TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2025, 08:05

Tërmeti me mbi 1700 të vdekur në Mianmar, OKB bën apel: Nevojiten urgjentisht 8 milionë dollarë ndihma!

Shkruar nga Pamfleti

Tërmeti me mbi 1700 të vdekur në Mianmar, OKB bën apel:

OBSH ka bërë një apel urgjent për 8 milionë dollarë në ndihmë për popullin e Mianmarit, që u prek nga tërmeti shkatërrues më 28 Mars. Gati 72 orë pas tërmetit me magnitudë 7.7, autoritetet vendase kanë konfirmuar 1700 të vdekur dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur. 

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ka aktivizuar "nivelin më të lartë të urgjencës" dhe ka theksuar se janë të nevojshme donacione për të ofruar kujdes urgjent për traumën, për të parandaluar shpërthimet e sëmundjeve dhe për të rikthyer shërbimet shëndetësore esenciale gjatë 30 ditëve të ardhshme.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) bënë gjithashtu thirrje për ndihma humanitare. 

"Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi, është një krizë komplekse humanitare e shtresuar mbi dobësitë ekzistuese. Ky tërmet përkeqëson një situatë tashmë të brishtë. Komuniteti global duhet të mbështesë një përgjigje të guximshme dhe të qëndrueshme", tha drejtori i IFRC Azi-Paqësor, Alexander Matheou.

Mianmari ka qenë në luftë civile që kur ushtria e tij rrëzoi qeverinë civile në një grusht shteti në vitin 2021. Menjëherë pas tërmetit të së premtes, junta thuhet se vazhdoi sulmet ajrore.

Lini një Përgjigje