TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shkurt 2025, 22:45

Erdogan e do Kryebashkiakun e Stambollit në burg; Prokuroria kërkon dënimin me 7 vjet për Ekrem Imamoglu

Shkruar nga Pamfleti

Erdogan e do Kryebashkiakun e Stambollit në burg; Prokuroria kërkon

Prokuroria e Stambollit po kërkon një dënim me burg deri në 7 vjet e 4 muaj për kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu , në lidhje me komentet që ai bëri për një prokuror që trajton çështje gjyqësore që përfshijnë akuza kundër politikanëve të opozitës.

Gjithashtu kërkohet edhe largimi i tij nga funksionet publike dhe heqja e të drejtës për të votuar dhe për t'u zgjedhur.

Sipas aktakuzës së hartuar nga nënkryetari i Prokurorisë Publike të Stambollit, Imamoglu akuzohet për "kërcënim" dhe "shënjestrim të individëve që hetojnë rastet e terrorizmit". Nëse aktakuza pranohet nga Departamenti i 14-të Penal i Stambollit, Imamoglu do të sillet në gjyq.

Hetimi i prokurorit kundër kryebashkiakut të Stambollit u urdhërua më 20 janar për deklaratat e tij në një intervistë televizive në lidhje me kreun e Prokurorisë së Stambollit, Akin Gurlek dhe familjen e tij. 43-vjeçari Gyurlek, fillimisht si gjyqtar dhe më pas si prokuror, ka luajtur një rol të rëndësishëm në proceset e mëdha që kanë të bëjnë me ndjekjet e personazheve të opozitës, ndërsa në të kaluarën ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë. Kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP), Ozgur Ozel, e kishte cilësuar Akin Gurlek si një “gijotinë në këmbë”.

Në intervistën e tij kontroverse televizive, Imamoglu kishte deklaruar, duke iu drejtuar prokurorit, se “ne do ta zhdukim nga mendja e këtij kombi mentalitetin që ju qeveris, për të shpëtuar edhe fëmijët tuaj nga këto praktika. Mos harroni këtë."

Ndaj kryebashkiakut të Stambollit javën e kaluar u urdhërua një hetim i dytë prokurorial, pasi në një konferencë për shtyp që dha ai pretendoi se në çështjet gjyqësore që përfundojnë në gjykatë caktohet i njëjti person si ekspert, i cili ndryshon rrjedhën e gjykimeve ndaj tij, pavarësisht se provat janë në favor të tij që në fillim. Imamoglu akuzohet se ka vënë në shënjestër ekspertin që është përgjegjës për dhënien e opinioneve në gjyqe.

Imamoglu po përballet me një dënim në shkallë të parë prej 2 vjet, 7 muaj e 15 ditë burg nga çështja e njohur e vitit 2019, sepse ai i cilësoi anëtarët e Këshillit të Lartë Zgjedhor si “budallenj” që nuk ratifikuan fitoren e tij në bashkinë e Stambollit, duke rezultuar në përsëritjen e zgjedhjeve në të cilat ai doli gjithashtu fitues.

 

Lini një Përgjigje