TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Janar 2024, 09:53

Sulmet terroriste të Hamasit u shkaktuan nga arroganca e Izraelit, si mund të rikthehet paqja

Shkruar nga Thore Schröder & Christoph Schult
Sulmet terroriste të Hamasit u shkaktuan nga arroganca e Izraelit, si mund
Ehud Olmert /

Intervistë me Ehud Olmert, ish kryeministri i Izraelit

Ehud Olmert, 78 vjeç, rrjedh nga një familje emigrantësh rusë. Ai ka qenë fillimisht kryebashkiak i Jerusalemit, dhe në vitin 2006 u bë kryeministër i Izraelit. Olmert u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2008 për shkak të akuzave për korrupsion, por drejtoi një qeveri të përkohshme deri në mars 2009.

Më pas një gjykatë e dënoi me 27 muaj burg. Në një intervistë për “Der Spiegel”, ish-kryeministri izraelit fajëson pasardhësin e tij Benjamin Netanyahu, por edhe arrogancën ne përgjithësi të Izraelit për forcimin dhe sulmet e fundit të Hamasit. Ai bën thirrje për një mision paqeruajtës amerikano-evropian në Rripin e Gazës.

Zoti Olmert, pas sulmit terrorist të 7 tetorit nga Hamasi, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi para parlamentit gjerman: “Siguria e Izraelit ka një rëndësi madhore për Gjermaninë”. A po e mban këtë premtim qeveria aktuale gjermane?

Unë mendoj se pas masakrës së 7 tetorit, Scholz pati një qasje mbresëlënëse. Deklaratën mbi nivelin e përkushtimit të Gjermanisë ndaj nesh e shoh si një angazhim moral. Dhe le të lëmë mënjanë pasojat e asaj që ndodhi më vonë: luftën kundër Hamasit, bombardimet në Gaza, aspektet humanitare.

Së pari duhet të pranojmë se ndodhi diçka e tmerrshme. Në kushte normale, ne izraelitët nuk kemi nevojë për mbështetjen e askujt. Dhe Gjermania nuk mund të bëjë ushtarakisht asgjë më shumë sesa ndihma që marrim rregullisht nga Shtetet e Bashkuara. Por mbështetja morale e Gjermanisë ka një rëndësi të madhe në një kohë sfide, kur vihen në dyshim dhe kritikohen themelet morale të Izraelit.

Ambasadori i Izraelit në Berlin, Ron Prosor, e quajti “më shumë se zhgënjyes” vendimin e Gjermanisë për të abstenuar në një votim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. A mendoni se Gjermania duhet të votojë më shpesh në favor të Izraelit?

Në parim, po. Megjithatë, do të jem shumë i sinqertë me ju. Sot ia vlen çdo gjest apo lëvizje që mund të rrëzojë Netanyahun. Jashtë këtij aspekti, padyshim që më pëlqen që Gjermania të jetë në favor të Izraelit. Por nëse votimi ka të bëjë me një zgjidhje me dy shtete, si mund të pres që Gjermania të votojë kundër zgjidhjes me dy shtete, kur unë e mbroj atë kudo?

A mendoni se një zgjidhje me dy shtete është ende e realizueshme?

Unë mendoj se Izraeli duhet të shpallë sa më parë përfundimin e fushatës ushtarake në Gaza. Ne kemi nevojë që evropianët dhe amerikanët të dërgojnë atje një mision paqeruajtës për një farë periudhe. Kjo sepse arabët dhe palestinezët do të refuzojnë të bëjnë ketë dhe ne izraelitët, nuk duhet të qëndrojmë atje. Por për t’i bindur amerikanët dhe evropianët, menjëherë pas fushatës duhet të fillojmë negociatat për të gjetur një zgjidhje me dy shtete. Unë mendoj se s’ka zgjidhje tjetër politike.

Netanyahu dhe partnerët e tij ekstremistë në koalicionin qeverisës, nuk po bëjnë asnjë përpjekje në këtë drejtim....

Po, dhe kjo është një arsye tjetër pse ai duhet të largohet menjëherë nga pushteti. Pra, kur më pyesni mbi qëndrimin tim ndaj qëndrimit të Gjermanisë në OKB unë them: Çdo votë që mund ta ndihmojë Izraelin të heqë qafe këtë qeveri të neveritshme dhe të rrezikshme është e pranueshme. Por kur të kemi një qeveri të re, është më mirë të kini kujdes.

Sa shpejt do të ketë një qeveri të re?

Deri në mesin e këtij viti, do të kemi patjetër një të tillë. Brenda pak javësh do të bëhet e qartë se maksimumi që mund të marrim nga kjo fushatë ushtarake, është nën minimumin e arsyeshëm për qeverinë aktuale.

A besoni se nuk është e mundur të shpërbëhet Hamasi?

Ne nuk do të shkatërrojmë apo çmontojmë plotësisht Hamasin dhe as nuk do të qëndrojmë në Gaza. Ne duhet të tërheqim 90 për qind të ushtrisë izraelite nga atje. E shumta që mund të mendojmë të bëjmë janë operacione specifike gjatë natës për të eleminuar objektiva specifikë.

Por kjo është shumë më e ulët se pritshmëritë që krijoi kjo qeveri. Ushtarët rezervë do të kthehen të hidhëruar dhe të mërzitur. Rreth 150.000 izraelitë nuk jetojnë më në shtëpitë e tyre. Ata nuk mund të kthehen në jug se nuk kanë më shtëpitë e tyre. Në veri, ata kanë shtëpi, por nuk duan të rrezikojnë të jenë subjekt i një operacioni të ngjashëm.

