TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Tetor 2025, 07:28

Kërcënimet nga Moska, Trump urdhëron Pentagonin të testojë armët bërthamore

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti tha se donte që testimet të ndodhnin në baza të barabarta me Rusinë dhe Kinën, pak para se të takohej me homologun e tij kinez për bisedime tregtare me rëndësi të lartë.

Kërcënimet nga Moska, Trump urdhëron Pentagonin të
Putin dhe Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se i ka udhëzuar Departamentit të Mbrojtjes të fillojë testimin e armëve bërthamore amerikane “menjëherë” në përgjigje të programeve të testimit nga vendet rivale, një njoftim që erdhi pak momente përpara se ai të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping.

Sipas Washington Post, Trump tha se SHBA-të “kanë më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër”, duke e renditur Rusinë të dytën dhe Kinën “një të tretën larg, por do të jetë edhe brenda 5 viteve”.

“Për shkak të programeve të testimit nga vendet e tjera, unë i kam udhëzuar Departamentit të Luftës që të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në baza të barabarta. Ky proces do të fillojë menjëherë”, tha Trump.

Kjo do të shënonte një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së.

SHBA-të “kanë respektuar një moratorium vullnetar mbi testimet e eksplozivëve bërthamorë që nga viti 1992”, sipas Kongresit.

Trump është aktualisht për në Busan, Korenë e Jugut, para se të takohet me Xi.

Ndërkohë Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia ka testuar me sukses raketën Burevestnik, e cila është e pajisur me motor me energji bërthamore dhe ka aftësi për mbajtjen e armëve bërthamore.Tashmë, Moska po kërkon mënyra për ta përdorur atë në një kohë kur lufta e Kremlinit në Ukrainë po zvarritet.

Kremlini publikoi më 26 tetor një video nga një takim mes Putinit dhe shefit të shtabit të përgjithshëm, Valery Gerasimov, që raportohet se është zhvilluar në një lokacion të grupit të përbashkët të forcave.

Raketa, e quajtur Skyfall nga NATO, është në zhvillim prej më shumë se një dekade. Ajo është një nga disa sistemet e reja në të cilat dizajnerët rusë janë përqendruar, ndërsa Kremlini derdh fonde në zhvillimin e armëve si pjesë e një gare armatimesh që nuk është pranuar zyrtarisht – kryesisht kundër Shteteve të Bashkuara.

Kjo raketë ka tërhequr vëmendje të veçantë nga ekspertët e kontrollit të armëve dhe të inteligjencës, pjesërisht për shkak të teknologjisë që përdor, por edhe për shkak të dështimeve të saj të mëparshme.

Njoftimi i Putinit vjen në një kohë kur traktati New START, i cili kufizon arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë në 1.550 koka strategjike dhe 700 lëshues strategjikë për secilën palë, pritet të skadojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Shumë kombe, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën janë nënshkruese të Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore të vitit 1996, i cili ndalon "çdo shpërthim testimi të armëve bërthamore ose çdo shpërthim tjetër bërthamor".

Megjithatë, traktati nuk hyri kurrë në fuqi sepse disa vende kryesore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk e ratifikuan atë. Ka pasur gjithashtu akuza për shkelje të rëndësishme, me një zyrtar të lartë amerikan që deklaroi gjatë administratës së parë Trump se Rusia ndoshta kishte kryer teste sekrete të armëve bërthamore me rendiment të ulët.

Njoftimi i Trump ishte me shumë gjasa në përgjigje të testimit të fundit nga Rusia të sistemeve të reja të shpërndarjes bërthamore, duke përfshirë Poseidon dhe një raketë lundrimi me energji bërthamore dhe mund ta nxisë Pekinin të përshpejtojë kërkimet bërthamore, tha Tong Zhao një ekspert për marrëdhëniet bërthamore SHBA-Kinë.

 

trump urdhëron pentagonin të testojë armët bërthamore

Lini një Përgjigje