Ukraina shpesh herë ka bërë thirrje për nisjen e hetimeve për krime lufte në Ukrainë dhe vënien para drejtësisë të shkaktarëve të këtyre krimeve. Por pavarësisht se hetimet kanë nisur dhe është folur krijimi i një gjykate speciale për të dënuar krimet e luftës, duket se askush nuk do të vuaj pasojat.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, rusët e përfshirë në krimet kundër njerëzimit në luftën e Ukrainës mund të ndiqen penalisht, por problemi qëndron te fakti se ata banojnë në Rusi dhe është i pamundur dërgimi i tyre në burg. Kjo pasi nuk ka asnjë polici ndërkombëtare që mund të bëjë arrestimin e tyre në Rusi.
“Ndërsa individët mbeten brenda Rusisë, ata ndoshta do të gëzojnë pandëshkueshmëri sepse nuk ka asnjë forcë policore ndërkombëtare që mund të shkojë dhe t'i bëjë ato arrestime”, tha Beth Van Schaack, ambasadore e Departamentit të Shtetit për drejtësinë penale globale.
Van Shaack tha se SHBA po përpiqet të vërë para drejtësisë përgjegjësit, por pa komentuar nëse SHBA ka ndarë provat e saj të përdorura për të përcaktuar krimet kundër njerëzimit.
“Një raport i fundit i financuar nga departamenti për të paktën 6,000 fëmijë ukrainas të dëbuar ose të bllokuar brenda Rusisë, mund të tregojë prova të gjenocidit”, tha ajo duke shtuar se SHBA do të vazhdojë të vëzhgojë për indikacione të tjera të gjenocidit në Ukrainë.
Lini një Përgjigje