TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Nëntor 2025, 18:12

Ekonomia para ligjeve fetare: Pse Arabia Saudite po shkon drejt ligjërimit të konsumit të alkoolit

Shkruar nga Lorenzo Santucc

 Ekonomia para ligjeve fetare: Pse Arabia Saudite po shkon drejt ligjërimit

Formalisht, ndalimi mbetet në fuqi, por pas hapjes së dyqanit të parë të alkoolit në kryeqytet në vitin 2024, dy të tjera do të hapen në Xheda si dhe në një kompleks të Saudi Aramco në fillim të vitit 2026. Synimi për t’u shndërruar në një qendër të turizmit ndërkombëtar, mund të kërkojë së shpejti lehtësime të mëtejshme nga diktatet e rrepta të ligjeve islamike.

Në vitin 1951, zëvendëskonsulli britanik në Xheda, Siril Osman, u vra nga Mishari Bin Abdulaziz Al Saud, djali i mbretit saudit. Princi ishte mysafiri i tij dhe kërkoi një pije alkoolike, por ishte tashmë dukshëm i mërzitur, ndaj Osman refuzoi t’i jepte një tjetër. Princi u largua nga festa shumë i zemëruar, pastaj u kthye me një pistoletë dhe e qëlloi për vdekje. Vitin pasardhës, 1952, Mbreti Abdulaziz bin Abdul Rahman Al Saud vendosi të ndalonte ligjërisht alkoolin në Arabinë Saudite.

Shtatëdhjetë e tre vjet më vonë, ndalimi zyrtarisht qëndron në fuqi, edhe pse gjithnjë e më shumë gjëra janë duke ndryshuar. Mbretëria e Shtëpisë së Saudëve, duket se e ka kuptuar se duhet të lirohet nga kjo tabu, nëse dëshiron vërtet që të hapet ndaj botës dhe të përqendrohet shumë tek turizmi.

Në janar të vitit 2024, u hap lokali i parë që shet alkool në lagjen As Safarat të Riadit, ku ndodhen ambasadat dhe konsullatat. Fillimisht i rezervuar për diplomatë jo-myslimanë, paK më vonë u bë i lejueshëm edhe për të gjithë të huajt me leje qëndrimit premium (me kushtin që të jenë jo-myslimanë), karta e gjelbër saudite e projektuar për sipërmarrësit dhe investitorët.   

Në këto lokale ka ende kufizime: kërkohet regjistrimi dhe autorizimi qeveritar për të blerë alkool; pranohen vetëm ata të paktën 21 vjeç; nuk mund të dërgohen palët e treta për të blerë për ty; duhet të vishen veshje të përshtatshme; dhe pirja e alkoolit lejohet vetëm në zona të caktuara.

Kufizimet përfshijnë edhe sasinë e alkoolit që mund të blihet: nuk mund të tejkalosh 240 pikë në muaj, ndërsa 1 litër pije alkoolike vlen 6 pikë, 1 litër verë 3 pikë dhe një litër birrë 1 pikë.

Dy lokale të reja për shitje alkooli do të hapen në vitin 2026, një në Xheda, i projektuar posaçërisht për diplomatët që frekuentojnë qytetin portual. Tjetri është në provincën lindore të Dahranit, brenda kompleksit të Saudi Aramco, për stafin e gjigantit kombëtar të nxjerrjes së naftës.

Por tashmë kanë nisur diskutimet në lidhje me objektet e ardhshme, njëra prej të cilave thuhet se është në fazat e planifikimit dhe pritet të jetë tërësisht e dedikuar për pijet alkoolike. E gjithë kjo pa u shfuqizuar ose ndryshuar asnjë ligj.

Rrahja me kamxhik, burgimi, gjobat dhe dëbimi nga vendi, mbeten pasojat për ata që shkelin rregullat mbi konsumin dhe shitjen e alkoolit. Autoritetet saudite, pretendojnë se kjo është një mënyrë për të luftuar tregtinë e paligjshme. 

Diplomatët që mbërrijnë në Arabinë Saudite, i fshehin shishet me alkool brenda valixheve të tyre të paprekshme, të cilat nuk i nënshtrohen kontrolleve të rregullta. Por edhe vetë sauditët pinë fshehurazi.

