TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Nëntor 2024, 15:30

Katër pasoja të këqija dhe një shkak pse Trump mund të zgjidhet president!

Shkruar nga Riccardo Maggiolo

Katër pasoja të këqija dhe një shkak pse Trump mund të

Nëse Trump rizgjidhet president, do të bëhet e pashmangshme një pyetje: Si është e mundur e gjitha kjo?

Kanë mbetur pak ditë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA. Sondazhet tregojnë se 2 kandidatët janë shumë pranë njëri-tjetrit në shtatë shtetet vendimtare. Por ditët e fundit, ata duket se kanë regjistruar një rritje të lehtë të mbështetjes për Donald Trump.

Thënë këtë, rezultati më i mundshëm mbetet një rezultat i paqartë dhe i kontestuar. Ndaj ka ardhur koha të mendojmë se cilat do të ishin pasojat globale dhe sistematike të rizgjedhjes president të kandidatit republikan. Sipas meje, janë kryesisht 4 të tilla.

E para - për të cilën flitet shumë pak, dhe kjo tashmë është shumë shqetësuese - është çështja mjedisore. Siç na e kujtuan së fundmi përmbytjet tragjike në Spanjë, klima globale po arrin - ose ndoshta e ka kaluar tashmë - një pikë kritike.

Temperaturat e oqeanit, shkrirja e akullit polar, permafrosti, acidifikimi i deteve, zhdukja e specieve shtazore, janë që të gjitha fenomene në zgjerim e sipër, madje disa në mënyrë të pashpjegueshme. Një situatë dramatike, e cila do të ta përshpejtojë akoma më shumë braktisjen e lëndëve djegëse fosile.

Por Trump ka deklaruar se nëse rizgjidhet, do t'i rikthehet shpimeve për naftë dhe gaz me një ritëm më të lartë se kurrë më parë. Kjo qasje do të jetë jo vetëm një dëm i madh në vetvete, por do të shkaktojë edhe frenimin e tranzicionit energjitik global.

Kjo sepse do të ulë çmimet e naftës, duke e bërë atë më të lirë, dhe pjesërisht sepse konkurrenca e tregut do t'i "detyrojë" vendet e tjera të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara. Kështu do të humbnim atë që duket të jetë shansi i fundit për të mos jetuar në të ardhmen në një planet me pjesë të mëdha të tij pothuajse të pabanueshme, dhe me pjesën tjetër të dëmtuar rëndë nga ngjarjet ekstreme të motit.

Një pasojë e dytë shumë serioze e fitores së mundshme të Trumpit do të ishte politike. Zgjedhja president e një kandidati që në të kaluarën i ka mohuar rezultatet e zgjedhjeve, duke provokuar një lloj grushti shteti në miniaturë, dhe që sot premton të mos pranojë sërish humbjen e mundshme, është dëshmia më e fortë e vetëvrasjes së një demokracie.

Në shumë vende të konsideruara "demokratike", demokracia nuk është e plotë. Shumë njerëz pyesin ende veten nëse është më mirë të jetosh në një demokraci, një oligarki apo edhe një diktaturë për t'u zhvilluar në një botë shumë komplekse. Humbja e vetë-shkaktuar e demokracisë më të vjetër dhe më të fuqishme në botë, do të përbënte në sytë e shumë njerëzve një sinjal të qartë për ta zgjidhur ndryshe këtë çështje.

Pasoja e tretë, do të ishte përhapja e gjerë e propagandës. Zgjedhja e Trumpit, do të hidhte poshtë dy supozime themelore të teorisë politike të shekullit të kaluar:së pari që ekonomia luan një rol vendimtar në fatin e zgjedhjeve, dhe se dyti që votuesit zgjedhin në një mënyrë kryesisht racionale dhe egoiste.

Sot ekonomia amerikane, është më mirë se kurrë më parë:punësimi është në ritmet e tij maksimale, pagat po rriten, inflacioni është kthyer në nivele normale, dhe rritja ekonomike është e lartë. E megjithatë, pakënaqësia mbetet e madhe dhe Biden është një nga presidentët më jo popullorë që ka pasur ndonjëherë Amerika.

Pra është gjithnjë e më e dukshme, se sot shumë njerëz votojnë kundër interesave të tyre. Mjafton të kujtojmë hispanikët apo gratë që do të votojnë për një kandidat, që vazhdimisht e ka treguar veten si racist dhe misogjin. Çfarë do të tregojë e gjitha kjo në sytë e politikanëve dhe të fuqishmëve?

