TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Shkurt 2024, 16:48

I vranë të atin pasi doli kundër Putinit, vajza e politikanit rus: I trembet më shumë Navalnyt të vdekur sesa të gjallë

Shkruar nga Pamfleti

I vranë të atin pasi doli kundër Putinit, vajza e politikanit

Vajza e politikanit rus Boris Nemtsov, kritik i hapur i presidentit Vladimir Putin ka hedhur akuza ndaj Rusisë se po e trajton në mënyrën më të tmerrshme, çnjerëzore dhe monstruoze trupin e liderit opozitar, Alexei Navalny.

Ajo thekson se kjo tregon frikën e presidentit Putin ndaj trashëgimisë së Navalnyt.

“Vladimir Putin i frikësohet trupit të vdekur të Navalnyt më shumë sesa Navalnyt të gjallë”, tha Zhenna Nemtsova për Current Time, një javë pasi autoritetet ruse njoftuan se Navalny vdiq pasi i humbi ndjenjat në një burg në Arktik.

"Ky regjim do të pendohet seriozisht për atë që ka bërë”, tha politikani i opozitës ruse, Aleksei Navalny, në vitin 2019.

Babai i Nemtsovës ishte një politikan i njohur që u bë kritik i zëshëm i Putinit i cili, sikurse Navalny, nxirrte raporte të hollësishme për korrupsionin, para se të vritej.

Boris Nemtsov u qëllua me armë për vdekje në një urë pranë Kremlinit në Moskë në shkurt 2015, pak javë pasi shprehu publikisht frikën se Putini mund ta vriste.

Nemtsova tha se televizioni shtetëror rus fillimisht e “mbuloi ngjarjen e babait tim në mënyrë shumë të favorshme, por gjithçka ndryshoi...kur ndodhi varrimi” i cili dëshmoi popullaritetin e babait të saj, pasi dhjetëra mijëra rusë morën pjesë në ceremoninë e varrimit.

Si pasojë, autoritetet ruse bënë thirrje kundër mbajtjes së zisë për Nemtsovin dhe i injoruan ngacmimet e simpatizantëve të Nemtsovit nga ultranacionalistët.

“Ata e kuptojnë se e njëjta do të ndodhë edhe me Alexei Navalny”, nëse lejohen momerialet publike, tha Nemtsova.

Rusia e ka shtuar përdorimin e mjeteve si, emërtimet “agjentët e huaj” dhe “të padëshirueshëm”, përveç rrahjeve brutale dhe arrestimeve, për ta minimizuar kundërshtimin publik.

Policia ruse arrestoi qindra njerëz në gjithë vendin pas vdekjes së Navalnyt dhe me shpejtësi i largoi të gjitha memorialet e improvizuara të cilat u vendosën nga qytetarët në dhjetëra qytete.

E veja e Navalnyt dhe nëna e tij e kanë akuzuar Putinin për vdekjen e tij, siç kanë bërë edhe presidenti amerikan Joe Biden dhe disa zyrtarë të tjerë perëndimorë.

Zyrtarët rusë kanë mohuar se janë përgjegjës për vdekjen e tij, por mbajnë ende trupin e liderit opozitar dhe raportohet se kanë kërkuar varrim privat, para se ti dorëzojnë trupin të ëmës.

“Besoj se Alexei u vra me urdhër të Putinit, dhe ata kanë frikë se në prag të zgjedhjeve, qindra mijëra njerëz do të shkojnë për t’i dhënë lamtumirë Alexeit”, u shpreh Nemtsova.

 

Lini një Përgjigje