Ata që kërkojnë paqen me çdo kusht e në mënyrë të pashmangshme, përfundojnë duke u zhytur në luftë...
Qasja tradicionale ndaj Iranit është e gabuar. Përballë agresionit të Teheranit, ne kemi nevojë për një përshkallëzim të arsyeshëm, të kontrolluar nga fuqitë perëndimore, dhe jo për më shumë zbutje të qëndrimeve tona, për iluzione apo sjellje frikacake si ato që kemi shfaqur ditët e fundit.
Regjimi iranian duhet të ndëshkohet për luftë-nxitjen e tij, dhe jo tolerohet nga një tufë injorantësh perëndimorë që e ngatërrojnë dobësinë me virtytin. Nëse Joe Biden do të ishte një president serioz, ai do të deklaronte se mullahët në Teheran e kanë kaluar “vijën e kuqe”, se ata janë një kërcënim ekzistencial për kombet e qytetëruara.
Ai do të deklaronte se ‘mjaft është mjaft’, se asnjë vend nuk mund të qëllojë me qindra dronë dhe raketa mbi një nga fqinjët e tij pa u ndëshkuar, se asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë të financojë terrorizmin, përdhunimet, torturat dhe vrasjet në shkallë industriale. Ai do ta kuptonte nevojën për të frenuar shtetet e tjera diktatoriale përmes shfaqjes së forcës.
Po ashtu, Biden do të deklaronte se regjimi iranian duhet të trajtohet si shtet i përbuzur në arenën globale, se duhet të asgjësohen të gjithë përfaqësuesit e tij dhe mbi të gjitha se Irani nuk do të lejohet të arrijë afër pragut të prodhimit të armëve bërthamore. Presidenti amerikan do të krijonte një koalicion, duke përfshirë sa më shumë fqinjë arabë të Iranit.
Ai do të vendoste sanksione ekstreme ndaj Teheranit. Do të lejonte që Izraeli të shkatërronte plotësisht Hamasin dhe do të ndihmonte në goditjen e Hezbollahut. Nëse do të dështonte gjithçka tjetër, ai do të përdorte fuqinë ushtarake për të shkatërruar instalimet bërthamore të Iranit, ashtu siç Izraeli bombardoi reaktorin Osirak në Irak në vitin 1981 dhe bazë Al-Kibar në Siri në vitin 2007.
Ai nuk do të pushtonte Iranin apo të impononte ndryshimin e regjimit. Sepse kjo i takon popullit të shumëvuajtur të Iranit. Por ai do të frenonte dhe neutralizonte një nga lojtarët kryesorë në “boshtin e së keqes” dhe do ta bënte botën një vend më të sigurt.
Në botën reale, në lidhje me Iranin dhe përfaqësuesit e tij, SHBA dhe Britania i përmbahen një politike qetësuese. Edhe pse kjo strategji nuk ia doli të frenonte fuqitë fashiste e imperialiste në vitet 1930. Dhe do të dështojë njëlloj edhe tani. Kjo nuk është as një taktikë për të blerë kohë, ndërkohë po vihet në zbatim një plan: politikanët tanë, po luten që kriza e sotme të zgjidhet disi vetë.
Në fakt kjo gjë nuk do të ndodhë. Refuzimi i Perëndimit për t'u përballur me realitetin, nënkupton se ka gjithnjë e më shumë gjasa që Irani të arrijë në fund të pajiset me armët e tij bërthamore dhe me shumë mundësi t’i përdorë ato kundër Izraelit, vetë një fuqi bërthamore.
Kështu bota po ecën drejt një Lufte të Tretë Botërore me 3 ose 4 palë, që përfshin Iranin, Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut: sot Republika Islamike është hallka më e dobët, dhe më pak e vështirë për t’u përballur nëse do të ndjenim nevojën për të vepruar.
Në vend të kësaj, sistemi i mbrojtjes ajrore Iron Dome (Kupola e Hekurt) ia bën më të lehtë Perëndimit të mbyllë njërin sy ndaj tentativave të pafundme të krimeve të luftës nga përfaqësuesit e Iranit. Nëse një raketë e financuar nga Irani e lëshuar kundër objektivave civile izraelite kapet dhe nuk vret askënd, ne mund të pretendojmë se kjo ngjarje nuk ka ndodhur kurrë.
Nëse Izraeli sulmon raketat dhe vret disa luftëtarë të Hamasit, Tel Avivi mund të fajësohet për një “përgjigje disproporcionale”, dhe të demonizohet si agresori i vërtetë, duke ia bërë edhe më të lehtë Perëndimit që të minimizojë agresionin iranian. Pra jemi në një situatë kafkiane, ku nuk kanë rëndësi veprimet dhe qëllimet.
