
Persona të armatosur kanë hipur në një cisternë që transporton produkte kimike në Gjirin e Adenit, pranë brigjeve jugore të Jemenit, ndërsa burime të sigurisë detare i thanë Reuters se dyshohet se anija është rrëmbyer.
Sipas burimeve, sulmuesit kanë marrë nën kontroll cisternën Asana, e cila kishte sinjalizuar se destinacioni i saj ishte Bosaso, në Somali. Ngjarja vjen pasi Qendra e Operacioneve Tregtare Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) njoftoi për një "ngjitje të paligjshme në anije" pranë brigjeve të Jemenit.
Deri tani nuk është e qartë se kush qëndron pas incidentit. Megjithatë, zhvillimi ndodh në një moment tensionesh të larta në rajon, pasi Reuters raportoi një ditë më parë, duke cituar tre burime, se Irani u ka kërkuar aleatëve të tij Huthi në Jemen të jenë të përgatitur për të mbyllur ngushticën Bab al-Mandeb, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin sulme ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.
UKMTO WARNING 090-26 - ILLEGAL BOARDING
— UKMTO Operations Centre (@UK_MTO) July 17, 2026
Click here to view the full warning.⤵️https://t.co/DrymtioboP#MaritimeSecurity #MarSec pic.twitter.com/Ab5vdnmqI4
Një burim pranë rebelëve Huthi tha për Reuters se grupi ka përfunduar përgatitjet për të sulmuar anijet, duke vendosur raketa dhe dronë pranë rrugës ujore të Bab al-Mandeb.
Pse është kaq e rëndësishme ngushtica Bab al-Mandeb?
Ngushtica Bab al-Mandeb lidh Detin e Kuq me Detin Arabik dhe shërben si porta hyrëse drejt Kanalit të Suezit, një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë botërore.

E njohur edhe si "Porta e Lotëve", për shkak të kushteve të vështira të lundrimit, ajo kufizohet me Jemenin, ku veprojnë rebelët Huthi, aleatë të Iranit.
Bab al-Mandeb konsiderohet një nga pikat më strategjike të transportit detar në botë, pasi përmes saj kalojnë ngarkesa të mëdha mallrash dhe nafte bruto nga vendet e Gjirit drejt Mesdheut dhe tregjeve evropiane.
Ngushtica ka një gjerësi prej rreth 20 miljesh. Rreth 25% e tregtisë globale të kontejnerëve kalon përmes saj në rrugën drejt ose nga Kanali i Suezit. Përmes Kanalit të Suezit kalon zakonisht rreth 12% e tregtisë botërore.
Ekspertët paralajmërojnë se një ndërprerje e lundrimit në Bab al-Mandeb do të rëndonte më tej situatën në tregjet globale të energjisë dhe zinxhirët e furnizimit, në një kohë kur trafiku në Ngushticën e Hormuzit tashmë është prekur rëndë nga tensionet mes Iranit dhe SHBA-së.
Lini një Përgjigje