Në pamje të parë, vizita e kryeministrit hungarez në Washington rezultoi pikërisht siç e kishte planifikuar: lavdërime të bollshme dhe përjashtim nga sanksionet amerikane mbi naftën, gazin dhe furnizimet bërthamore ruse. Dhe kjo ndodhi vetëm pesë muaj para zgjedhjeve të vështira në Hungari.
Por nëse shikohet më me vëmendje, tabloja bëhet më e ndërlikuar. SHBA-të arritën një marrëveshje të ashpër tregtare dhe të kushtueshme për Hungarinë.
Ndërkohë, nuk pati asnjë përparim për çështjen më të madhe që e shqetëson Orbánin: përfundimi i luftës në Ukrainën fqinje, e cila vazhdon të hedhë hije mbi vendin e tij.
Pika më e fortë e marrëveshjes ishte përjashtimi nga sanksionet amerikane, që sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë do zgjasë vetëm një vit, ndonëse ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó tha se do të jetë i pacaktuar në kohë.
Ky afat duket se përkon me dëshirën e Trump-it për ta ndihmuar mikun e tij të fitojë zgjedhjet në prill. Përjashtimi përputhet pjesërisht edhe me kërkesën e Komisionit Evropian që vendet anëtare të ndalojnë importin e energjisë ruse deri në fund të vitit 2027.
Nga perspektiva e BE-së, mungon angazhimi politik i Orbán-it për të përmbushur këtë objektiv, një angazhim që qeveria çeke e ka marrë dhe realizuar. BE po përpiqet të ashpërsojë sanksionet energjetike, gjë që ka zemëruar Hungarinë dhe Sllovakinë.
Jashtë vëmendjes mediatike, kompania energjetike hungareze MOL ka modernizuar dy rafineri, një në Százhalombatta (Hungari) dhe një në Bratislavë (Sllovaki), për të përpunuar naftë Brent në vend të naftës Urals me përmbajtje të lartë squfuri nga Rusia.
MOL deklaroi se 80% e nevojave për naftë mund të mbulohen përmes gazsjellësit Adria nga Kroacia, megjithëse me kosto më të larta logjistike dhe rreziqe teknike.
Kështu, pretendimi i Orbánit, që e impresionoi Trump-in, tha se Hungaria nuk ka alternativë ndaj naftës ruse, mund të mos jetë plotësisht i vërtetë.
Nga viti 2022 deri në fund të vitit 2024, Hungaria dhe Sllovakia kanë paguar së bashku rreth 13 miliardë dollarë për naftën ruse.
Megjithatë, përjashtimi njëvjeçar nga sanksionet është një lehtësim i rëndësishëm për familjet hungareze këtë dimër. Orbán tha për gazetarët pro-qeveritarë se pa këtë përjashtim, faturat e energjisë “do të ishin trefishuar në dhjetor”.
Hungaria mund të vazhdojë të blejë gaz rus përmes gazsjellësit Turkstream, duke paguar në valutë të fortë (185 milionë dollarë vetëm në gusht), duke përdorur një skemë përmes Bullgarisë. Orbán ka rënë dakord të blejë gaz të lëngshëm (LNG) nga SHBA-të me vlerë 600 milionë dollarë.
Në fushën bërthamore, Hungaria do të blejë shufra karburanti nga SHBA-të për centralin Paks 1 (114 milionë dollarë), krahas furnizimeve nga Rosatom (Rusi) dhe Framatome (Francë).
Projekti rus për zgjerimin e centralit Paks 2 është vonuar për shkak të problemeve teknike dhe licencimit. Heqja e sanksioneve bërthamore nga SHBA-të mund ta ndihmojë rifillimin e projektit, por mbeten sfida të mëdha.
Hungaria ka pranuar të blejë teknologji amerikane për të zgjatur kapacitetin e ruajtjes së mbetjeve bërthamore në Paks, me kosto nga 100 deri në 200 milionë dollarë.
Pjesa më e madhe e marrëveshjes është angazhimi për të blerë deri në 10 reaktorë bërthamorë të vegjël nga SHBA-të, me vlerë nga 10 deri në 20 miliardë dollarë. Këto reaktorë do të furnizojnë me energji fabrikat gjigante të baterive kineze që po ndërtohen në Hungari.
Po diskutohet edhe një marrëveshje për shkëmbim valutor mes bankave qendrore të SHBA-ve dhe Hungarisë, e ngjashme me marrëveshjen SHBA-Argjentinë për mbështetjen e pesos. Kjo do të siguronte dollarë për Budapestin në rast krize financiare.
Në përfundim, Hungaria ka arritur një marrëveshje për blerjen e gazit, energjisë bërthamore dhe sistemeve të paidentifikuara armësh nga SHBA-të, në këmbim të një përjashtimi të përkohshëm nga sanksionet amerikane ndaj energjisë ruse.
Por nuk arriti të rikthejë sistemin e përjashtimit nga vizat amerikane, të hequr në vitin 2022, gjë që dëmton tregtinë dypalëshe. Po ashtu, nuk u caktua një datë e re për një samit të mundshëm Trump-Putin në Budapest, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kritikët thonë se varësia energjetike nga Rusia po zëvendësohet me varësi nga SHBA-të. Qeveria e Orbánit argumenton se po arrin një diversifikim më të madh të burimeve./ BBC
Lini një Përgjigje