Që njerëzit janë shumë të ndikueshëm dhe manipulueshëm. Se arma përfundimtare për të ardhur sot në pushtet është propaganda. Që të jesh i besueshëm, serioz, kompetent do të thotë të përqendrohesh tek karizma dhe të bësh premtime të parealizueshme. Ndaj nëse fiton Trump, duhet të presim një varg keqinformimesh dhe propagande nga kandidatët populistë, dhe ndërhyrjen armiqësore në debatin publik të regjimeve të interesuara për dobësimin e demokracive.

Pasoja e katërt dhe e fundit e rizgjedhjes së Trumpit, do të ishte pedagogjike në mos edhe etike. Gjatë gjithë jetës së tij, sipërmarrësi njujorkez ka treguar përbuzje për rregullat në shumë raste, dhe ka koleksionuar një seri pothuajse të pafund gafash, dështimesh, gabimesh e ndonjëherë edhe krimesh.

Nëse, pavarësisht gjithë kësaj, ai do të bëhet për herë të dytë "njeriu më i plotfuqishëm në botë", ky do të ishte një sinjal se për të qenë sot i suksesshëm, s'ka nevojë të angazhoheni apo të keni ndonjë talent të veçantë. Gjëja e vetme që ka rëndësi është të jeni në vendin e duhur në kohën e duhur dhe të përfitoni nga mundësia.

Nëse është e nevojshme edhe duke paracaktuar apo thyer ligjet. Së fundmi, nëse Trump rizgjidhet president, do të bëhet e pashmangshme një pyetje: Si është e mundur e gjitha kjo? Dhe për mendimin tim, përgjigja kryesore është vetmia. Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, 30 për qind e amerikanëve është ndjerë vetëm të paktën një herë në javë gjatë vitit të fundit.

Vetmia nuk është izolim: mund të ndihesh vetëm edhe duke qenë i rrethuar nga njerëzit. Vetmia është dëshira për të pasur marrëdhënie njerëzore më të thella dhe më domethënëse. Dhe siç e tregon studimi më i vjetër në botë, marrëdhëniet njerëzore janë faktori kryesor për një jetë të lumtur.

Gati një e treta e popullsisë amerikane, ka qenë ose është klinikisht në depresion. Motoja e Trump është "Ta bëjmë sërish madhështore Amerikën". Pra forca e saj qëndron tek nostalgjia: premtimi për t'u rikthyer në një të kaluar më të begatë.

Për gati të gjithë treguesit themelorë, ne jemi më mirë sot se dje, përveç njërit:lidhjeve sociale. Për këtë arsye - si dhe nga një predispozitë natyrore "biologjike" për shkak të plakjes - pendohemi për të kaluarën dhe kemi frikë nga e ardhmja: sepse kujtojmë se ishim më të lumtur, dhe kjo sepse ishim më të lidhur dhe qëndronim me gjatë me të tjerët.

Ndoshta ajo që duan votuesit e Trump nuk është hakmarrja, por përkatësia. Ata nuk nxiten nga zemërimi, por nga trishtimi. Ata nuk janë budallenj; ata janë të vetmuar. Sot, pavarësia dhe individualizmi janë "yjet polarë" të ekonomive dhe shoqërive tona. Ne projektojmë produkte dhe shërbime që janë gjithnjë e më të arritshme dhe të personalizuara, dhe dëshirojmë një jetë pa probleme.

Por ajo që nuk e kuptojmë, është arsyeja pse e gjitha kjo nuk na bën të lumtur. Dhe ndoshta përgjigja është kjo: sepse lumturia nuk ka të bëjë me një jetë pa probleme dhe në të cilën jemi krejtësisht të lirë, por një jetë në të cilën përballemi me probleme, dhe në të cilën duhet të ballafaqohemi me të tjerët.

Në një botë që duket gjithnjë e më e dominuar nga teknologjitë thuajse të gjithëpushtetshme dhe duart e pak njerëze; në të cilën po zhduken sindikatat dhe partitë; dhe në të cilën e ardhmja është bërë një vend armiqësor dhe ekskluziv vetëm për disa; dhe ku teknologjia vepron si një filtër gjithnjë e më i fuqishëm për marrëdhëniet njerëzore; në të cilën çdo gjë, që nga qytetet e deri tek patatinat, bëhet për të qenë efikasë dhe asketë, gjetja e kuptimit tek veprimet e dikujt, rizbulimi i ndjenjës së të qenit në gjendje për të pasur një farë ndikimi mbi gjërat dhe aq më tepër tek njerëzit, është nevoja e vërtetë që duhet të përpiqemi ta përmbushim. Atë duhet ta bëjmë tani dhe së bashku./Përshtati "Pamfleti", nga "Huffington Post Italia".

Lini një Përgjigje