
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan ka konfirmuar se presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Turqinë në shkurt.
Një nga temat në qendër të diskutimit mes Putinit dhe kreut të shtetit turk Recep Tajip Erdogan do të jetë zbatimi i marrëveshjes mes OKB-së, Moskës, Kievit dhe Ankarasë, e cila u arrit në vitin 2022, për të lejuar eksportin e grurit nga Ukraina përmes një korridori të sigurt në Detin e Zi. Por ky pakt përfundoi në vitin 2023, pasi Rusia u tërhoq me pretendimin se nëse nuk do të plotësoheshin kushtet e saj kjo marrëveshje nuk do të zgjaste më.
”Korridori i grurit është gjithmonë në axhendën e Ankarasë”, tha Fidan gjatë një interviste televizive, pa specifikuar datën e vizitës, e cila sipas medias ruse duhet të caktohet më 12 shkurt.
Një nga temat e diskutimit do të jetë dhe forcat ruse dhe turke në Siri dhe një bashkëpunim mes tyre.
”Situata në veri të Sirisë do të jetë gjithashtu në qendër të diskutimit mes Erdoganit dhe Putinit. Ekziston një mekanizëm për zgjidhjen e konfliktit midis forcave tona të armatosura dhe forcave të armatosura ruse në Siri. Megjithatë, ky mekanizëm mund të mos funksionojë gjithmonë ashtu siç do të donim, veçanërisht kur planifikojmë të kryejmë një operacion në Siri”, tha Fidan, duke nënvizuar se prioriteti i Turqisë është të largojë forcat kurde nga Siria veriore, të cilat Ankaraja i konsideron terroriste, dhe duke shpresuar që Rusia do të marrë parasysh këtë pozicion.
Lini një Përgjigje