Po se çfarë do të bëjë Rusia në kundërpërgjigje të veprimit të Parisit, kjo nuk është e sigurt...
Franca ka dërguar zyrtarisht trupat e saj të para në Ukrainë. Ato janë vendosur në mbështetje të Brigadës 54-ët të Mekanizuar të Ukrainës në Slavyansk. Ushtarët francezë janë tërhequr nga Regjimenti i 3-të i Këmbësorisë së Ushtrisë së Francës, që është një nga elementët kryesorë të Legjionit të Huaj të Francës (Légion étrangère).
Në vitin 2022, Franca kishte një numër ukrainasish dhe rusësh në Legjionin e të Huajve. Ata u lejuan të largoheshin nga Legjioni, dhe në rastin e ukrainasve, të riktheheshin në Ukrainë për t’u bashkuar me forcat ukrainase. Ndërkohë nuk është e qartë nëse rusët u kthyen në shtëpi.
Sot Legjioni drejtohet nga oficerë francezë, por zyrtarët e tjerë dhe rekrutët janë që të gjithë të huaj. Në kushtet e anonimatit, një vullnetar që i bashkohet Legjionit, mund të vendosë nëse do të mbajë emrin e tij apo do të marrë një të ri. Legjionarët shërbejnë për 3 vjet, dhe pastaj mund të kërkojnë nënshtetësinë franceze.
Nëse një legjionar plagoset, ai ka të drejtë të marrë nënshtetësinë franceze pa asnjë periudhë pritjeje. Në këtë njësi elitare nuk ka gra. Trupat e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë Legjioni i huaj francez në Afrikë, grupi fillestar i trupave franceze që kanë shkuar në Ukrainë, numëron rreth 100 persona.
Ky është vetëm grupi i parë nga rreth 1500 ushtarë të Legjionit të Huaj Francez, që është menduar të dërgohen në Ukrainë. Këto trupa po vendosen drejtpërdrejt në një zonë të nxehtë luftimi, dhe synojnë t’i ndihmojnë ukrainasit që t’i rezistojnë përparimeve ruse në rajonin e Donbass-it.
100 trupat e para janë specialistë të artilerisë dhe të vëzhgimit. Prej muajsh presidenti francez Emanuel Macron, ka kërcënuar se do të dërgojë trupa franceze në Ukrainë. Ai ka gjetur pak ose aspak mbështetje nga vendet e NATO-s, me përjashtim të Polonisë dhe shteteve baltike.
Dyshohet se edhe SHBA-ja e kundërshton dërgimin e ushtarëve të NATO-s në Ukrainë (përveçse si këshilltarë). Një nga pyetjet që duhet të lindë menjëherë nga vendimi i Parisit për të dërguar ushtarë nga regjimenti i tretë i këmbësorisë është:A e kalon kjo “vijën e kuqe” të Rusisë për përfshirjen e NATO-s në Ukrainë?
A do ta shohin rusët këtë akt, si fillimin e një lufte më të gjerë përtej kufijve të Ukrainës?
Vetë Franca nuk ka shumë trupa për të vendosur në vijat e betejës së Ukrainës, përveçse nëse qeveria franceze dëshiron që ta bëjë këtë. Sipas raporteve aktuale, aktualisht Franca nuk mund të mbështesë një vendosje jashtë shtetit të një divizioni të plotë, dhe nuk do ta ketë këtë aftësi deri në vitin 2027.
Vendimi për të dërguar legjionarët e huaj, është në vetvete një kompromis i veçantë. Pra Franca nuk po vendos ushtrinë e saj kombëtare, dhe përveç një numri të vogël oficerësh, burrat e dërguar nuk janë shtetas francezë. Vendimi i Francës për këtë lëvizje ka dy kuptime, përtej atij të dukshëm që lidhet me rrezikun e nxitjes së një lufte mbarë-evropiane.
Së pari, kjo i jep mundësi Macron-it të dërgojë trupa në Ukrainë, dhe të duket si një udhëheqës i fortë, pa hasur shumë kundërshtime në vend. Kjo sepse nuk po dërgohet asnjë ushtar i ushtrisë franceze, dhe s’ka ndonjë rekrutim ose masa të tjera në vazhdim. Dhe kjo e zbeh zemërimin e mundshëm të kundërshtarëve politikë të Macron.
Arsyeja e dytë bazohet tek zemërimi i Macron nga dëbimi i trupave franceze, thuajse që të gjitha nga Legjioni i Huaj, nga Afrika Saheliane dhe zëvendësimi i tyre nga rusët. Kontrolli i Afrikës Frankofone, dhe pasuritë që ajo u ofron politikanëve francezë, është prishur nga revolta dhe revolucioni në Afrikë, dhe nga një anim vendimtar drejt Rusisë, qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet Grupit Vagner, që tashmë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Vladimir Putin.
