
Evropa po përjeton një krizë strukturore që e mban të mbërthyer në logjikën e shekullit të kaluar, duke e penguar të mbajë ritmin me dy superfuqitë e sotme: SHBA-në dhe Kinën. Pa një transformim rrënjësor, kontinenti rrezikon të mbetet në periferinë e historisë. Megjithatë, teknologjitë e reja nga Inteligjenca Artificiale tek energjia e pastër mbeten e vetmja rrugëdalje drejt një epoke të re.
Rënia ekonomike, polarizimi politik dhe kriza e demokracive liberale mund të ngjajnë si skenarë të një romani distopian, por ato përbëjnë realitetin tonë të përditshëm. Wolfgang Münchau, një nga analistët më të mprehtë të ekonomisë globale dhe kolumnist historik i “Financial Times”, nuk ofron premtime optimiste të lehta.
Ai e ka ndërtuar reputacionin e tij mbi aftësinë për t’u përballur me realitetin ashtu siç është, pa frikë nga gjykimet negative. Sipas tij, nëse kjo krizë do të zgjidhet, kjo nuk do të ndodhë falë vullnetit të qeverive aktuale, por falë inovacionit teknologjik.
Inovacioni është “filli i kuq” që përcakton se kush do të ngrihet dhe kush do të bjerë. Është pikërisht ai që e transformoi Kinën në një superfuqi, e mban SHBA-në në krye të hierarkisë globale dhe që po i rrëshqet nga duart një Evrope të mbetur ende peng i modeleve që nuk rigjenerohen dot.
Cilët janë faktorët kryesorë politikë, ekonomikë dhe teknologjikë që po formësojnë të ardhmen tonë?
Inovacioni teknologjik është padyshim në zemër të gjithçkaje. Ai nuk është thjesht një mjet pune, por masa e vërtetë e fuqisë së një shteti. Shihni shembullin e Kinës: fuqia e saj në dekadat e fundit nuk u ndërtua mbi dominimin ushtarako-diplomatik si ai i SHBA-së, por mbi inovacionin industrial dhe teknologjik.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë arritur të ruajnë lidershipin global përmes ekosistemit të tyre teknologjik, Bashkimi Evropian ka dështuar të bëjë të njëjtën gjë. Ne kemi mbetur të bllokuar për një kohë shumë të gjatë në teknologjitë e shekullit XX-të, ndërkohë që bota po ndahet në dy pole nxitëse të inovacionit.
Personalisht, e konsideroj inovacionin më të rëndësishëm se fuqinë ushtarake, sepse ai përcakton suksesin e qëndrueshëm të një qytetërimi.
Pse ekonomitë perëndimore po përjetojnë këtë ngecje, ndërsa tregjet e reja po rriten?
Nuk është një paradoks, por fundi i një modeli ekonomik që funksionoi gjatë, por që tani ka pushuar së ekzistuari. Modeli ynë evropian bazohej te tepricat industriale dhe zgjerimi i eksporteve tradicionale. Por bota ka ndryshuar rrënjësisht.
Ndikimi i vërtetë i Kinës nuk ishte “marrja” e industrive tona, por krijimi i industrive të reja që na tejkalojnë jo vetëm në kosto, por edhe në cilësi. Ne nuk kemi qenë në gjendje të ndërtojmë modele të reja zhvillimi sepse sistemet tona janë të ngurta dhe i tremben atij që Jozef Shumpeter e quajti “shkatërrim krijues”. Pa fleksibilitet dhe pa rishpikje të vetvetes, rënia është e pashmangshme.
Si mund të dalin vendet perëndimore nga ky ngërç strukturor?
Rënia do të vazhdojë për aq kohë sa ne do të mbetemi kaq të ngurtë në raport me sfidat që kemi përpara. Sigurisht, mund të ketë ndryshime nëse qeveritë vendosin të bëjnë sakrifica dhe të kryejnë reforma të dhimbshme strukturore: rritjen e moshës së pensionit, rritjen e orëve të punës, reformimin e thellë të arsimit dhe integrimin e plotë të sistemeve financiare.
