
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Serbia nuk ka asnjë lidhje kapjen e 5 tonëve marihuanë në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Ai ka thënë se policia “ka arrestuar njerëz” dhe shtoi se kundërshtarët e tij politikë “kanë kthyer gjithçka mbrapsht”. Vuçiç i cilëson si pretendime deklaratat se shteti serb qëndron pas kësaj afere.
“Njerëzit nga Policia gjetën pesë tonë të një lloj droge. Tani, nëse vetëm djali e ka ditur për këtë apo të dy, edhe djali edhe babai, kjo është çështje tjetër, le ta vendosin autoritetet kompetente, nuk dua të pretendoj asgjë. Ne e kemi kryer atë operacion”, u shpreh Vuçiç.
Më 29 janar, Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar ka konfiskuar pesë tonë marihuanë në zonën e fshatit Konjuh afër Krushevcit, në Serbinë qendrore.
Të dyshuar për këtë rast janë Aleksandar Mijajlloviq, Nebojsha Spasojeviq, Rade Spasojeviq, Ivan Dragniq dhe Urosh Mlladenovski.
Autoritetet kanë kërkuar lëshimin e një fletarrestimi, përfshirë edhe atë ndërkombëtar për Aleksandar Mijajlloviqin, i cili është identifikuar si organizator i grupit të organizuar kriminal dhe tani është në arrati.
Sipas autoriteteve serbe, grupi ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe ka përvetësuar pesë tonë të marihuanës në territorin e Maqedonisë së Veriut përgjatë muajit janar.
Presidenti i partisë opozitare Lëvizja Popullore e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, ka thënë përmes një postimi në X, se njëri prej të arrestuarve gjatë sekuestrimit të drogës ishte një këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe, parti në pushtet, në Krushevc.
Aleksiq u shpreh personi i arrestuar është “mik dhe ndihmës i ngushtë” i familjes së ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq.
Ministri Gashiq nuk ka reaguar pas akuzave dhe as nuk e ka përmendur emrin e personit të arrestuar.
Përmes një deklarate të publikuar në gazeta serbe, ai ka përgëzuar autoritetet policore për aksionin, duke thënë se veprime si këto tregojnë se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi”./REL
Lini një Përgjigje