
Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka thënë se po strehohet në një "vend të sigurt" pas një atentati ndaj jetës së tij, pas javësh protestash që kërkonin dorëheqjen e tij.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë drejtuar kombit përmes rrejeteve sociale, Rajoelina, 51 vjeç, tha se "një grup personeli ushtarak dhe politikanësh planifikuan të më vrisnin".
Ai nuk e zbuloi vendndodhjen e tij, por raportet e pakonfirmuara më parë sugjeronin se ai ishte larguar nga vendi me një avion ushtarak francez.
Kjo vjen pas dy javësh protestash mbarëkombëtare, të udhëhequra kryesisht nga demonstrues të rinj, që synojnë rrëzimin e tij nga pushteti.
Përpjekjet e dështuara të Rajoelinës për të qetësuar protestuesit e rinj, të quajtur "Gjenerata Z Mada" - bënë që presidenti të rrëzonte të gjithë qeverinë e tij dhe të bënte lëshime të tjera, por pa sukses.
Ai nuk është parë që nga e mërkura dhe në fundjavë zyra e Rajoelinës tha se po bëhej një përpjekje për ta detyruar atë të largohej nga pushteti.
Fjalimi i tij drejtuar kombit u shty disa herë të hënën për shkak të kaosit, pasi ushtarët kërcënuan të pushtonin selinë e televizionit shtetëror në ishullin e Oqeanit Indian.
Përfundimisht, në një transmetim në rrjetet sociale ai tha: “që nga 25 shtatori, ka pasur atentate ndaj jetës sime dhe përpjekje për grusht shteti. Një grup ushtarakësh dhe politikanësh planifikuan të më vrisnin.”
"U detyrova të gjeja një vend të sigurt për të mbrojtur jetën time. Ekziston vetëm një mënyrë për të zgjidhur këto çështje; ajo është të respektohet kushtetuta në fuqi në vend", tha ai.
Gjatë fundjavës, CAPSAT, një njësi e fuqishme ushtarake që ndihmoi në vendosjen e Rajoelinës në pushtet në vitin 2009, u përpoq ta minonte atë duke u shpallur komanduese e të gjitha forcave të armatosura, ndërsa disa nga oficerët e saj iu bashkuan protestuesve në rrugët e kryeqytetit, Antananarivo.
Pas një takimi të komandantëve ushtarakë të hënën, Shefi i ri i Shtabit të Ushtrisë i emëruar nga CAPSAT, Gjenerali Demosthene Pikulas, siguroi publikun se forcat e sigurisë po punonin së bashku për të ruajtur rendin në kombin ishullor.
Sipas një deklarate nga presidenca, deri të hënën në mbrëmje, gjenerali ishte në selinë e televizionit shtetëror duke u përpjekur të zgjidhte krizën.
Duke folur në kushte anonimiteti, një udhëheqës i lartë në partinë më të madhe opozitare të Madagaskarit, TIM, i tha BBC-së se Madagaskari tani në mënyrë efektive po drejtohej nga njësia e ushtrisë.
Partia TIM ka thënë gjithashtu se planifikon të ngrejë procedurat e shkarkimit kundër Rajoelinës për "braktisje të postit".
Lini një Përgjigje