Muajin e kaluar, gazetarja e Washington Post, Hannah Natanson, shkroi një artikull në vetën e parë rreth vitit të saj të gjatë si “ pëshpëritëse e qeverisë federale”, duke marrë këshilla nga qindra punonjës federalë të prekur nga transformimi i qeverisë nga Presidenti Donald Trump.
Të mërkurën në mëngjes, agjentët e FBI-së mbërritën në shtëpinë e Natanson dhe ekzekutuan një urdhër kontrolli, tha një person i njohur me çështjen për CNN. U sekuestruan një telefon dhe dy kompjuterë.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi pretendoi në një postim në X se Natanson po “merrte dhe raportonte informacione të klasifikuara dhe të rrjedhura në mënyrë të paligjshme nga një kontraktor i Pentagonit”.
Gazeta Post nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm ndaj akuzës së Bondit. Më parë, një zëdhënës i Post tha se botimi po e monitoronte situatën.
Kërkimi tejet i pazakontë menjëherë shkaktoi alarm midis mbrojtësve të lirisë së shtypit.
“Kontrollet e redaksive dhe gazetarëve janë shenja dalluese të regjimeve joliberale dhe ne duhet të sigurohemi që këto praktika të mos normalizohen këtu”, tha Jameel Jaffer, drejtor ekzekutiv i Institutit të Amendamentit të Parë Knight.
Natansonit iu tha se ajo nuk është shënjestër e hetimit, sipas personit të njohur me çështjen.
Në vend të kësaj, duket se lidhet me një hetim të vazhdueshëm të një kontraktori qeveritar në Maryland.
Sipas artikullit të Post , “urdhëri thoshte se forcat e rendit po hetonin Aurelio Perez-Lugones, një administrator sistemi në Maryland, i cili ka një autorizim sigurie tepër sekret dhe është akuzuar për akses dhe marrje në shtëpi të raporteve të klasifikuara të inteligjencës që u gjetën në kutinë e tij të drekës dhe në bodrumin e tij, sipas një deklarate të FBI-së me betim”.
Perez-Lugones u akuzua javën e kaluar për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, sipas një deklarate federale me betim.
Bondi nuk përmendi ndonjë individ specifik në deklaratën e saj, por tha se “personi që publikoi informacionin është aktualisht pas hekurave”.
Ajo tha se kontrolli i shtëpisë së Natanson ishte “me kërkesë të Departamentit të Luftës”, duke përdorur emrin e preferuar të administratës Trump për Departamentin e Mbrojtjes.
Liria si rrobë e vjetruar po hidhet në kosh, forca e dhunshme në policinë. Kohë e keqe për lirinë dhe të vërtetën.