TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Prill 2025, 14:34

Kolapsi i turizmit në Mal të Zi: “Sveti Stefan” i mbyllur për të pestin vit radhazi; qeveria e Spajiç hesht!

Shkruar nga Pamfleti
Kolapsi i turizmit në Mal të Zi: “Sveti Stefan” i mbyllur
Sveti Stefan /

Simboli i dikurshëm i turizmit luksoz në Mal të Zi, kompleksi “Sveti Stefan” dhe “Villa Miloçer” rrezikojnë të mbeten të mbyllura për shkak të indiferencës së qeverisë së kryeministrit Milojko Spajiç. Mosmarrëveshja për arbitrazhin ndërkombëtar në Londër ka bllokuar investimin, ndërsa pronari grek Petros Statis dhe tenisti Novak Gjokoviç kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Prej pesë vitesh, kompleksi turistik më prestigjioz i Malit të Zi, "Sveti Stefan" dhe "Villa Miloçer", mbeten të mbyllura për turistët, ndërkohë që qeveria malazeze refuzon të reagojë ndaj ofertës së bërë nga kompania "Adriatic Properties" e biznesmenit grek Petros Statis, për një marrëveshje të përkohshme që do të pezullonte arbitrazhin ndërkombëtar në Londër.

Burime të sigurta i thanë gazetës malazeze "Vijesti" se heshtja e Qeverisë së Milojko Spajiç po bllokon çdo mundësi hapjeje të kompleksit këtë verë, duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së rajonit dhe turizmit malazez në përgjithësi. Marrëveshja e propozuar parashikon hapjen urgjente të dy hoteleve ikonë brenda pak javësh dhe pezullimin e përkohshëm të procedurave të arbitrazhit në Londër deri në arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes palëve.

Kolapsi i turizmit në Mal të Zi: “Sveti Stefan” i mbyllur
Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç /

Seanca vendimtare në Tribunalin Ndërkombëtar në Londër është caktuar për 18 maj, ndërsa grupet e avokatëve dhe ekspertëve tashmë janë mbledhur për të përgatitur strategjinë. Pa reagimin e Qeverisë malazeze, kjo situatë do të shkaktojë zgjatjen e konfliktit dhe mbylljen përfundimtare të sezonit të pestë turistik.

Petros Statis, pronar i "Adriatic Properties" dhe kompanisë së famshme "Amanresorts", ka shprehur vullnetin për të hapur kompleksin brenda muajit maj. Marrëveshja propozon që Villa Miloçer të hapet më 21 maj, për festën e Pavarësisë së Malit të Zi, ndërsa hoteli "Sveti Stefan" më 1 korrik. Megjithatë, pa përgjigje nga autoritetet shtetërore, as rezervimet nuk kanë mundur të hapen.

Problemi qendron te mungesa e një marrëveshjeje të qartë për administrimin e plazheve dhe territorit përreth, veçanërisht Plazhit të Mbretëreshës, që ka qenë burim konflikti mes investitorit dhe banorëve lokalë. Marrëveshja e propozuar lejon qasje të kontrolluar publike në disa zona, por gjithashtu siguron që hoteli të ruajë standardet e larta për mysafirët VIP.

Ndërkohë, borxhet e mëdha kanë mbërthyer kompanitë shtetërore malazeze që zotërojnë territorin e kompleksit, pasi kompania e Petros Statis ka pezulluar pagesat e qirasë prej dy vitesh, pikërisht për shkak të konfliktit ligjor.

Në përpjekje për të shpëtuar situatën, tenisti më i famshëm serb, Novak Gjokoviç, ka shprehur interes të investojë për zhbllokimin e këtij ngërçi. Ai ka zhvilluar bisedime direkte me kryeministrin Spajiq dhe ka bërë apel publik për hapjen e menjëhershme të hotelit që konsiderohet si "perla" e turizmit në Ballkan.

Nëse qeveria malazeze nuk merr masa urgjente, “Sveti Stefan” dhe “Villa Miloçer” do të qëndrojnë edhe një sezon tjetër në harresë, duke dëmtuar seriozisht jo vetëm turizmin vendas, por edhe imazhin ndërkombëtar të Malit të Zi./Përgatiti: Pamfleti

 

sveti stefan kolapsi i turizmit mali i zi spajiç

Lini një Përgjigje