
Valët e para të cunamit kanë filluar të godasin Ishujt Marquesas në Polinezinë Franceze, rreth 10 mijë kilometra larg epiqendrës së tërmetit 8.8 ballë të regjistruar në brigjet e Lindjes së Largët të Rusisë.
Autoritetet franceze raportuan se valët aktualisht janë 1.1 deri në 2.5 metra të larta, më të ulëta se parashikimet fillestare që flisnin për 4 metra. Valët më të larta pritet të vijnë në orët në vijim.
Në Ishujt Galapagos të Ekuadorit, autoritetet kanë mbyllur përkohësisht të gjitha sitet turistike për shkak të mundësisë së goditjes nga cunami, ndërsa paralajmërimet tregojnë se valët mund të arrijnë deri në 1.5 metra.
Në bregdetin perëndimor të SHBA-së, një pjesë e Kalifornisë ka dalë nga alarmi për cunami. Paralajmërimet janë hequr për zonën e Los Anxhelosit, por mbeten në fuqi për San Franciskon dhe pjesën veriore të shtetit, nga kufiri me Meksikën deri në Rincon Point.
Autoritetet vazhdojnë të ndjekin situatën me kujdes, ndërsa ekspertët theksojnë se rreziku mbetet i pranishëm në disa rajone të Paqësorit për shkak të lëkundjeve pasuese dhe mundësisë së valëve të tjera.
Lini një Përgjigje