
Mesazhet “Për Moskën” dhe “Për Kremlinin” të shkruara në dronët rusë që u lëshuan ndaj Odesës, në Ukrainë gjatë natës, kanë bërë xhiron e botës.
Për ushtrinë ukrainase, ato ishin një referencë e qartë ndaj tentativës për vrasjen e presidentit rus Vladimir Putin, në të cilën Kievi mohon të ketë gisht.
Fotot e publikuara nga Komanda Jugore e Ukrainës shfaqin mesazhet e shkruara në dy dronë duke i përshkruar si “arsyen e dukshme të sulmit”. 15 drone Shahed-131/136 thuhet të jenë lëshuar drejt Odesës, 12 prej të cilëve u shkatërruan nga forcat ukrainase të mbrojtjes ajrore.
Tre të tjerët goditën konviktet e një institucioni arsimor. Përmes zëdhënësit John Kirby, Shtëpia e Bardhë reagoi së fundmi dhe ajo ndaj atyre që i cilësoi si “akuza qesharake të Moskës” se sulmin ndaj Kremlinit, e kishte orkestruar SHBA-ja.
Autoritetet ruse deklaruan një ditë më parë se gjatë sulmit të supozuar ndaj rezidencës së Presidentit Putinit, ishin përdorur dy dronë, të cilët arritën të asgjësohen nga mbrojtja elektronike e Kremlinit.
Moska u shpreh pas kësaj se gëzon tashmë të drejtën të hakmerret, një koment që sugjeronte se Rusia mund të përdorë incidentin e supozuar, si justifikim për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës së saj në Ukrainë.
Lini një Përgjigje