
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar Kinën për krijimin e një rrjeti spiunazhi në Manhattan, për të spiunuar dhe shantazhuar disidentët kinez në tokën amerikane.
Avokati amerikan për Distriktin Lindor të Nju Jorkut konfirmoi se dy burra janë arrestuar në lidhje me rastin. Konkretisht Lu Jianwang, 61 vjeç dhe Chen Jinping, 59 vjeç, u arrestuan të hënën në mëngjes në shtëpitë e tyre në Nju Jork.
Ata janë akuzuar për komplot dhe për spiunazh në llogari të qeverisë kineze dhe pritet të paraqiten në gjykatën federale në Brooklyn. Gjithashtu mbi 10 shtetas të tjerë kinez janë akuzuar nga prokurorët federalë për kryerjen e një fushate përgjimi dhe presioni kundër disidentëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Prokurorët thonë se Jianwang u përpoq të bindte një të arratisur kinez të kthehej në shtëpi dhe vazhdimisht 'ngacmoi dhe kërcënoi' individin në vitin 2018. Në vitin 2022, qeveria e Kinës i kërkoi Jianwang të gjente një aktivist kinez pro-demokracisë që jetonte në Kaliforni.
Dyshja pranuan në FBI se fshinë komunikimet e tyre me një zyrtar të qeverisë kineze, pasi zbuluan se ishin nën hetim. Të dy akuzohen për drejtimin e stacionit e rrjetit të spiunazhit në një degë provinciale të Ministrisë së Sigurisë Publike të Republikës Popullore të Kinës (PRC).
Nëse ata dënohen për komplot dhe si agjentë të PRC, të pandehurit përballen me një dënim maksimal prej pesë vitesh burg. Ndërsa një akuzë për pengim të drejtësisë, si rasti i fshirjes së provave, dënohet maksimalisht me 20 vjet burg.
Zëvendësdrejtori në detyrë Kurt Ronnow, i Divizionit të Kundërzbulimit, tha në një konferencë për shtyp të hënën se ky zbulim ishte shokues dhe shtoi se Kina ka cënuar sovranitetin e SHBA.
"Është thjesht skandaloze që Ministria e Sigurisë Publike e Kinës mendon se mund të shpëtojë me krijimin e një stacioni policie të fshehtë, të paligjshëm në tokën amerikane për të ndihmuar përpjekjet e saj për të eksportuar represion dhe për të përmbysur shtetin tonë të së drejtës. Ky rast shërben si një kujtesë e fuqishme se Republika Popullore e Kinës nuk do të ndalet para asgjëje për t'i përkulur njerëzit në vullnetin e tyre dhe për të heshtur mesazhet që ata nuk duan që askush t'i dëgjojë", tha ai.
Përveç rastit në Nju Jork, Departamenti i Drejtësisë njoftoi dy raste të tjera që akuzonin dhjetëra shtetas kinezë për spiunazh në tokën amerikane. Njëri është kundër 34 anëtarëve të Byrosë Komunale të Sigurisë Publike të Pekinit (MPSB) dhe një tjetër kundër një grupi prej 10 personash që përfshin tetë zyrtarë të qeverisë kineze.
Anëtarët e MPSB-së akuzohen për krijimin e llogarive të rreme të mediave sociale nëpër platforma të ndryshme për të zhantazhuar disidentët kinezë në SHBA dhe për të promovuar propagandën nga Kina – duke përfshirë edhe lidhjen me pandeminë Covid-19.
Rasti i tretë përfshin zyrtarët kinezë të sigurisë që dyshohet se spiunojnë bisedat në “Zoom” dhe më pas kërcënojnë objektivët e tyre, Dhjetë zyrtarë kinezë u akuzuan për konspiracion së bashku me një punonjës të një kompanie telekomunikacioni.
Breon Peace, prokurori më i lartë federal në Brooklyn, tha se ky rast ishte shkelje flagrante e sovranitetit të SHBA nga Kina.
"Kjo ndjekje penale zbulon shkeljen flagrante të qeverisë kineze të sovranitetit të kombit tonë duke krijuar një stacion policie sekrete në mes të qytetit të Nju Jorkut", tha ai
Akuzat vijnë pasi drejtori i FBI-së, Christopher Wray i tha një komisioni të Senatit të SHBA në nëntor se ai ishte 'shumë i shqetësuar' për praninë e stacioneve të tilla në qytetet amerikane. Ai tha se qeveria kineze ngritja e një pranie policore në Shtetet e Bashkuara 'shkel sovranitetin' dhe anashkalon bashkëpunimin e zbatimit të ligjit.
Lini një Përgjigje