
Ushtria izraelite ka ndërmarrë një sulm ajror ndaj aeroportit të Mashhadit, qyteti i tretë më i madh në Iran, i vendosur në verilindje të vendit.
Sulmi ndodhi në një distancë prej rreth 2.300 kilometrash nga Izraeli, duke u cilësuar si sulmi më i largët i kryer nga Tel Avivi që nga fillimi i operacioneve të tij në rajon.
Lajmi u bë i ditur nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) rreth orës 18:30 me orën e Greqisë, të cilat thanë se objektivi ishte një avion iranian furnizimi i pozicionuar në aeroportin e Mashhadit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, nga sulmi nuk ka pasur dëme në ndërtesat e aeroportit dhe as në pistën e uljes dhe ngritjes së avionëve. Megjithatë, disa burime të tjera mediatike brenda Iranit raportojnë për një sulm ajror në lindje të qytetit Mashhad, pa dhënë më shumë detaje mbi pasojat.
Mesazh i qartë nga Izraeli
Ushtria izraelite ka deklaruar se ky operacion është pjesë e një strategjie më të gjerë për të kontrolluar hapësirën ajrore iraniane.
“Forcat Ajrore po punojnë për të arritur epërsi ajrore në të gjithë Iranin”, thuhet në deklaratën zyrtare të IDF.
Ndërkohë, një tjetër kompani ajrore ka anuluar fluturimet për në Izrael, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit. Kompania ajrore Etihad Airways ka anuluar fluturimet midis Abu Dhabit dhe Tel Avivit deri më 22 qershor, njoftoi sot kompania.
“Kjo mbetet një situatë në zhvillim e sipër dhe mund të priten disa ndërprerje dhe vonesa në ditët në vijim”, tha ajo në një deklaratë.
Kjo vjen pas një sërë linjash ajrore të tjera që kanë anuluar fluturimet. Kompania ajrore izraelite "El Al" tha se po i zhvendos aeroplanët e saj nga Izraeli në pritje të sulmeve iraniane në aeroportin Ben Gurion.
Kompania ajrore "Aegean Airlines" njoftoi se po pezullon të gjitha fluturimet për në dhe nga Tel Avivi.
Emirates Airlines tha se disa fluturime u anuluan “për shkak të situatës aktuale”. Edhe pse fillimisht avionit nuk mund të fluturonin mbi disa pjesë të Lindjes së Mesme, Siria i është bashkuar Jordanisë dhe Libanit në rihapjen e hapësirës ajrore sot.
Lini një Përgjigje