TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Janar 2024, 07:58

NATO i tregon “dhëmbët” Rusisë, nis stërvitjen më të madhe ushtarake në dekada

Shkruar nga Pamfleti

NATO i tregon “dhëmbët” Rusisë, nis stërvitjen

NATO po këtë javë ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliard eurove për blerjen e municioneve.

Aleanca e Atlantikut Verior, NATO ka nisur të mërkurën një prej stërvitjeve më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë, në një lëvizje që shumë ekspertë të fushës e shohin si një demonstrim force përballë Rusisë.

Sipas të dhënave nga NATO rreth 90 mijë forca do të marrin pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024”.

Manovrat kanë si synimin kryesor të provojnë mbrojtjen e vendeve të aleancës, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar arenën euro-atlantike nëpërmjet lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, tha Gjeneral Christopher Cavoli.

“Steadfast Defender 2024 do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit tonë, fuqisë dhe vendosmërisë për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, shtoi ai.

Stërvitja është projektuar si një simulim i përgjigjes së aleancës prej 31 vendesh anëtare ndaj një sulmi nga një vend rival si Rusia. Në të do të marrin pjesë 50 luftëanije, 80 avionë dhe mbi 1,100 mjete luftarake tokësore.

Sipas Zërit të Amerikës, kjo është stërvitja më e madhe që nga viti 1988 kur u mbajt stërvitja “Reforger” gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo vjen në një moment kur NATO ka transformuar mbrojtjen e saj, që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Ndërkohë NATO po këtë javë ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliard eurove për blerjen e municioneve.

Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të këtij vendi se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus.

“Lufta në Ukrainë është bërë betejë municionesh”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e aleancës në Bruksel.

NATO-ja e ka nënshkruar marrëveshjen në emër të shumë aleatëve që ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.

Blerja e muncioneve me shumicë u garanton atyre çmime më të ulëta.

Vendet e NATO-s pritet të pranojnë rreth 220.000 pjesë municionesh artilerie, dhe dërgesat e para pritet të lëshohen në fund të vitit 2025, ka thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ato do të prodhohen prej kompanisë franceze Nexet dhe asaj gjermane Junghans.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

nato rusia nis stërvitjen më e madhe ushtarake në dekada

Lini një Përgjigje