
Në Kinë, një çift zbulon se është filmuar fshehurazi në dhomën e hotelit dhe videoja intime po qarkullonte prej javësh në rrjete ilegale; pa dijeni dhe pa pëlqim. Një fenomen në rritje që po kthehet në makth global...
Në epokën e teknologjisë së padukshme, kamerat e fshehta nuk janë më makth i filmave të spiunazhit, por rrezik real në jetën e përditshme. Në shumë vende aziatike; përfshirë Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, është rritur në mënyrë alarmante numri i videove intime të filmuara pa dijeni të njerëzve, shpesh në hotele apo ambiente të qiradhënies. Ato më pas shiten ose shpërndahen në kanale të fshehta në rrjete si Telegram, duke kthyer njerëz të zakonshëm në "aktore" pa dëshirën e tyre.
Pajisjet e përdorura për filmime të tilla janë të vogla, të fshehura në karikues, llamba, alarme tymi, madje edhe në priza elektrike apo pas pasqyrave. Ato mund të transmetojnë drejtpërdrejt ose të ruajnë materialin në serverë të jashtëm. Fatkeqësisht, nuk ka garanci që dhoma juaj e hotelit është 100% e sigurt, sidomos në vende ku rregullimi ligjor është i dobët ose ku kontrolli zyrtar është thjesht formalitet.
Si mund të mbroheni?
· Kontrolloni me kujdes çdo pajisje të dyshimtë në dhomën e hotelit.
· Ndizni dritat dhe kontrolloni pasqyrat për reflektime të dyfishta (test i thjeshtë me thonj).
· Përdorni aplikacione për detektimin e kamerave përmes valëve ose lenteve të padukshme.
· Mos qëndroni në hotele të pasigurta ose me reputacion të dyshimtë.
· Nëse dyshoni për një pajisje të çuditshme, mbulojeni, çaktivizojeni ose raportojeni menjëherë.
Çdo person ka të drejtë të jetë i sigurt në hapësirën ku fle, jeton apo bën dashuri. Ajo që ndodhi me çiftin nga Hong-Kongu është thjesht maja e ajsbergut të një tregtie të errët, që i kthen njerëzit në “përmbajtje”, duke shkelur çdo normë morale dhe ligjore.
Ngjarja
Një burrë nga Hong-Kongu, i identifikuar si Erik (emër i ndryshuar), po shfletonte një kanal privat në rrjetet sociale, ku shpërndahen përmbajtje seksuale të fshehta. Ajo që ndodhi më pas i tronditi jetën. Në një nga videot që klikoi, ai pa veten, duke hyrë në një dhomë hoteli në Shenzhen, Kinë, së bashku me të dashurën e tij, duke vendosur çantat dhe më pas duke kryer marrëdhënie seksuale. Ai nuk kishte asnjë ide se ishte filmuar. Videoja kishte mijëra shikime dhe ishte shpërndarë në platforma të mbyllura si Telegram, ku pornografia e xhiruar me kamera të fshehta është kthyer në një industri të nëndheshme.
Ky ishte një hotel i zakonshëm, dhoma dukej e rregullt, por diku ishte fshehur një pajisje e vogël, një kamerë e vendosur me mjeshtëri, që kishte regjistruar çdo lëvizje të tyre. Erik dhe partnerja e tij nuk ishin të vetëdijshëm se ishin kthyer në objekt vëzhgimi të fshehtë, e më pas në konsum për përdorues anonimë të internetit. Nga një shikues i rastësishëm, Erik ishte kthyer në viktimë. Nuk dinte kush e kishte vendosur kamerën, kush e kishte ngarkuar videon, apo sa kohë kishte që përmbajtja e tyre qarkullonte në rrjet. Ai rrëfen për BBC se përjetoi tronditje, neveri dhe frikë.
Në Kinë, prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë është zyrtarisht e ndaluar, por rrjeti nëntokësor i shpërndarjes së videove intime të filmuar fshehurazi është i gjallë dhe aktiv. Kamerat fshihen në karikues telefoni, alarme tymi false, pajisje të vogla që duken të zakonshme në çdo dhomë hoteli. Këto kamera shpesh janë të lidhura me internetin dhe mundësojnë transmetim të drejtpërdrejtë ose ruajtje automatike të videove. BBC raportoi se qindra video të tilla janë të qasshme online, përmes platformave të mbyllura që funksionojnë përmes pagesave apo ftesave speciale. Në shumë raste, viktimat nuk janë në dijeni dhe as nuk arrijnë kurrë të identifikojnë autorët.
Autoritetet kineze kanë nxjerrë urdhra që hotelet të kontrollojnë rregullisht për kamera të fshehta, por këto masa kanë rezultuar të pamjaftueshme. Numri i rasteve që dalin në dritë po rritet, ndërsa viktimat, si në rastin e Erik, mbeten pa ndihmë, të zhgënjyer dhe të ekspozuar. Ai dhe e dashura e tij nuk kërkuan më ndihmë nga autoritetet, të vetëdijshëm se asgjë nuk do të ndryshonte dhe se videoja e tyre ndoshta vazhdon të qarkullojë.
“Mendova se ishim të sigurt. S’do më shkonte në mendje kurrë që dikush do vendoste kamera aty brenda,” – thotë ai. Tashmë, pas asaj që përjetoi, ai i bën apel të gjithëve që të kontrollojnë çdo dhomë hoteli, çdo pajisje të dyshimtë, çdo objekt që duket jashtë vendit të vet. Askush nuk e meriton – thotë ai – të bëhet spektakël për të tjerët, pa e ditur, pa e pranuar, e pa e kërkuar./Përgatiti: Pamfleti
Lini një Përgjigje