Gjithçka është teorikisht e mundur, por kjo do të kërkonte një radikalizëm politik që
nuk ekziston aktualisht në Evropë. Prandaj, në një periudhë afatshkurtër unë nuk pres ndryshime, edhe pse nuk e përjashtoj mundësinë e një kthese të madhe në një periudhë afatgjatë, atëherë kur kriza të bëhet e papërballueshme.
A janë dukuri kalimtare populizmat dhe kriza e demokracisë?
Për fat të keq, jo. Ato janë simptoma të një ndryshimi strukturor. Kur Donald Trump u zgjodh herën e parë president, shumë njerëz menduan se pas ikjes së tij gjithçka do të kthehej në “normalitet” me Bajdenin. Në fakt, asgjë nuk u kthye si më parë.
Transformimet që solli ai - nga tarifat tregtare tek qasja ndaj sigurisë transatlantike - përfaqësojnë një ndryshim të madh në kulturën politike amerikane. E njëjta gjë vlen për ngritjen e Kinës dhe ndryshimet klimatike. Ajo që kemi parë dekadën e fundit nuk është një anomali, por “normaliteti i ri”, i cili do të zgjasë për shumë kohë.
Sa do të ndikojë Inteligjenca Artificiale (IA) në këtë revolucion të ri industrial?
Inteligjenca Artificiale do ta ndryshojë rrënjësisht natyrën e prodhimit, duke krijuar nivele efikasiteti që më parë ishin të paimagjinueshme. Ajo do t’i bëjë tregjet “më të sheshta” dhe po ashtu do ta bëjë më të vështirë ruajtjen e monopoleve tradicionale perëndimore.
Ne priremi ta mbivlerësojmë shpejtësinë e saj të menjëhershme, por e nënvlerësojmë ndikimin e saj kumulativ. Sot shohim vetëm mjete si ChatGPT që na ndihmojnë në detyra specifike. Por revolucioni i vërtetë do të vijë kur IA të integrohet me të dhënat e mëdha (Big Data) dhe informatikën kuantike. Kjo do të sjellë një rritje të madhe të produktivitetit, e cila do të ndryshojë balancën e fuqisë globale.
Cilat janë gabimet kryesore fiskale dhe politike të qeverive perëndimore?
Aktualisht po shohim një ndërveprim toksik midis borxhit të lartë publik dhe produktivitetit të ndenjur. Franca, Italia, Britania dhe tashmë edhe Gjermania po përballen me të njëjtin problem: shpenzime publike që janë përtej mundësive të tyre.
Shumë forca politike e reduktojnë debatin tek pyetja “Kë të taksojmë?” apo “Kë të ndihmojmë?”, duke harruar se pa një rritje të produktivitetit, çdo sistem rishpërndarjeje do të dështojë herët a vonë. Zgjidhja e kësaj sfide kërkon investime të mëdha dhe reforma që e prishin ekuilibrin e tanishëm negativ. Por aktualisht ky vizion mungon plotësisht në kontinentin tonë.
Cili skenar është më i mundshëm për njerëzimin deri në vitin 2050?
Mendoj se konflikti është shumë i mundshëm. Nuk shoh një të ardhme me paqe të qëndrueshme universale. Do të jetojmë në një bipolaritet të ri mes SHBA-së dhe Kinës. Evropa, ashtu si Argjentina në shekullin e kaluar, mund të pësojë një rënie të ngadaltë që zgjat dekada.
Nuk besoj të përjetojmë një luftë botërore klasike, por një përhapje të konflikteve rajonale dhe fragmentare. Është një botë e paqëndrueshme, ku mbrojtja e vjetër amerikane nuk është më e garantuar dhe ku çdo rajon duhet të gjejë forcën për t’u vetëshpikur. /Përshtati "Pamfleti", marrë nga "Linkiesta"
Perzini sllavet qe jane kelyshet e ruseve e Europa do ia kaloje te gjitheve.