TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Mars 2025, 19:00

Kush do të përfitojë nga riarmatimi i Evropës?

Shkruar nga Herman Staal

Kush do të përfitojë nga riarmatimi i Evropës?

Shtetet e Bashkuara kanë klientë 107 vende. Për herë të parë në 20 vjet, shumica e armëve amerikane shkuan në Evropë (35 për qind) dhe jo në Lindjen e Mesme (33 përqind). Pas saj vjen Franca, por nuk mbeten pas Gjermania dhe Italia.  

Me Donald Trumpin sërish në Shtëpinë e Bardhë, Evropa do të donte të bëhej më e pavarur nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes. Por gjatë 5 viteve të fundit, ka pasur një prirje të kundërt në tregtinë e armëve.

Ndërmjet viteve 2020-2024, kryesisht për shkak të luftës që shpërtheu në Ukrainë në vitin 2022, vendet evropiane të NATO-s i dyfishuan importet e tyre të armëve në krahasim me periudhën 2015-2019. Që nga viti 2020, importet nga SHBA-ja janë rritur dukshëm, nga 52 në 64 për qind.

Këto janë gjetjet e raportit vjetor të Institutit Kërkimor Ndërkombëtar për Paqes në Stokholm (SIPRI). “Në lidhje me tregtinë e armëve, të dyja anët e Atlantikut kanë lidhje shumë të forta", thotë studiuesi holandez i SIPRI, Pieter Wezeman.

“Gjatë 5 viteve të fundit, shtetet anëtare evropiane të NATO-s kanë porositur afro 500 avionë luftarakë dhe armë të ndryshme nga Uashingtoni. Pra është një lidhje shumë e vështirë për t’u shkëputur”, nënvizon ai.

Gjatë viteve 2020-2024, vëllimi i përgjithshëm i transferimeve të armëve në mbarë botën ishte pak më i ulët se në 5 vitet e mëparshme. Rritja prej 155 për qind e importeve në vendet evropiane, u kompensua nga rëniet në rajone të tjera.

Në renditjen e 10 vendeve kryesore eksportuese, Franca e ka zhvendosur Rusinë nga vendi i dytë. Pas pushtimit të Ukrainës, Moska filloi të prodhonte shumë më tepër armë për vete, sepse kishte nevojë për to, kur Kievi u tregua se ishte një “arrë” më e fortë për t’u thyer sesa e mendonte dhe teksa sanksionet ndërkombëtare i penguan eksportet.

Sa i përket Kinës, ajo ka blerë shumë armë jashtë vendit në të kaluarën, por tani i plotëson pothuajse tërësisht vetë nevojat e saj, pjesërisht për shkak se Shtetet e Bashkuara nuk i shitën armë, por edhe sepse cilësia e armatimeve ruse ishte e dobët.

Sipas Wezeman, Kina kishte mbetur shumë prapa në fushën e teknologjisë ushtarake. Praktikisht askush tjetër, përveç Rusisë, nuk ishte i gatshëm ta furnizonte atë me armë. Megjithatë, tani industria kineze e mbrojtjes ka bërë hapa të rëndësishëm përpara.

Midis viteve 2020-2024, Arabia Saudite ishte ende klientja kryesore e Shteteve të Bashkuara. Por për shkak se qeveria e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman kishte blerë shumë armë në 5 vitet e mëparshme, kërkesa në këtë periudhë ishte me e ulët.

Uashingtoni njoftoi më 11 mars se ka hequr kufizimet për ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën, e cila e pranoi propozimin për një armëpushim 30-ditor me Rusinë. Marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve në Jeddah të Arabisë Saudite, mes Kievit dhe Uashingtonit.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, amerikanët kishin kërcënuar se do ta përjashtonin Kievin nga qasja në sistemin satelitor Starlink, i drejtuar nga SpaceX i Elon Musk. Më 9 mars, këshilltari i Donald Trump shkroi në X se pa mbështetje satelitore “e gjithë linja e frontit ukrainas do të shembet” .

Polonia, financuesi kryesor i shërbimit Starlink për Ukrainën, tha se ishte gati të kërkonte zgjidhje alternative. SpaceX e vuri në përdorim rrjetin Starlink për Ukrainën pas pushtimit rus në 2022, kur lidhjet e internetit dhe telefonit ishin ndërprerë në një masë të madhe.

Me 6.382 satelitë që sillen rrotull Tokës në një lartësi prej 400 kilometrash, sistemi i Musk është një pjesë integrale e infrastrukturës ushtarake të Kievit. Qendrat e komandës e përdorin atë për të komunikuar me njësitë në front dhe për të pilotuar dronët.

