në protestë në temperatura nën zero dhe shpeshherë nën sulmin brutal të policisë, ajo valë demonstratash nuk ishte - sipas Putinit - një shprehje e vullnetit popullor, por një grusht shteti i orkestruar nga CIA.

I njëjti keqkuptim e nxiti atë të besonte se popullsia vendase nuk do të luftonte, kur ai filloi një pushtim të plotë të Ukrainës 8 vjet më vonë. Ishte një gabim katastrofik. E vërteta e trishtë është se deri tani Putini ka mundësi që të kursejë disa para. E përse duhen fushatat e gjera keqinformuese kur ke aleatë njerëz si Donald Trump, Elon Musk apo Nigel Farage në Britaninë e Madhë, që nxitin konfliktet sociale dhe shtojnë kaosin informativ në emër të fjalës së lirë?

Vetëm Platforma X, publikon rreth 6 miliardë postime në muaj, mbi 1/3 e tyre politike, duke reduktuar kuotat e vendosura për qendrat kibernetike ruse. Dhe ndërsa është e vështirë të përcaktohet se sa për qind nga ato postime janë gënjeshtra të qëllimshme, disa studime kanë zbuluar se lajmet e rreme shpërndahen më shumë në mediat sociale.

Operacionet ruse të ndërhyrjes në politikën e vendeve të tjera janë të vërteta, por fakti është se ato janë problemet tona. Uebsajtet tona, drejtuesit e emisioneve dhe blogerët tanë, janë tani ata që publikojnë më shumë lajme të rreme, teori konspirative dhe nxitje për dhunë sesa Rusia mund të shpresonte ndonjëherë që të shpikte vetë.

Ky lloj keqinformimi, është aq shumë i mbushur me synime dashakeqe, sa që është ngushëlluese ta mendosh si një komplot të huaj. Kur shpërthyen trazirat në qytetin Southport në Britaninë e Madhe në korrik, pas vrasjes me thikë të 3 vajzave të vogla në një klasë të Yoga-s, një artikull i sajuar pretendoi se autori ishte një arab, i ardhur në Britani me varkë si emigrant i paligjshëm vetëm një vit më parë.

Kjo histori e rreme u përhap me shpejtësi në rrjet. Asaj i bë shumë reklamë në faqet e ekstremit të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar, nga partitë politike dhe ndikuesit, por edhe një faqe interneti e quajtur Channel3Noë, që dukej se kishte lidhje me Pakistanin dhe Rusinë dhe që tanimë është mbyllur.

Protestat e dhunshme kundër emigrantëve dhe myslimanëve vazhduan për ditë të tëra, edhe pasi gjykata dha identitetin e vërtetë të autorit, një 17-vjeçar i krishterë me origjinë nga Ruanda, lindur dhe rritur në Mbretërinë e Bashkuar. S’ka asnjë provë të fortë se Rusia e nxiti atë valë protestash, edhe pse nuk ka dyshim se zyrtarët rusë që drejtojnë fushata të tilla do të kenë festuar për atë që panë.

E sigurt është se presidenti rus Vladimir Putin, beson se ka hyrë në një konflikt me “shumën zero” me Perëndimin. Ndaj ai e sheh si mbrojtjen e lirisë fjalës, ashtu edhe procesin demokratik të zgjedhjes së liderëve në Perëndim, si një dobësi të cilën mund ta shfrytëzojë.

Por le të mos bëjmë të njëjtin gabim si një spiun i vjetër i Luftës së Ftohtë, duke besuar se kaosi dhe kriza jonë janë në ndonjë aspekt të rëndësishëm vepër e Kremlinit. Përkundrazi, Moska thjesht po na nxit dhe po e shijon shfaqjen./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Bloomberg”

vladimir putin rusia perëndimi

Lini një Përgjigje