TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Mars 2025, 21:27

Injoranca e dyshes Trump-Vance po e merr më qafë Perëndimin

Shkruar nga Ben Wallace

Injoranca e dyshes Trump-Vance po e merr më qafë Perëndimin

Në botën e presidentit të SHBA-së dhe zëvendësit të tij, faktet janë trillime dhe trillimet janë fakte...

Më lejoni t’u pikturoj vizionin e një epoke të re. Donald Trump dhe J.D.Vance, e kanë me gjithë mend në gjithçka që thonë. Ata e besojnë vërtet se Rusia nuk është një kërcënim. Ata janë sinqerisht të bindur se SHBA-ja duhet të largohet nga NATO, dhe duan në një mënyrë a tjetrën që ta marrin Grenlandën nga Danimarka.

Për ta, në këtë botë kanë peshë vetëm fuqi si Kina, Rusia dhe SHBA-ja. Britania trajtohet si një përjashtim i çuditshëm nga Evropa. Sovraniteti i të tjerëve s’ka fare rëndësi. Dhe mund të kenë drejtë. Shtypja e kundërshtarëve politikë, gjyqtarëve dhe medias së lirë, është më se e pranueshme në kauzën “Amerika e Para”.

Në botën e dyshes Trump-Vance, faktet janë trillime dhe trillimet janë fakte. Vladimir Putin dhe Donald Trump, janë gati të nënshkruajnë një marrëveshje për nxjerrjen e mineraleve në rajonin e pushtuar ukrainas Donetsk. Të dhënat e shërbimeve sekrete, nuk po ndahen më me Britaninë dhe miqtë e saj, në kuadër të grupimit Five Eyes, por me armiqtë tanë.

SHBA-ja do tërhiqet nga bazat evropiane. Amerika e Para do të thotë “shpagim”. Simpatizantët e MAGA-s besojnë çdo lajm të rremë nga Tucker Carlson, Alex Jones dhe platforma të shumta të mediave sociale. Pyesni pak veten: Nëse Amerika mbyllet në vetvete, kush do të përfitojë?

Kush do të brohorasë për shkatërrimin e NATO-s? Unë ju siguroj se nga kjo s’do të përfitojnë punonjësit e thjeshtë në SHBA, dhe askush tjetër në Perëndim. Përfituesit e vërtetë janë Rusia, Kina dhe ekstremistët në mbarë botën që e kanë parë për dekada SHBA-në si objektivin e tyre n.1.

Pra në shënjestrën e tyre nuk është Evropa por “Xha Semi”. Putin, një njeri që e ka kaluar tërë jetën e tij duke e luftuar Perëndimin, nuk ka vendosur befas se Donald Trump është shoku i tij i ri më i mirë. As ai dhe rrethi i tij i ngushtë, nuk e kanë harruar etjen e tyre për hakmarrje për 30 vite poshtërim pas humbjes së Bashkimit Sovjetik.

Për më shumë se një dekadë, Rusia ka nxitur ndarjet që ne po shohim të ndodhin sot. Gjatë trazirave të lëvizjes “Black Lives Matter” në vitit 2020, qendra ruse të manipulimit i zmadhuan qëllimisht të dy ekstremet e debatit në mediat sociale. Ndarja ishte ajo që inkurajuan, dhe ajo që ata arritën.

Përtej një oqeani tjetër, Kina do të jetë e gëzuar nga shpërbërja e mundshme e rendit të vjetër botëror. Të gjitha gjërat që e bënë Amerikën të madhe, dhe të pasur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, janë potencialisht në prag të zhdukjes. Tashmë Pekini nuk ka shumë pengesa për një sulm të shpejtë në Ngushticën e Tajvanit.

Unë nuk e di nëse do të realizohet skenari më i keq. Të gjithë duhet të shpresojmë që kjo gjë të mos ndodhë. Ndoshta Trump e kupton se të gjithë do të humbin, nëse “Amerika e Para” është vetëm një frazë tjetër për izolacionizmin. Etiketimi i të gjithë miqve si “pasagjerë që s’kanë paguar biletën e udhëtimit” dhe kërkesa për “shlyerjen e borxheve” po krijon të çara midis aleatëve, të cilat do të jetë e vështirë të mbyllen.

Po ashtu, shpresoj që ne në këtë anë të Atlantikut, të mos e harrojmë se Amerika është më shumë se sa presidenti i radhës, dhe sado e dhimbshme është të dëgjosh sulme të tilla të nxitura nga padija e J.D.Vance, nuk është ajo që mendojnë shumica e amerikanëve. Gjithsesi këto janë kohë shqetësuese.

Shumë larg kohës së Reagan dhe Thatcher. Rreziku për të gjithë ne, është se banorët e rinj të Zyrës Ovale nuk janë shumë të informuar. Deklaratat e J.D.Vance janë tejet të pasakta dhe tregojnë se ai beson gjithçka që lexon në mediat sociale.

Kohët e fundit, një miliarder amerikan në fushën e teknologjisë më tha se Britania dhe SHBA-ja s’do të kenë një marrëdhënie speciale pasi “ne po përpiqemi të rregullojmë mediat sociale”. U përgjigja duke i thënë se ishte refuzimi i platformave të mediave sociale amerikane si Twitter për të ndihmuar autoritetet britanike kur isha ministër, ai që çoi në rekrutime të mëdha nga ISIS dhe Al Kaeda.

Ironia është se vetë platformat e mediave sociale që MAGA kërkon të përdorë për ta bërë Amerikën të madhe, janë në fakt platformat që e bëjnë atë më të dobët dhe të ndarë. Në vend se ta dëmtojë politikën e qeverisë së tij, ndoshta Peter Mandelson mund të ndihmonte në ndriçimin e MAGA-s dhe disa prej zyrtarëve në administratën e re mbi faktet e vërteta.

Kjo është një detyrë shumë e rëndësishme, që duhet kryer në prapaskenë dhe jo në ekranet televizive të Amerikës. Unë besoj se ndërsa shumë prej nesh kanë ende lirinë për të shprehur zemërimin mbi atë që po i bën Donald Trump miqësive tona, Keir Starmer ka të drejtë që po përdor një qasje më të butë.

Trump 2.0 duhet të edukohet butësisht dhe jo të qortohet. Tani le ta gjykojmë për veprimet e tij dhe jo për deklaratat e guximshme që shënojnë gjithmonë fillimin e punës se çdo qeverie. Duhet të shpresojmë për më të mirën, por edhe të përgatitemi për më të keqen./Përshtati "Pamfleti" nga “Daily Telegraph”

*Shënim: Ben Wallace, ish-Ministër i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe në qeverinë e Boris Johnson.

Lini një Përgjigje