TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Dhjetor 2025, 10:51

Fitojnë 200 miliardë dollarë në vit, por influencerët janë më në depresion dhe të prirur drejt vetëvrasjes se të tjerët

Shkruar nga Pamfleti
Fitojnë 200 miliardë dollarë në vit, por influencerët
Foto Ilustruese

Hulumtimi, i botuar nga Shkolla e Shëndetit Publik e Universitetit të Harvardit i bazuar tek 542 influencera në Amerikën e Veriut, zbulon një panoramë të ndërlikuar nga presionet financiare, paqëndrueshmëria algoritmike dhe mungesa e kufijve midis jetës private dhe asaj të punës.

Në depresion, të izoluar dhe madje edhe me ide për vetëvrasje. Një studim i ri nga Creators 4 Mental Health dhe Lupiani Insights & Strategies, tregon se si krijuesit e përmbajtjes në botën dixhitale, po përjetojnë probleme të shëndetit mendor shumë më tepër se sa popullata e përgjithshme.

Hulumtimi, i botuar nga Shkolla e Shëndetit Publik T.H. Chan e Universitetit të Harvardit dhe i bazuar tek 542 influencera në Amerikën e Veriut, zbulon një panoramë të ndërlikuar më tej nga presionet financiare, paqëndrueshmëria algoritmike dhe mungesa e kufijve midis jetës private dhe asaj të punës.

Rreth 52 për qind e tyre raportuan për ankth, 35 për qind e pranuan se vuanin nga depresioni dhe 62 për qind thanë se vuanin herë pas here ose shpesh nga lodhja e tepërt. Sipas gjetjeve të këtij studimi, profesionit të krijuesit të përmbajtjes në rrjet, i mungon infrastruktura e shëndetit mendor që gjendet në sektorët tradicionalë të punësimit, edhe pse është motori i një ekonomie prej 200 miliardë dollarësh në vit. Lidhur me këtë çështje, Il Fatto Quotidiano, bisedoi me profesor Federiko Tonioni-n, psikiatër dhe psikoterapist në Poliklinikën Xhemeli në Romë.

Pse influencerët janë veçanërisht të prekshëm në krahasim me kategoritë e tjera profesionale nga problemet emocionale?

Një krijues përmbajtjeje në rrjetet sociale, është në mënyrë të pashmangshme shumë i lidhur. Dhe marrëdhëniet online, edhe pse janë absolutisht reale, nuk janë “të plota”. Pra emocionet përfaqësohen, po nuk prezantohen.

Kjo kompensohet disi nga tendenca për të interpretuar më shumë sesa tepër, duke i hapur kështu rrugën paranojave. Shtojini kësaj prirjen drejt shkëputjes që përjetojmë të gjithë kur jemi para një ekrani dixhital, dhe rezultati është mundësia e zhvillimit të simptomave psiko-patologjike tek ata që kalojnë shumë kohë online. Por ka më shumë sesa kaq.

Çfarë?

Ndikuesit dhe krijuesit në rrjet, kanë arsye personale për ta bërë këtë punë, e cila përveç fitimeve, ofron një dukshmëri të fuqishme me tipare narcistike. Megjithatë, unë besoj se një pjesë e psiko-patologjisë që prek këtë grup, mund t’i paraprijë dhe jo të pasojë llojin e punës që ata bëjnë.

Pra, ekziston tashmë një predispozitë bazë?

Mendoj se simptomat kanë të bëjnë gjithmonë me diçka që nuk funksionon në marrëdhëniet e hershme me mjedisin në kohën kur ata ishin fëmijë. Për shembull, për ata janë të tërhequr në aspektin social, ky profesion mund të bëhet një mënyrë për të rindërtuar veten, një rrugë shumë ambicioze drejt “shërimit” dhe arritjes së një ekuilibri më të kënaqshëm.

Ndër presionet më të mëdha me të cilat përballen shumë prej tyre është performanca e përmbajtjes. A është nevoja për të performuar vazhdimisht - në çdo fushë - një nga të këqijat e kohës që jetojmë?

Performanca është pasojë e pritjeve. Gjëja e parë me të cilën duhet të përballemi janë pritshmëritë nga prindërit. Sepse që para se të lindim, ne ekzistojmë në imagjinatën e prindërve tanë. Pritshmëritë janë toksike edhe pse të pashmangshme.

A mund të flasim për një formë varësie ndaj performancës dixhitale?

Po, dhe varet nga vetëvlerësimi.

Si mund të rritet ai?

Duke u ndjerë i dashur nga të tjerët edhe pasi ke zhgënjyer prishmëritë e tyre. Për shembull, nëse një fëmijë merr një notë të keqe në shkollë për herë të parë, ai nuk duhet ndëshkuar. Përkundrazi, duhet të kuptohet me butësinë më të madhe dhe të mbahet shumë afër. Kështu rritet vetëvlerësimi.

Pse ne njerëzit kemi kaq frikë nga dështimi?

Dështimi vjen edhe nga pritshmëritë. Nëse dikush përpiqet shumë, ka të drejtë të dështojë here pas here. Sa më shumë vetëvlerësim të kesh, aq më shumë mund ta përballosh dështimin.

A duhet të kenë platformat e mediave sociale, protokolle ndërhyrjeje ose raportimi për krijuesit që përjetojnë shqetësime psikologjik?

Sigurisht, duhet vëmendje dhe disiplinë kur bëhet fjalë për ngacmimin. Të gjithë, veçanërisht të rinjtë, luhaten midis popullaritetit dhe turpit, ku turpi - sidomos për adoleshentët -  përputhet me një ndarje të identitetit, intensiteti i të cilit është proporcional me dukshmërinë.

A duhet të edukohen të rinjtë që duan të bëhen influencer rreth rreziqeve psikologjike me të cilat përballen?

Të qenit krijues në botën e rrjeteve sociale, është një profesion si çdo tjetër. Pra nuk është një profesion që shkakton dhimbje mendore. Ka të ngjarë që një person të kërkojë një zgjidhje për dhimbjen e tij në një profesion dhe jo tek një tjetër. Por unë nuk shoh ndonjë rrezik specifik tek interneti. Distanca më e shëndetshme nga të rinjtë është besimi, jo kontrolli./ Përshatti "Pamfleti" nga "Ilfattoquotidiano.it"

influencerat rrjetet sociale depresioni

Lini një Përgjigje