TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Shtator 2024, 10:44

"Ka nisur numërimi mbrapsht për Putinin", paralajmëron ish-gjenerali amerikan: Do të rrëzohet nga miqtë e tij oligarkë

Shkruar nga Pamfleti

"Ka nisur numërimi mbrapsht për Putinin", paralajmëron

Ish-gjenerali amerikan Ben Hodges tha se sundimi i Vladimir Putinit si president mund të ketë fund dramatik pasi miqve të tij oligarkë t’i mbarojnë paratë ‘cash’.

Ish-komandanti i ushtrisë amerikane gjeneral-lejtnant Ben Hodges u shpreh se si rusët e pasur që mbështesin Putinin mund të përfundojnë duke u kthyer kundër tiranit nëse ai refuzon të ndalojë luftën në Ukrainë.

Në fillim të pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të forta ndaj shumë prej këtyre oligarkëve.

Kjo i ndaloi atyre udhëtimet dhe asetet iu ngrinë, që do të thotë se shumë nga marrëveshjet e tyre ndërkombëtare të biznesit ranë.

Hodges thotë se këto sanksione, të cilat janë ende në fuqi sot, mund të jenë një faktor kyç në rrëzimin e Vladit pasi manjatët vazhdojnë të jenë të frustruar nga kufizimet.

“Në një moment oligarkët, rrethi i brendshëm, do të lodhen nga të gjitha kufizimet ndaj tyre, përfshirë edhe pasurinë”, u shpreh ai, duke shtuar “në një moment, ata do të thonë nuk mund t’i dërgojmë fëmijët në shkolla në Londër ose në Stanford”.

“Atëherë mendoj se diçka mund të ndodhë”, thekson ish-gjenerali.

Sanksionet ndaj oligarkëve u panë si një dredhi e zgjuar për të shtyrë disa prej tyre të shkojnë kundër Kremlinit. Shumë prej tyre u detyruan të luftojnë midis ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar dhe mbështetjes së mikut Putin ose dënimit të pushtimit dhe largimit nga Rusia.

Qindra zgjodhën të mbështesin luftën, ndërsa fshiheshin nga Perëndimi. Por pas më shumë se dy vjet e gjysmë që nga kufizimet, Putini vazhdon të kryejë sulme të përditshme në tokën ukrainase.

Hodges thotë se tani është koha për të mbajtur presionin mbi Rusinë dhe individët e saj të pasur dhe të fuqishëm.

“Ne duhet ta izolojmë Rusinë diplomatikisht, ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht nga pjesa tjetër e botës. Atëherë ne duhet t’i ndëshkojmë sa herë që bëjnë gjëra. Humbja e Rusisë duhet të jetë objektivi ynë strategjik, që do të thotë se ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta arritur atë”, shprehet ai.

Një mënyrë tjetër se si Hodges mendon se Putini mund të rrëzohet nga froni është përmes reagimit të qytetarëve.

Në mars, Putin doli fitues me 87 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale – duke e mbajtur atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030.

Por nëse besimi në udhëheqësin e tyre afatgjatë fillon të zbehet, atëherë ndryshimi mund të lindë shpejt.

“Ju nuk i shihni realisht protestat në rrugë në Rusi siç keni parë edhe në Minsk në Bjellorusi apo edhe në kryeqytetin e Iranit Teheran.

Ju nuk e shihni këtë në Rusi. Dhe unë mendoj se në një moment kjo do të ndryshojë”, shprehet ai.

Lini një Përgjigje