TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2026, 10:35

Efekti Domino pas Venezuelës: Kuba, Meksika dhe rreziku i një konflikti rajonal

Shkruar nga Nicolas Forsans
Efekti Domino pas Venezuelës: Kuba, Meksika dhe rreziku i një
Protestat në Venezuelë

Shënjestra më e menjëhershme është Kuba, të cilën SHBA-ja e ka kundërshtuar që nga viti 1959, kur revolucioni komunist i Fidel Kastros përmbysi regjimin e mbështetur nga amerikanët.

Administrata Trump e ka justifikuar kapjen së fundmi të udhëheqësit venezuelian, Nikolas Maduro, si një operacion të zbatimit të ligjit për të çmontuar një “narko-shtet”.

Po ashtu, ajo pretendon se ky veprim do të prishë lidhjet e Venezuelës me Kinën, Rusinë dhe Iranin, duke i kthyer rezervat më të mëdha të naftës në botë nën kontrollin miqësor të SHBA-së.

Kjo përzierje e luftës kundër narkotikëve, rivalitetit midis fuqive të mëdha dhe sigurisë energjetike, ishte ngritur tashmë si një përparësi qendrore nga administrata në strategjinë e saj të sigurisë kombëtare.

I botuar në fund të vitit 2025, ky dokument shpalli premtimin për të “rivendosur dhe zbatuar epërsinë amerikane në hemisferën perëndimore” dhe për t’u mohuar “asetet strategjikisht jetësore” fuqive rivale.

Donald Trump e ka emërtuar këtë projekt hemisferik si “Doktrina Donroe”, duke e cilësuar atë si një ringjallje të Doktrinës Monroe të shekullit të 19-të, përmes së cilës SHBA-ja synonte të ndalonte ndërhyrjen e fuqive evropiane në Amerikë.

Ai duket se kërkon të forcojë kontrollin e SHBA-së mbi Amerikën Latine duke shpërblyer qeveritë besnike dhe duke ndëshkuar ato sfiduese. Nëse Venezuela është rasti i parë i provës së Doktrinës Donroe, disa vende të tjera të rajonit janë tashmë drejtpërdrejt në shënjestrën e Uashingtonit.

Shënjestra më e menjëhershme është Kuba, të cilën SHBA-ja e ka kundërshtuar që nga viti 1959, kur revolucioni komunist i Fidel Kastros përmbysi regjimin e mbështetur nga amerikanët. Trump dhe sekretari i tij i shtetit, Marko Rubio, kanë lënë të kuptohet hapur se Kuba mund të jetë objektivi i radhës.

Ata e kanë përshkruar ishullin si “gati për t’u rrëzuar” pas humbjes së naftës venezueliane, duke u mburrur se nuk ka nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë, pasi kolapsi ekonomik do ta “përfundojë punën”. Kuba po përjeton krizën e saj më të rëndë që nga viti 1959. Ndërprerjet e energjisë elektrike zgjasin rregullisht deri në 20 orë, dhe gati 1 milion kubanë janë larguar nga vendi që nga viti 2021. Prishja e linjave të mbetura të furnizimit mund të jetë e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë atje, pa pasur nevojë për asnjë të shtënë të vetme.

Ka gjasa që edhe Meksika të jetë së shpejti nën presion. Ajo është bërë në heshtje furnizuesi kryesor i naftës për Kubën, duke transportuar rreth 12.000 fuçi në ditë në vitin 2025. Kjo nuk ka mundësi që ta kënaqë administratën Trump, e cila ka ripërtërirë kërcënimet për të “bërë diçka” kundër karteleve meksikane të drogës.

Megjithëse bastisja në Karakas, kërkoi 6 muaj planifikim dhe burime të jashtëzakonshme, duke e bërë jorealiste pritshmërinë për operacione të ngjashme masive gjetkë, sulmet ushtarake të synuara nuk mund të përjashtohen.

Trump ka folur tashmë për klasifikimin e karteleve si organizata terroriste, një kornizë ligjore që mund të justifikojë ndërhyrjet në territorin meksikan në emër të luftës kundër narkotikëve.

Presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, po përpiqet të ndërtojë barriera mbrojtëse, duke kombinuar dënimin e bastisjes në Karakas me një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në për migracionin dhe sigurinë. Megjithatë, presioni ndaj këtij vendi nga fqinji verior mbetet i lartë.

Objektivat e tjerë të Trumpit

Nga ana tjetër, Kolumbia, historikisht aleatja më e ngushtë e SHBA-së, është shndërruar në një objektiv të mundshëm nën udhëheqjen e Gustavo Petros. Petro e quajti sulmin në Venezuelë një “shkelje të neveritshme” të sovranitetit kombëar, ndërsa Trump u kundërpërgjigj duke e etiketuar atë si një lider që favorizon prodhimin e kokainës.

Edhe pse një ftesë e fundit në Shtëpinë e Bardhë duket se e ka larguar rrezikun e menjëhershëm, marrëdhënia mbetet tejet e tensionuar. Së fundi, regjimi i Nikaraguas, i drejtuar nga Daniel Ortega dhe Rozario Murijo, po vëzhgon me terror ngjarjet.

E trajtuar shpesh si pjesë e “trilogjisë së diktaturave”, Nikaragua e sheh veten të rrezikuar nga narrativa e “narko-terrorizmit” të Trump. Uashingtoni duket se po i shndërron drogat, migracionin dhe ndërhyrjet e fuqive të huaja në një kuti mjetesh fleksibël për të detyruar nënshtrimin e vendeve të Amerikës Latine.

Ata që zgjedhin të sfidojnë Uashingtonin, rrezikojnë izolimin ekonomik ose ndërhyrjen ushtarake, ndërsa të tjerët duhet të pranojnë dominimin amerikan si një fakt të pandryshueshëm në Hemisferën Perëndimore./ Përshtati "Pamfleti" nga Nga “The Conversation”

efekti domino kuba meksika

Lini një Përgjigje