TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Janar 2025, 22:01

Katastrofa e tërheqjes së SHBA-së nga OBSH: Tani të gjithë jemi më të dobët ndaj pandemive

Shkruar nga Eugenia Tognotti

Katastrofa e tërheqjes së SHBA-së nga OBSH: Tani të

Veprimi i njëanshëm i largimit nga OBSH i administratës së re amerikane, nuk do të ketë një zbatim të menjëhershëm.

Që nga 21 janari, që të gjithë jemi pak më pak të sigurt: tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e dobëson mbikëqyrjen globale të sëmundjeve dhe sistemet e reagimit ndaj emergjencave, duke e vënë në rrezik shëndetin e botës dhe sigurinë globale.

Nuk ekziston asnjë mënyrë më pak “dramatike” për ta thënë, pas lajmit se një nga dokumentet e para të nënshkruara në ditën e parë të mandatit të tij të dytë nga Donald Trump është tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga OBSH-ja, një gur themeli i financimit dhe i politikave të SHBA-së që nga viti 1948.

Dihej tashmë se ekipi presidencial i tranzicionit, po hidhte bazat për vendimin e pamatur, të parashikuar edhe nga britanikja Financial Times. Pastaj ishte i njohur edhe pozicioni skeptik i manjatit, që kishte nisur që në vitin 2020 procedurat për largimin nga OBSH, në mesin e pandemisë së Covid-19.

Ato u ndërprenë më vonë nga Joe Biden, i cili mori detyrën në 20 janar 2021. E akuzuar si një kukull në duart e Kinës, agjencia u cilësua përgjegjëse për keq-menaxhimin dhe përhapjen e hershme të Covid-19. E megjithatë, shpejtësia me të cilën veproi Trump nuk pritej, pra vetëm pak orë pas betimit të tij.

Ajo mund të shpjegohet me ndikimin e madh që kanë disa “këshilltarë” në vendimet e tij, që janë shumë kritikë ndaj OBSH-së dhe që zënë pozicione kyçe në sektorin e shëndetësisë, përfshirë Robert F. Kennedy Jr., por edhe me dëshirën për të inauguruar mandatin e tij të dytë me vendime të bujshme, të cilat do të shënonin të shkëputje të qartë me administratën e mëparshme.

Këtu mund të përmendim vetëm pasojat e mundshme katastrofike që mund të shkaktojë dalja e Shteteve të Bashkuara nga kjo agjenci ndërkombëtare, duke filluar me dobësimin e OBSH-së, e cila pa fondet e mëdha të financuesit të saj kryesor (dhe një kontribues themelor në kërkimin shkencor), do ta ketë shumë të vështirë të kundërpërgjigjet ndaj emergjencave shëndetësore, dhe do të detyrohet të zvogëlojë ndjeshëm fushën e veprimit të saj.

Dhe ne mund të kujtojmë sërish forcimin e lidershipit të Kinës në OBSH dhe në shëndetin global, si dhe humbjen e rolit të Shteteve të Bashkuara si lider botëror në çështjet shëndetësore, gjë që do ta bëjë më të vështirë përballjen me pandeminë e ardhshme.

Me pak fjalë, tërheqja nga OBSH-ja mund të shënojë vetëm një ndryshim rrënjësor në politikën globale të shëndetit nga ana e SHBA-së, dhe ta izolojë Uashingtonin nga përpjekjet ndërkombëtare.

Për më tepër, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nuk do të kishin më qasje në të dhënat globale të ofruara nga agjencia, siç ndodhi në vitin 2020, kur Kina i transmetoi OBSH-së informacione mbi sekuencën gjenetike të koronavirusit të ri, të cilat u ndanë edhe me vendet e tjera.

Nëse është e vërtetë që Covid-19 nxori në pah mosfunksionime dhe mangësi në kompetencat dhe financimin e OBSH-së, duke justifikuar kërkesën e bërë nga shumëkush për reforma thelbësore, zgjidhja nuk do të jetë tërheqja dhe humbja e mundësisë për të pasur ndikim global.

Një marrëveshje, mund të arrihet brenda majit të këtij viti për “traktatin e pandemisë”, aktualisht i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve midis shteteve - në mënyrë që të forcohen përgatitjet për pandeminë e ardhshme dhe të vendosen rregulla detyruese për vendet anëtare.

Veprimi i njëanshëm i largimit nga OBSH i administratës së re amerikane, nuk do të ketë një zbatim të menjëhershëm. Në fakt, ai do të duhet të presë miratimin e Kongresit. Sepse Shtetet e Bashkuara u bënë pjesë e tij, përmes një rezolute të miratuar nga të dyja Dhomat, pra Senat dhe Kongres në vitin 1948.

Mbetet të shpresojmë që shqetësimet e shprehura nga ekspertët më të njohur të fushës, që vijnë nga universitete dhe qendra kërkimore prestigjioze, të mos kalojnë pa u dëgjuar dhe të funksionojnë kundërpeshat.

“SHBA-ja do ta humbiste ndikimin dhe peshën e saj në shëndetin global, dhe boshllëkun do ta zinte Kina”- deklaron Lawrence Gostin, profesor i Shëndetit Global në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington dhe drejtor i Qendrës Bashkëpunuese të OBSH-së për Ligjin Kombëtar dhe Global të Shëndetit. ”Unë s’mund ta imagjinoj dot një botë pa një OBSH të fortë”, nënvizoi ai./Përshtati "Pamfleti" nga ”La Stampa”

Lini një Përgjigje