Kjo çmenduri u shty në ekstreme të reja këtë javë. Në atë që normalisht do të konsiderohej një akt historik lufte, Irani lëshoi qindra raketa balistike mbi Izraelin. Megjithatë, për shkak se 99 për qind e tyre u rrëzuan, qëndrimi zyrtar është se sulmi duhet të ketë qenë thjesht “performues” dhe mund të lihet në harresë.
Vetë Teherani paralajmëroi vende të ndryshme se ishte gati të sulmonte, dhe jo vetëm sepse do të shkelte hapësirën e tyre ajrore. Por t’i thuash dikujt paraprakisht se do të përpiqesh t’i vrasësh nuk është mbrojtje. Ndërkaq shumë analistë pretendojnë se akti i luftës i Iranit ishte thjesht “hakmarrje”, dhe se izraelitët e nisën të parët kur bombarduan një ndërtesë pranë konsullatës siriane të Iranit, në shkelje të rregullave ndërkombëtare.
E vërteta është se viktimat ishin figura kryesore në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC, një organizatë e listuar me të drejtë si terroriste nga SHBA, por jo nga Mbretëria e Bashkuar), dhe asnjë diplomat nuk u dëmtua. Sidoqoftë, Irani ka vite që është në luftë me Izraelin.
Përshkallëzimi i vërtetë ndodhi më 7 tetor 2023. Por Irani dhe Hezbollahu qëndronin pas sulmit me bombë në ambasadës izraelite në Argjentinë në vitet 1990, siç e konfirmoi këtë javë një gjykatë. E megjithatë, perëndimorët e gjejnë më të përshtatshme të besojnë narrativën e rreme të Iranit.
Ata e udhëzojnë Izraelin që të kthejë faqen tjetër, se çështja duhet të mbyllet, që siç tha Cameron duhet “të mendojë me kokë dhe zemër”, apo sipas Biden duhet të “arrijë fitoren”. Por që kur një sulm me raketa balistike, diçka që nuk i ka ndodhur kurrë asnjë vendi perëndimor, mund të konsiderohet një “fitore”?
Izraeli do të kritikohet për “përshkallëzim” kur të zgjedhë të kundërpërgjigjet. Do të ketë më shumë fajësim, akuza për standarde të dyfishta, rishkrim të historisë, rregulla të veçanta që vlejnë vetëm për Izraelin, dhe akoma më shumë normalizim të sjelljes ekstreme ndaj shtetit të vetëm hebre.
Dhe që të gjitha me qëllim që Perëndimi të arrijë të shmangë veprimet kundër Iranit. Që kur u zgjodh “strategjia” e Biden ka qenë afrimi me Teheranin. Ai i dha miliarda dollarë në formën e pagesës së shpërblimit për disa të burgosur amerikanë.
Ai e vazhdoi pezullimin e disa sanksioneve që i lejonin regjimit iranian të arkëtojë rreth 10 miliardë dollarësh nga shitja e energjisë elektrike në Irak. Ai ka lejuar që prodhimi i naftës i Iranit të rritet në nivelin më të lartë në 5 vjet e gjysmë, duke dështuar në zbatimin e duhur të regjimit të sanksioneve dhe duke lejuar shitjet e naftës iraniane në Kinë.
Për momentin ndaj regjimit nuk ka mbetur në këmbë asnjë pengesë: Irani mund të bëjë gjithçka që dëshiron, dhe madje mund të llogarisë që Biden të ushtrojë presion mbi Izraelin për të mos u kundërpërgjigjur ndaj sulmeve masive të 13 prillit.
Amerika nuk ka ndonjë plan afatgjatë kuptimplotë për të kontrolluar Teheranin, apo për të shkatërruar Hamasin, Huthit apo Hezbollahun. Apo për të spastruar territoret palestineze me synim që me kalimin e kohës, atje të shfaqet një udhëheqje e re, e gatshme të njohë ekzistencën e Izraelit, dhe për t’i hapur rrugën një zgjidhje të qëndrueshme me krijimin e 2 shteteve.
Ajo vazhdon të fshehë kokën në rërë si struci. Mesazhi që i dërgohet çdo diktatori tjetër me këtë sjellje është se Perëndimi është aq i dëshpëruar për të shmangur çdo konfrontim të mëtejshëm, saqë do të mbyllë njërin sy për thuajse çdo gjë. Megjithatë, ata që kërkojnë paqen me çdo kusht në mënyrë të pashmangshme, përfundojnë duke u zhytur në luftë./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje