
Sulme ndaj stafit të OBSH-së, Izraeli përshkallëzon ofensivën tokësore, ndërsa popullsia civile e Gazës përballet me urinë dhe dhunën e armatosur...
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka denoncuar me forcë sulmet e ushtrisë izraelite në Deir al-Balah, Gaza, duke deklaruar se operacionet tokësore të Izraelit kanë dëmtuar rëndë aftësinë e saj për të vepruar në rajon. Në një deklaratë të ashpër, OBSH-ja raportoi se ndërtesa ku strehoheshin punonjësit e saj dhe familjet e tyre është sulmuar tre herë, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe duke shkaktuar trauma të rënda për fëmijët dhe gratë e pranishëm.
Njësitë izraelite kanë hyrë në objektin e OBSH-së, duke detyruar gratë dhe fëmijët të evakuohen në këmbë drejt jugut të Gazës, në zonën al-Mawasi, në mes të konfliktit aktiv. Sipas deklaratës, meshkujt u ndaluan, u lidhën dhe u morën në pyetje me armë në kokë. Një punonjës i OBSH-së vazhdon të mbahet i arrestuar.
Në sulmet e fundit, magazina kryesore e OBSH-së në Gaza u shkatërrua nga një shpërthim dhe më pas u plaçkit nga turma të dëshpëruara, duke paralizuar ndihmën humanitare dhe duke thelluar krizën shëndetësore dhe ushqimore për mbi 2 milionë njerëzit në Gaza.
OKB-ja paralajmëron se territori tashmë është drejt kolapsit humanitar. Mbi 87.8% e territorit të Gazës është nën urdhër evakuimi ose zona të militarizuara izraelite, duke lënë popullsinë të ngjeshur në një sipërfaqe vetëm 46 km². Ndërkohë, raportohet për vdekjen e 19 personave vetëm gjatë ditëve të fundit nga uria dhe kequshqyerja.
Izraeli nuk ka komentuar ende lidhur me sulmet ndaj OBSH-së, por media izraelite raportojnë se ofensiva në Deir al-Balah synon krijimin e një korridori për të izoluar grupet e Hamas-it në qendër të Gazës.
Operacioni i fundit izraelit vjen pas sulmit të Hamas-it në tetor 2023, ku mbetën të vrarë 1,200 izraelitë dhe u morën peng 251 të tjerë. Që atëherë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se kanë humbur jetën mbi 59 mijë palestinezë./Pamfleti

Lini një Përgjigje