Ata janë pak, shumë pak në fakt: 97 për qind e popullsisë pretendon se nuk pi alkool (megjithatë, mungojnë të dhënat zyrtare), edhe pse disa studime gjejnë sasi të konsiderueshme alkooli në gjakun e shoferëve të vdekur në aksidentet rrugore.

Ka edhe nga ata që janë të vendosur ta provojnë. Për shembull, është e paqartë se çfarë i shtyu disa prej tyre të pinin kolonjë për rroje si të ishte një pije. Fakti është se midis viteve 2002 - 2006, të paktën 35 persona në Mbretëri vdiqën nga helmimi me metanol.

Këto raste nuk ishin të izoluara, aq sa kanë nxitur një debat për të kuptuar arsyet se përse jo pak njerëz kërkojnë strehim tek alkooli, si dhe për të tentuar të edukojnë brezin e ri. Përgjigjet ndryshonin - nga mungesa e disiplinës tek dëshira për t’u argëtuar - të gjitha këto mund të përmblidhen si një tradhti ndaj Islamit.

Megjithatë, qëllimet e Arabisë Saudite kërkojnë mbylljen e syve ndaj diktateve të ngurta të fesë. Princi i Kurorës dhe Kryeministri Mohammed bin Salman dëshiron ta transformojë Arabinë Saudite, duke e diversifikuar ekonominë e saj të bazuar në hidrokarbure dhe duke promovuar reformat.

Qëllimi është ta bëjë Mbretërinë një epiqendër ndërkombëtare. Projekti Vizion 2030, është njëkohësisht një manifest dhe një program strategjik, që MbS synon ta arrijë për të tërhequr sa më shumë njerëz nga jashtë.

Qëllimi është të tërhiqen 100 milionë turistë çdo vit deri në fund të dekadës, por meqë shifra të ngjashme janë regjistruar për dy vjet, atëherë është rritur ambicia për 150 milionë vizitorë në vit.

Ngjarje të mëdha do të mbahen në këtë pjesë të Gjirit Persik, duke filluar me Ekspozitën 2030 dhe Kupën e Botës FIFA 2034. Pyetja që po bëhet sot në Riad, është nëse ka ende kuptim që t’u imponohen të huajve parimet islame.

Dhe përgjigjja që ata duket se po japin është “Jo”. Nuk ka asnjë arsye të vërtetë, pse ata të mos shfrytëzojnë një treg që potencialisht mund të gjenerojë të ardhura prej 2.5 miliardë dollarësh në vit.

Për një fuqi kaq të madhe si Arabia Saudite, është një ndryshim i vogël, por do të siguronte një nxitje të konsiderueshme për sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Shihni se çfarë po ndodh përtej kufirit.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, jomyslimanët lejohen të pinë alkool në zona të caktuara posaçërisht, por ta bësh këtë në publik është ende e ndaluar dhe ndëshkohet rëndë. Të njëjtat rregulla zbatohen edhe në Oman.

Arabia Saudite mund të mos dëshirojë të kopjojë një Dubai të ri në territorin e saj. Sigurisht në pamje të parë, qasja saudite i bën jehonë asaj të vendeve të tjera, por Riadi duket se është i vendosur të kufizojë shitjet e alkoolit vetëm në zonat turistike, pra në vendpushimet që do të ndërtohen përgjatë bregdetit të Detit të Kuq si pjesë e Vizionit 2030.

Këto janë “oaze” ku të huajt mund të ndihen si në shtëpi. Ndoshta kjo është një parathënie e asaj që mund të bëhet një ditë Arabia Saudite, një vend ku pirja e alkoolit do të lejohet kudo dhe për të gjithë.

Deri atëherë, mbetet e vërtetë ajo që shkruan Lorenc Osborn në librin e tij, Shenjtorët dhe Pijanecët: “Një alkoolik mysliman, më jep shpresë se raca njerëzore mund ta shpëtojë veten”./Përgatiti Pamfleti

arabia saudite ligjërimi i konsumit të alkoolit

Lini një Përgjigje