
Ndonëse Ukraina mund të përdorë armë të tjera që i janë dhënë nga Perëndimi për të goditur objektivat brenda Rusisë, asaj i është ndaluar të përdorë raketat me rreze të gjatë për shkak të frikës që ka SHBA-ja nga një përshkallëzim i luftës nga Moska.
Në rast se do të ketë një ndryshim të politikës perëndimore në lidhje me përdorimin e raketave të saj me rreze të gjatë veprimi, Ukraina do të ketë mundësi të godasë bazat ajrore ruse, depot e municioneve si dhe objektiva të tjera ushtarake që e kërcënojnë territorin e saj.
Ushtria ukrainase dëshiron që të jetë në gjendje të largojë sa më shumë flotën e avionëve bombarduesve rusë nga territori i saj. Këta të fundit po hedhin vazhdimisht “bomba rrëshqitëse”, të cilat janë relativisht të lira për t’u prodhuar dhe të rinovuara me sisteme të reja udhëzuese, mbi objektivat ukrainase me një efekt tejet shkatërrimtar.
Këta avionë janë në gjendje që të lëshojnë bomba të tilla edhe nga dhjetëra kilometra larg vijës së frontit. Në këto kushte, nëse Ukraina mund të lejohet të përdorët armë të tilla në thellësi të territorit rus, kjo do ta detyronte Moskën që t’i zhvendoste akoma më prapa avionët e saj.
Kjo do të nënkuptonte se ata do të kishin nevojë për më shumë karburant për të mbërritur në vijën e frontit. Nga ana tjetër, mund të detyrohet që të kufizojë numrin e fluturimeve që mund të kryejë forca ajrore ruse. “Ky ndryshim në qasjen e deritanishme të Perëndimit, do të na lejonte të parandalonim sulmet ruse dhe të siguronim një mekanizëm mbrojtës të nevojshëm. Pra gjithçka që mund të çojë pranë fundit të luftës”, thotë një burim ushtarak ukrainas.
Britania e Madhe e ka furnizuar Ukrainën me atë që besohet të jetë një rezervë e kufizuar raketash “Storm Shadow”, të cilat kanë një rreze prej rreth 250 km, duke e trefishuar rrezen e veprimit të raketave që ka përdorur deri më tani Kievi ndaj ushtrisë ruse. Raketat “Storm Shadow” janë sidomos shumë të dobishme për të sulmuar bunkerët.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara i ka ofruar Ukrainës versionin e raketave ATACMS me rrezen më të gjatë - një raketë balistike - e cila mund të godasë objektiva deri 300 kilometra larg. Ndonëse Ukraina mund të përdorë armë të tjera që i janë dhënë nga Perëndimi për të goditur objektivat brenda Rusisë, asaj i është ndaluar të përdorë raketat me rreze të gjatë për shkak të frikës që ka SHBA-ja nga një përshkallëzim i luftës nga Moska.
Ndërkaq Rusia nuk ka kufizime të tilla. Javës që shkoi, Moska mori nga Irani një furnizimin të ri prej më shumë se 200 raketash balistike me rreze të vogël goditje Fath-360. Raketat kanë një rreze veprimi deri në 120 kilometra, duke i dhënë mundësi Moskës që të godasë objektivat më përtej vijës së frontit ukrainas.
Një dërgesë e tillë, ka të ngjarë të ketë luajtur një rol në ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së ndaj politikës së saj të mëhershme. Lejimi i Ukrainës që të përdorë armët me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë, nuk ka gjasa që ta ndryshojë tërësisht rrjedhën e luftës, pjesërisht sepse ukrainasit nuk ka të ngjarë të kenë në dispozicion një numër të madh armësh të tilla.
Gjermania, e cila zotëron raketat me rreze të gjatë veprimi “Taurus”, dhe që janë të ngjashme me britaniket “Storm Shadow”, ka refuzuar që t’ia dërgojë ato Ukrainës, për shkak të frikës nga përshkallëzimi i konfliktit. Besohet se gjermanët zotërojnë rreth 600 të tilla, edhe pse vetëm gjysma janë në gjendje funksionale.
Rreziku më i madh nga ndryshimi i qasjes së politikës perëndimore mbi armët e saj me rreze të gjatë është hakmarrja e Rusisë, dhe frika se presidenti rus Vladimir Putin mund të vendosë në një moment të përdorë armët bërthamore taktike brenda Ukrainës, akt që konsiderohet si një “vijë e kuqe” për NATO-n.
Mbetet e paqartë se çfarë do të bënte NATO në kundërpërgjigje të këtij veprimi, megjithëse do të ishte gjithnjë e më i madh rreziku i një Lufte të Tretë Botërore. Ish-atasheu i mbrojtjes britanike në Moskë, John Foreman, është shprehur se armët taktike me rreze më të shkurtër veprimi janë “shumë më pak nevralgjike”, apo një burim i thellë dhimbje për rusët sesa raketat “Storm Shadow”.
E megjithatë, disa zyrtarë të qeverisë britanike, besojnë se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Putin është i mbivlerësuar. Prandaj duhet të ndryshojë diçka në fushën e betejës, në mënyrë që Ukraina të jetë në gjendje ta arrijë qëllimin e saj përfundimtar:dëbimin e trupave ruse nga territori i saj./Përshtati "Pamfleti", nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje