Bashkimi Evropian po analizon me kujdes vendimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, e cila shpalli të paligjshme tarifat e vendosura gjatë administratës së presidentit Donald Trump.
“Po e marrim parasysh vendimin dhe po e analizojmë me kujdes”, deklaroi për agjencinë franceze AFP Olof Gill, zëdhënës i Komisionit Evropian. Ai shtoi se Brukseli pret “sqarime” nga qeveria amerikane lidhur me masat që synon të ndërmarrë pas këtij vendimi.
Gill theksoi se stabiliteti i marrëdhënieve tregtare është thelbësor për të dyja palët. “Bizneset në të dyja anët e Atlantikut varen nga marrëdhënie tregtare të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Për këtë arsye ne vazhdojmë të mbështesim tarifa të ulëta dhe të punojmë për t’i ulur ato”, u shpreh ai.
Komisioni Evropian ende nuk ka bërë të ditur pasojat konkrete që mund të ketë vendimi i Gjykatës Supreme mbi marrëveshjen tregtare të arritur verën e kaluar mes BE-së dhe SHBA-së. Kjo marrëveshje uli në 15% tarifat amerikane për shumicën e produkteve evropiane.
Sipas AFP-së, vendimi i Gjykatës Supreme mund të ndikojë në ritmin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Komiteti i Tregtisë i Parlamentit Evropian pritet të votojë për këtë çështje të martën.
Kreu i këtij komiteti, eurodeputeti socialdemokrat gjerman Bernd Lange, njoftoi se ka thirrur të hënën një “takim të jashtëzakonshëm të ekipit negociator dhe shërbimit ligjor të Parlamentit Evropian” për të shqyrtuar hapat e ardhshëm dhe ndikimin e vendimit në kalendarin e parashikuar.
“Duke qenë se një pjesë e madhe e tarifave hakmarrëse bazohen në një kuadër ligjor që tani është vënë në diskutim, as qeveria amerikane dhe as Bashkimi Evropian nuk mund të veprojnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, deklaroi Lange.
Zhvillimet e ardhshme do të varen nga qëndrimi zyrtar i administratës amerikane dhe nga vlerësimi juridik që do të bëjnë institucionet evropiane.
Lini një Përgjigje