TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Korrik 2025, 19:31

Kush është Dan Bongino, nën drejtori i FBI-së në qendër të krizës së re MAGA për dosjet "Epstein"

Shkruar nga Pamfleti

Kush është Dan Bongino, nën drejtori i FBI-së në

Boningo nuk është paraqitur në punë të premten dhe, sipas raporteve, po shqyrton të ardhmen e tij në detyrë...

E ardhmja e nën drejtorit të FBI-së, Dan Bongino, mbetet e paqartë, pasi ai thuhet se është larguar me zemërim nga një takim me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe u ka thënë miqve të tij se po mendon të japë dorëheqjen për shkak të polemikave që kanë shpërthyer rreth çështjes Jeffrey Epstein.

Bongino, ish-polic në Nju Jork dhe ish-agjent i Shërbimit Sekret, që ka shërbyer në mbrojtje të presidentëve George W. Bush dhe Barack Obama, duket se mund të jetë figura e parë që bie politikisht nga administrata Trump si pasojë e përplasjeve për çështjen Epstein, një krizë që kërcënon të përçajë lëvizjen “Make America Great Again” (MAGA).

Ai nuk është paraqitur në punë të premten dhe, sipas raporteve, po shqyrton të ardhmen e tij në detyrë. Nuk dihet nëse Bongino ishte në zyrën e tij në selinë e FBI-së në Uashington DC të hënën.

CNN raportoi se senatori JD Vance kaloi fundjavën duke ndërmjetësuar një konflikt të ashpër mes Bondi, Bongino, Kash Patel, drejtorit të FBI-së dhe të tjerëve brenda rrethit të Trump.

Nuk është hera e parë që Bongino shfaqet i pakënaqur me rolin e tij. Në maj, ai shpërtheu në lot gjatë një daljeje live në Fox & Friends, duke u shprehur: “Kam hequr dorë nga gjithçka për këtë detyrë”.

Edhe pse ende nuk ka konfirmim nëse ai do të japë dorëheqje, burime të brendshme thonë se pozicioni i tij është bërë i paqëndrueshëm, sidomos pas mbështetjes së qartë që Presidenti Trump i dha publikisht Pam Bondit dhe pakënaqësisë që shfaqi ndaj përplasjes publike mes përkrahësve të tij për çështjen Epstein. Financieri i turpëruar u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019, pasi ishte arrestuar për trafikim seksual të të miturve.

Përplasja ka nxjerrë në pah tensionet në radhët e MAGA-s, sidomos ndaj vetë Bongino-s, një figurë e kontestuar që që nga emërimi i tij si zëvendësdrejtor i FBI-së ka qenë në qendër të vëmendjes.

Si ish-podkaster i ekstremit të djathtë dhe figurë e medias konservatore, Bongino ishte një nga zërat më të zhurmshëm që promovonte teorinë konspirative se Epstein nuk kishte vrarë veten, por ishte eliminuar për të fshehur një listë klientësh të fuqishëm pedofilë.

Pam Bondi po ashtu nxiti këtë besim të përhapur në rrethin MAGA, kur deklaroi në Fox News se “lista e klientëve ndodhet në tavolinën time”. Por të dy u akuzuan për fryrje të temës, pasi një raport i Departamentit të Drejtësisë (DoJ) i publikuar këtë muaj përfundoi se Epstein kishte kryer vetëvrasje dhe lista e famshme e klientëve nuk ekzistonte.

Pikërisht në këtë kontekst shpërtheu përplasja mes Bongino dhe Bondi javën e kaluar, gjatë një takimi ku ishin të pranishëm edhe Kash Patel, shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe zëvendësi i saj, Taylor Budowich. Bongino u përshkrua si “jashtë kontrollit, i tërbuar”.

Që para kësaj krize, kritikët e kishin paralajmëruar se Bongino ishte i papërshtatshëm për këtë detyrë. Emërimi i tij në shkurt 2025 shënoi herën e parë në 117 vitet e historisë së FBI-së që posti i dytë më i lartë në byro nuk mbahej nga një ish-agjent i FBI-së.

Emërimi i tij, pas atij të Kash Patel, u pa si sinjal se administrata Trump kishte për qëllim ta kthente FBI-në në një instrument hakmarrjeje ndaj kundërshtarëve politikë.

“Donald Trump sapo emëroi Dan Bongino-n, një podkaster MAGA të ekstremit të djathtë dhe promovues të teorive konspirative, që për vite me radhë ka përhapur gënjeshtrën se zgjedhjet e vitit 2020 ishin ‘vjedhur’, si Zëvendësdrejtor të FBI-së. Zoti na ruajt,” shkruante grupi “Republikanët kundër Trump” në rrjetin X në kohën e emërimit të tij.

Bongino, ish-prezantues në Fox News dhe autor i disa librave mbi ekzistencën e supozuar të “shtetit të thellë anti-Trump”, deklaroi në vitin 2018: “E gjithë jeta ime tani ka një qëllim: të poshtëroj të majtët.”

Megjithatë, ndonëse Trump është shprehur qartë në mbështetje të Bondi-t, ai nuk i ka mbyllur derën Bongino-s. “Është një djalë shumë i mirë... më tingëlloi i mrekullueshëm, për të qenë i sinqertë... Mendoj se është në formë,” u shpreh presidenti për gazetarët këtë fundjavë.

Një nga zërat më të fortë në mbështetje të Bongino-s është Laura Loomer, influencuese e ekstremit të djathtë dhe figurë me ndikim të madh te Trump. Ishte ajo që e publikoi lajmin e parë për pakënaqësinë e Bongino-s.

“Nga sa më thonë, Kash dhe Bongino janë të tërbuar me Blondi [Pam Bondi] për pasojat që u ka shkaktuar me mungesën e transparencës. Kash Patel dhe Dan Bongino duhet të kërkojnë dorëheqjen publike të Bondi-t sot, për të shpëtuar veten dhe për të kërkuar transparencë të plotë mbi dosjet Epstein. Dikush duhet të paguajë. T’i japësh Bondi-t mundësinë të japë dorëheqje është më shumë se ç’meriton”, shkroi ajo në rrjete sociale. /The Guardian

Lini një Përgjigje