TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Prill 2025, 18:15

Sulmet me raketa ndaj Ukrainës, Trump "i tërheq veshin" Putinit: Po bombardon si i çmenduar

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet me raketa ndaj Ukrainës, Trump "i tërheq veshin"

Presidenti Amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i zemëruar me Putin pas sulmeve me raketa balistike ndaj Ukrainës.

Ai u shpreh se nuk është i lumtur me çfarë po ndodh dhe bombardimet ndaj Ukrainës. Trump thekson se edhe pse po zhvillon takime me të dy liderët për negociata, situata vijon e njëjtë.

“Arsyeja se pse nuk po flasim për tarifat me Rusinë është sepse ne aktualisht nuk po bëjmë ndonjë biznes me Rusinë pasi ata janë në luftë dhe unë nuk jam i lumtur për atë se çfarë po ndodh me bombardimet sepse ata po bombardojnë si të çmendur, pikërisht tani ata janë duke bombarduar. Nuk e di se çfarë po ndodh atje. Nuk është një situatë e mirë. Ne po takohemi me rusët dhe me ukrainasit dhe kemi përparime, por nuk jam i lumtur me tërë ato bombardime që kanë ndodhur së fundmi, është kaq e tmerrshme. Është një gjë e tmerrshme”, tha Trump.

Ndërkohë, Volodymyr Zelenskyy ka bërë me dije se forcat e armatosura të Ukrainës janë të pranishme në rajonin rus të Belgorodit. Zelensky shpjegoi se komandanti i përgjithshëm Oleksandr Syrskyi konfirmoi praninë ushtarake të Ukrainës në rajonet Belgorod dhe Kursk.

"Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut dhe kjo është absolutisht e drejtë - lufta duhet të kthehet nga erdhi", u shpreh presidenti ukrainas.

Rusia bombardoi sërish Ukrainën me raketa balistike Iskander-M dhe 46 dronë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë kamikazët Shahed. Nëntë avionë pa pilot u rrëzuan dhe 31 dronë ranë në zona të hapura. Dronët e shkatërruar u kapën në lindje dhe veri të vendit. Sulmi goditi rajonet e Kharkiv dhe Donetsk.

Rusia nga ana e saj ka bërë të ditur se 23 dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonet Belgorod dhe Kursk. Ministria ruse e Mbrojtjes theksoi se njësitë e mbrojtjes ajrore shkatërruan 23 dronë ukrainas duke përfshirë 19 mbi rajonin Kursk dhe katër mbi rajonin e Belgorodit.

Viktima janë shkaktuar edhe në rajonet qendrore të Ukrainës. Banorët kanë shpallur tre ditë zie për 11 persona të vdekur dhe 9 fëmijë të vrarë nga raketat ruse. Ky është cilësuar si një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj civilëve në muajt e fundit.

Lini një Përgjigje