Dhe qeveria nuk ka besueshmërinë e duhur për t’i bindur ata. Të gjithë këta njerëz të zemëruar bashkohen me njerëzit që ishin të lodhur më parë nga Netanyahu, për shkak të reformës në drejtësi dhe nepotizmit. Hidhërimi dhe zhgënjimi do të shpërthejnë një ditë si një vullkan. Dhe në kulmin e asaj vale protestash Bibi nuk do të jetë më kryeministër.

Çfarë duhet të ndodhë që ushtria të tërhiqet nga Rripi i Gazës dhe që qeveria të thotë: Ne arritëm të paktën dy ose tre qëllime?

Pjesa më e madhe e Gazës është pothuajse e shkatërruar. Mendoj se në fund, Gaza Qendrore do të shkatërrohet plotësisht. Ndoshta ushtria do të jetë e suksesshme në eliminimin e njërit prej drejtuesve. Ne mund ta kishim eliminuar shumë kohë më parë Mohammed Deif dhe Yehiyeh Sinwar. Unë di që Netanyahut i është ofruar herë pas here kjo mundësi. Por Bibi nuk e donte këtë.

A ishit në favor të marrëveshjes së vitit 2011, kur 1027 të burgosur palestinezë u liruan në këmbim të ushtarit izraelit Gilad Shalit të marrë peng prej vitesh?

Jo, kur isha vetë kryeministër, nuk pranova të firmosja një marrëveshje që do të kishte qenë 10 herë më e mirë për Izraelin. Në mandatin tim flitej për 324 të burgosur, dhe që të gjithë ishin terroristë pa ndonjë peshë të madhe. Kur isha gati të lija detyrën, u njoftova nga egjiptianët se Hamasi ishte i përgatitur të shqyrtonte një marrëveshje.

Ata e dinin që Netanyahu do të më zëvendësonte, dhe menduan se Bibi do të ishte shumë më i ashpër. Në fund, unë refuzova, Netanyahu erdhi në pushtet dhe në vitin 2011 liroi shumë terroristë të tjerë, përfshirë disa nga liderët e tyre dhe Yehiyeh Sinwar. Tani, Netanyahu e quan atë një nazist, por në atë kohë, e liroi dhe e ndihmoi që të bëhej lider i Hamasit.

Në vitin 2021, ju keni deklaruar se Hamasi nuk përbën një kërcënim të rëndësishëm ushtarak për Izraelin. A do ta përsërisnit këtë deklaratë pas sulmeve të 7 tetorit?

Kur Bibi thotë se Hamasi përbën një kërcënim serioz ushtarak për vetë ekzistencën e Izraelit, ky nuk është vetëm një ekzagjerim i madh. Është një provë e gjallë e kolapsit total nervor që ka kryeministri ynë. 5000, 10.000 apo edhe 15.000 njerëz pa tanke dhe aeroplanë përbëjnë një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit? Kjo është një marrëzi.

Por terroristët e planifikuan sulmin e 7 tetorit në një mënyrë shumë të sofistikuar...

Kur u hapni dyert dhe u thoni hajdutëve: Dëgjo, unë po shkoj të fle tani, kasaforta është atje, dhe ai vjen e merr dhe ikën, atëherë a quhet ky një kërcënim? Kjo, kjo do të thotë që je një idiot. Hamasi është armiku ynë. Unë nuk e nënvlerësoj. Kur militantët e tij fshihen nëntokë në Gaza, kjo bëhet një problem sepse kostoja e eliminimit të tyre është e lartë: për civilët në Gaza, për ushtarët tuaj dhe për pengjet.

Pse 7 tetori 2023 krahasohet shpesh me sulmin e befasishëm egjiptian në Yom Kippur në 1973?

Ajo që shkaktoi 7 tetorin nuk ishte një dështim i shërbimit sekret apo i teknologjive tona. Ajo që shkaktoi sulmet terroriste ishte arroganca. Arroganca me të cilën i kemi trajtuar arabët. E çfarë mund të na bëjnë neve, ata janë arabë! Në vitin 1973, ata na treguan se mund të jenë të zgjuar dhe të sofistikuar. Na mashtruan dhe na kapën në befasi. Tani bënë të njëjtën gjë. Ne pamë gjithçka, por nuk e besuam. Dhe kjo për shkak të arrogancës sonë.

A ishte një gabim tërheqja e njëanshme nga Gaza në vitin 2005?

Edhe para atij vit ka pasur sulme terroriste dhe me raketa. Ato janë harruar, ndaj tani fajësohet largimi ynë nga andej. Forcimi i vazhdueshëm i Hamasit ishte një strategji e llogaritur e Netanyahut. Pse e bëri? Sepse alternativa ishte të merreshim me Autoritetin Palestinez.

A e konsideroni ende Fatah dhe Mahmud Abbas si partnerë për paqen?

Unë jam në kontakt me Abu Mazen edhe sot e kësaj dite. Unë shpresoj ende që ai të nënshkruajë një deklaratë që miraton planin tim për një zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967, nismën e paqes të Ligës Arabe dhe shpalljen e pjesës arabe të Jeruzalemit si kryeqytetin e shtetit palestinez.

Ky është një plan paqeje shumë ambicioz për Izraelin dhe për palestinezët. Dhe nëse duam të arrijmë paqen, duhet të ecim përpara dhe ta shndërrojmë në një platformë për paqen e ardhshme. Mos më keqkuptoni. Palestinezët janë armiqtë tanë. Por a ka ndonjë tjetër me të cilin mund të bëjmë paqe? Nëse nuk ke askënd tjetër përballë, atëherë duhet të ulesh me ta dhe të përpiqesh të arrish zgjidhjen më të mirë të mundshme për shtetin e Izraelit./ Përshtati Pamfleti nga “Der Spiegel”

ehud olmert arroganca e izraelit sulmet terroriste të hamasit si mund të kthehet paqja

Lini një Përgjigje