Po kompania franceze e komunikimeve satelitore, Eutelsat, thotë se është gati të marrë përsipër trafikun e internetit të Ukrainës me sistemin e saj OneWeb, që ka 634 satelitë që operojnë në lartësi më të ulëta, të aftë për të mbuluar të njëjtën zonë si Starlink, por sigurisht me më pak efektivitet, veçanërisht sa i përket shpejtësisë së komunikimit.

Ndërkohë, ka të reja edhe nga pikëpamja ushtarake. Pas një pranie prej rreth 6 muajsh, forcat ukrainase po tërhiqen nga rajoni Kursk i Rusisë, pas një kundërofensive të nisur nga Moska javët e fundit.

Gjatë 5 viteve të fundit, industria e mbrojtjes amerikane ka përfituar shumë nga tensionet globale, veçanërisht në Evropë. Eksportet e armatimeve u rritën me 21 për qind ndërmjet periudhës së parë dhe të dytë të marrë në analizë, dhe pesha totale u rrit nga 35 në 43 për qind.

Shtetet e Bashkuara kanë klientë 107 vende. Për herë të parë në 20 vjet, shumica e armëve amerikane shkuan në Evropë (35 për qind) dhe jo në Lindjen e Mesme (33 përqind). Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor i raketave me rreze të gjatë dhe avionëve luftarakë F-35, aktualisht më i avancuari në botë.

Kjo është arsyeja kryesore pse industria evropiane është kaq e lidhur me atë amerikane, të cilën e furnizon me disa pjesë. E njëjta gjë vlen edhe për sistemin anti-raketor Patriot. “Pra, është një varësi e ndërsjellë, të cilës nuk mund t’i jepet fund shumë lehtë. Gjashtë vjet më parë, kur Shtetet e Bashkuara përjashtuan Turqinë nga programi F-35, për shkak se Ankaraja kishte nënshkruar një marrëveshje me Rusinë, kishte probleme në furnizim me pjesë të caktuara, dhe ishte e nevojshme të kërkoheshin alternativa ndaj produkteve turke”, shpjegon Wezeman.

Vendimi i evropianëve për të blerë armë kaq të mëdha dhe të shtrenjta nga Shtetet e Bashkuara, bazohet në arsye ekonomike dhe politike. “Por armët zgjidhen të blihen këtu apo atje bazuar tek aleancat që dëshironi të mbani. Për shembull, Holanda, mund të kishte blerë lehtësisht një avion britanik, gjerman ose francez, të një cilësie po aq të mirë. Por u zgjodh F-35 për të forcuar lidhjen me Shtetet e Bashkuara”, shton eksperti.

Dhe lidhjet e forta e kanë një avantazh: ato do t’i mbijetojnë presidencës Trump. Vitin e kaluar, Gjermania porositi F-35. Nëse gjithçka shkon mirë, të parët do të dorëzohen në vitin 2027, kur Trump pritet të jetë ende në Shtëpinë e Bardhë. Ato do të përdoren për një kohë të gjatë, dhe gjatë gjithë procesit të mirëmbajtjes dhe modernizimit të dy vendet do të mbeten të lidhura.

F35 është një lloj avioni që mund të përdoret për 20, 30 vjet apo edhe më shumë.

Thuhet shpesh se industria evropiane e luftës është dobësuar shumë 30 vitet e fundit. Por Wezeman nuk është plotësisht dakord: “Unë nuk do ta përdorja atë term. Vendimi për çarmatimin në fund të Luftës së Ftohtë kishte arsyet e veta të mira. Por vlen të pyetet nëse njerëzit e kuptuan me kohë se Rusia ishte sërish një kërcënim dhe se ajo do të ndërmerrte vërtet një hap ekstrem si pushtimi i Ukrainës".

Një degë e rëndësishme e industrisë së armëve, është ende në gjendje të mirë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të forta në sektorin ajror, industria evropiane shkëlqen në prodhimin detar dhe pajisjet tokësore, siç është tanku gjerman Leopard.

Në periudhën 2020-2024, Franca u bë furnizuesi i dytë më i madh i armëve në botë, duke u shitur armë 65 shteteve. Gjermania ruajti vendin e saj të pestë në botë, me në krye kompaninë Rheinmetall. Italia ka qenë shumë aktive 5 vitet e fundit dhe pesha e saj në tregtinë botërore është rritur nga 2 në 4.8 për qind.

Mbi të gjitha bie në sy Leonardo që po shet avionë  helikopterë, sisteme radari dhe automjete të blinduara. Së fundmi njoftoi se do të prodhojë edhe dronë së bashku me kompaninë turke Baykar. 

Wezeman thotë se vitet e ardhshme industria evropiane e luftës, do të luajë një rol më të rëndësishëm edhe në dritën e planit prej 800 miliardë eurosh të paraqitur nga Komisioni Evropian për të forcuar sigurinë e kontinentit./ Përshtati "Pamfleti" nga “Internazionale”

Lini një Përgjigje