Ky “poshtërim” ndihet shumë në Pallatin Elysee dhe veçanërisht nga Macron, të cilin kundërshtarët politikë e kritikojnë se ka shkaktuar rënien e ndikimit të Francës atje, dhe se ka dëmtuar minierat dhe interesat e biznesit të Francës jashtë shtetit. Dështimi më i madh është në Niger, një vend furnizues i rëndësishëm i Francës me uranium.
Franca e merr 70 për qind të energjisë elektrike nga gjeneratorët e energjisë bërthamore. Furnizimet globale të uraniumit po pakësohen, ndërsa çmimet po rriten. Dhe teksa Rusia dhe Kazakistani, së bashku me Nigerin, janë vendet kryesore eksportuese të uraniumit për reaktorët bërthamorë, Franca ka një problem të sigurisë ekonomike të brendshme. Vendimi i SHBA-së për të ndaluar tregtimin e uraniumin rus vitet e ardhshme, mund t’i shkaktojë një goditje të rëndë Francës dhe Shteteve të Bashkuara, duke i ndërprerë tërësisht furnizimet. Duke pasur parasysh rrezikun e humbjes së qasjes tek uraniumi, ose të paktën tek një sasi e mjaftueshme për të furnizuar reaktorët bërthamorë të Francës, Macron duhet të shpresojë se dislokimet e trupave të tij në Ukrainë, nuk do të shkaktojnë një embargo të Rusisë për eksportet e uraniumit drejt Francës.
Nga ana tjetër, mbetet e paqartë se si legjionarët mund t'i ndihmojnë ukrainasit. Këta të fundit dinë se si të përdorin artilerinë dhe kanë një mbështetje të sofistikuar nga shërbimet sekrete perëndimore. Gjithsesi, çështja e Ukrainës nuk ka të bëjë me mënyrën se si përdoret artileria, por nga supozohet të vijë municioni.
Ukraina vazhdon të ankohet se i mungojnë furnizimet e duhura për topat e kalibrit 155 mm. Vendimi për vendosjen e ushtarëve të Legjionit të Huaj në Slavyansk është shumë provokues dhe bie ndesh me deklaratat e Parisit, duke përfshirë ato të Macron, sipas të cilave nëse Franca do dërgojë trupa, ato vetëm sa do të zëvendësojnë njësitë e ushtrisë ukrainase në Ukrainën Perëndimore, të cilat mund të kenë mundësi të zhvendosen në drejtim të lindjes për të luftuar në vijën e parë të frontit kundër rusëve.
Ndërsa Slavyansk është vetë në vijën e parë, premtimi i Francës për një dislokim në prapavijë, po kthehet de fakto në një luftë drejtpërdrejt me Rusinë. Këtu pyetja kryesore është si do të reagojë NATO ndaj vendimit të Parisit për këtë vendosje trupash në front.
Ndërsa Franca po vepron vetë dhe pa mbështetjen e NATO-s, francezët nuk mund të kërkojnë mbështetje nga NATO sipas Nenit 5 të traktatit themeltar të aleancës, që i referohet sigurisë kolektive. Në rast se rusët sulmojnë trupat franceze jashtë Ukrainës, kjo do të ishte e justifikuar sepse Franca ka vendosur me dëshirë të jetë një palë në luftë, dhe referimi ndaj Nenit 5 të NATO-s do të ishte i vështirë nëse mos i pamundur.
Natyrisht, anëtarët e ndryshëm të aleancës mund të mbështesin francezët, ose duke dërguar forcat e tyre ose duke i mbështetur ata me logjistikë dhe komunikim. Për shembull, nuk ka asnjë mënyrë sesi ushtarët e Legjionit të Huaj të hyjnë në Ukrainë pa kaluar nëpër Poloni.
A do ta shohin rusët këtë si një dëshmi se janë në luftë si me Francën, ashtu edhe me Poloninë? Tani për tani, askush nuk mund t'i përgjigjet me siguri asnjërës prej këtyre pyetjeve.
Por nuk ka shumë të ngjarë, që rusët të tolerojnë për një kohë të gjatë një grumbullim të trupave të ushtrisë franceze, edhe nëse këta janë ushtarë të të famshmit Legjion i Huaj. Po se çfarë do të bëjë Rusia në kundërpërgjigje të veprimit të Parisit, kjo nuk është e sigurt./Përshtati Pamfleti nga “Asia Times”
Shënim: Stephen Bryen, ka qenë drejtor stafit në Nën-komitetin për Lindjen e Mesme në Senatin e SHBA-së
Lini një Përgjigje