TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Gusht 2024, 22:09

Kamala Harris ngushton rrethin për zëvendësin e saj, kush janë dy figurat mes të cilëve do të zgjedhë

Shkruar nga Pamfleti

Kamala Harris ngushton rrethin për zëvendësin e saj, kush

Kandidatja e demokratëve për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris e ka ngushtuar në dy emra listën se kë do të zgjedhë për të garuar në pozitën e nënpresidentit, në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve "Reuters", Harris do të zgjedhë mes guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro ose atij të Minesotas, Tim Walz.

Harris, nënpresidente e Shteteve të Bashkuara, pritet të bëjë të ditur emrin të martën, para se të bëjë daljen e parë publike me kandidatin për nënpresident, në një organizim të Universitetit Temple në Filadelfia.

Organizimi do të shënojë nisjen e një tuneu pesëditor në shtatë shtete të ndryshme amerikane, me qëllim të rritjes së mbështetjes para zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhja e kandidatit për biletë presidenciale është ndër vendimet më të rëndësishme në karrierën politike të Harrisit, teksa ajo tenton të mposhtë kandidatin e republikanëve, ish-presidentin, Donald Trump dhe senatorin amerikan, J.D. Vance, të përzgjedhur prej Trumpit si kandidat për nënpresident.

Shapiro, 51 vjeç, është yll në rritje në parti dhe ka mbështetje të konsiderueshme në Pensilvani, shtet kyç për fitoren e një kandidati në zgjedhje.

Nëse Harris e zgjedh atë, Shapiro do të mund të bëhet hebreu i parë si nënpresident amerikan, derisa Harris synon të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në pozitën e presidentes së SHBA-së.

Walz, 60-vjeçar, ish-anëtar i Gardës Ushtarake Kombëtare dhe ish-mësues, e ka rritur secilën herë e më shumë emrin e tij në parti dhe së fundmi njihet për kritikat që u ka bërë Trumpit dhe Vances.

Kandidatët do të mësojnë të hënën në mbrëmje apo të martën në mëngjes së kë ka zgjedhur Harris.

Ajo ka nisur kërkimet rreth kandidatit për nënpresident vetëm dy javë më parë, pasi presidenti aktual, Joe Biden është tërhequr nga gara dhe ka mbështetur nënpresidenten për të vazhduar përpara./REL

Lini një Përgjigje