TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Korrik 2026, 07:15

Furgoni përplas turmën e njerëzve gjatë paradës së krenarisë në Berlin, një i vrarë dhe 16 të plagosur

Shkruar nga Pamfleti

I dyshuari 21-vjeçar u identifikua nga policia si anëtar i “skenës islamiste” të qytetit.

Furgoni përplas turmën e njerëzve gjatë paradës së
Furgon përplas turmën e njerëzve në Berlin

Autoritetet gjermane kanë shpallur në kërkim një të dyshuar që dyshohet se është përgjegjës për sulmin me furgon pranë Paradës së Krenarisë (Pride) në Berlin, ku humbi jetën një person dhe të paktën 16 të tjerë mbetën të plagosur.

Policia dhe prokuroria u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndihmojnë në gjetjen e 21-vjeçarit të identifikuar si Abdul B. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se të shtunën në mbrëmje goditi me një automjet disa persona dhe më pas një ose më shumë individë dolën nga furgoni. Policia njoftoi gjithashtu se disa persona janë sulmuar edhe me thikë.

Në njoftimin e publikuar të dielën, autoritetet paralajmëruan qytetarët të shmangin çdo kontakt të drejtpërdrejtë me të dyshuarin, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.

Më herët, policia kishte bërë të ditur se kishte identifikuar një person të dyshuar me lidhje me qarqe islamiste në kryeqytetin gjerman.

"I dyshuari është i njohur për policinë. Ai figuron në të dhënat tona si pjesë e qarqeve islamiste në Berlin dhe kërkimet për kapjen e tij po zhvillohen me intensitet të plotë," deklaroi zëdhënësi i policisë, Florian Nath.

Ai shtoi se autoritetet nuk kanë ende informacion për motivin e sulmit, rrjedhën e saktë të ngjarjes apo rolin konkret të të dyshuarit.

Furgoni përplas turmën e njerëzve gjatë paradës së

Kancelari gjerman Friedrich Merz premtoi se autorët do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.

Sulmi detyroi organizatorët të ndërpresin para kohe një nga paradat më të mëdha të Krenarisë në Evropë dhe vjen në një periudhë kur Gjermania vazhdon të përballet me shqetësime pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse me automjete dhe thika gjatë viteve të fundit.

Si ndodhi sulmi? 
Edhe disa orë pas ngjarjes, shumë detaje mbeteshin të paqarta. Policia njoftoi se automjeti goditi disa persona pasi hyri me shpejtësi në parkun Tiergarten, pranë Portës së Brandenburgut.

Mes të plagosurve kishte edhe persona në gjendje kritike.Sipas hetimeve paraprake, drejtuesi i një furgoni të bardhë devijoi nga rruga pak para orës 22:00 dhe hyri në një shteg të parkut Tiergarten, pranë itinerarit ku ishte zhvilluar më herët parada, duke përplasur këmbësorët përpara se të përfundonte mbi një pemë.

Kur policia mbërriti në vendngjarje, automjeti ishte bosh.

"Furgoni ishte i braktisur, ndaj aktualisht po punojmë intensivisht për të identifikuar dhe arrestuar autorin ose autorët," deklaroi policia.

Gazeta gjermane Bild, duke cituar një dëshmitar, raportoi se një burrë doli nga automjeti dhe u largua me vrap.

Një operacion i gjerë kërkimi, me përfshirjen e helikopterëve dhe forcave policore nga disa lande gjermane, vazhdon në Berlin.

Një viktimë dhe të paktën 16 të plagosur

Furgoni përplas turmën e njerëzve gjatë paradës së

Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës të Berlinit, Dominik Pretz, konfirmoi se një person humbi jetën dhe të paktën 16 të tjerë u plagosën.

Ekipet e emergjencës ngritën një pikë uljeje për helikopterët pranë ndërtesës së Bundestagut, për të transportuar të plagosurit drejt spitaleve.

Në një deklaratë, kancelari Merz tha se ai dhe ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, do të sigurojnë që ky akt "i tmerrshëm" të hetohet plotësisht dhe autorët të ndëshkohen.

Julian Methig, pjesëmarrës në aktivitet, e përshkroi ngjarjen si tronditëse.

"Kjo është një nga ditët më të këqija për komunitetin dhe një ditë që personalisht shpresoja të mos e përjetoja kurrë. Jam i shokuar," tha ai.

Qindra mijëra njerëz ishin mbledhur në kryeqytetin gjerman për të festuar Paradën e Krenarisë.

Në Gjermani, aktiviteti njihet si Christopher Street Day (CSD), emërtim që lidhet me rrugën ku ndodhej lokali Stonewall Inn në Nju Jork, vendi ku protestat kundër bastisjeve policore shënuan fillimin e lëvizjes moderne për të drejtat e komunitetit LGBTQ+. Parada e parë CSD në Berlinin Perëndimor u organizua në vitin 1979.

Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e cilësoi sulmin si "një goditje ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe kozmopolite".

"Pas një CSD-je paqësore dhe plot ngjyra, tubimi në mbështetje të një Berlini tolerant dhe paqësor u sulmua në mënyrën më brutale. Berlini është qyteti i lirisë dhe sot liria jonë është sulmuar në mënyrën më të rëndë. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet dhe miqtë e tyre," shkroi ai në rrjetin social X.

Për herë të parë në historinë e saj, CSD nisi këtë vit të premten në mbrëmje me një tubim politik në mbështetje të demokracisë. Berlini do të zhvillojë zgjedhje rajonale në shtator.

Parada e së shtunës u organizua me moton "Taking a stand is hot" ("Të marrësh qëndrim është e rëndësishme"), të cilën organizatorët e lidhën me rritjen e armiqësisë ndaj komunitetit LGBTQ+ në Gjermani.

Më shumë se 80 platforma lëvizëse dhe rreth 50 grupe marshuan nëpër qendrën e Berlinit, duke kaluar pranë Potsdamer Platz dhe Kolonës së Fitores në Tiergarten, përpara se aktiviteti të përfundonte pranë Portës së Brandenburgut.Më herët gjatë ditës, policia arrestoi një person që kundërshtoi urdhrat e saj gjatë një kundërproteste të organizuar nga grupe të ekstremit të djathtë.

Përpara paradës së vitit të kaluar, organizatat e komunitetit LGBTQ+ në Berlin kishin paralajmëruar për shtimin e sulmeve ndaj anëtarëve të komunitetit dhe për rrezikimin e të drejtave të fituara ndër vite.

Sipas aktivistëve, rritja e klimës armiqësore ka shoqëruar edhe rritjen e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila aktualisht kryeson në sondazhet kombëtare, si dhe shtimin e sulmeve të frymëzuara nga ideologjia islamiste.

Deri në këtë fazë të hetimeve, autoritetet gjermane kanë identifikuar një të dyshuar dhe kanë konfirmuar lidhjet e tij me qarqe islamiste në Berlin, por nuk kanë përcaktuar ende motivin e sulmit dhe as përgjegjësinë përfundimtare penale. Hetimet vazhdojnë.

furgon përplas turmën e njerëzve berlin

Lini një Përgjigje