
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një park në Romë, ku dy trupa të pajetë, të një gruaje dhe një vajze 6 muajshe, u gjetën në Villa Pamphili pasditen e së shtunës.
Sipas La Repubblica, trupi i vajzës u gjet në një vendgrumbullim mbeturinash, ndërsa rreth 100 metra më larg u gjend edhe trupi i gruas, që ishte futur brenda një thesi të zi.
Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për trupat e nënë e bijë apo nga janë. Misteri i dyfishtë bëri që të mbërrijnë menjëherë në vendngjarjeje shumë patrulla policie, bashkë me njësinë e Hetimeve Shkencore, një ambulancë, një automjet të zjarrfikësve, si dhe prokurorin e Prokurorisë së Romës, Antonio Verdi.
“Do të marrim ADN-në. Nuk vumë re asnjë plagë te gruaja, por është shumë herët për ta thënë," tha prokurori.
Trupi i pajetë i vogëlushes u vu re nga dy gra, të cilat në fillim menduan se ishte një kukull. Ata thirrën një burrë pasi nuk kishin guxim të afroheshin, ku më pas kuptuan se foshnja kishte disa dëmtime në krah dhe në këmbën e djathtë. Nga gjetjet e para, vajza e vogël që ishte e zhveshur ka humbur jetën më vonë se gruaja.
Gruaja brenda qeses ishte e veshur por nuk kishte dokumente. Trupi i saj u zbulua nga disa persona që po luanin volejboll aty pranë kur panë qesen.
"Po luanim volejboll me fëmijët tanë", thotë Giacinto Tito, një punëtor peruan 40-vjeçar. Topi përfundoi në shkurre dhe kur shkuam ta merrnim pamë trupin, të mbuluar nga një qese e zezë. Një krah dhe një këmbë kishin dalë jashtë, menjëherë njoftuam policinë". Ende nuk është e qartë se sa kohë trupi ishte braktisur atje. "Kishte një erë të keqe", këmbëngul Tito.
Dy dëshmitarë të intervistuar nga policia kanë raportuar se kanë parë një grua në gjendje të hutuar dy orë pasi u gjet trupi i fëmijës. "Në orën 6:40 të mbrëmjes", tha për Repubblica Patrizia, një pensioniste 69-vjeçare romake duke shëtitur qentë e saj në park me vajzën e saj, "pamë një zonjë me tipare evropiane që ishte në urë në qendër të vilës, ajo ishte në gjendje të hutuar. Ajo po tundte kokën. Ne i kishim qentë me zinxhir, gjithashtu e shmangëm sepse ishim me kafshët. Ajo mbante veshur një fustan të errët e të lirshëm, kishte flokë ngjyrë kafe të çelët".
Dëshmitë dhe gjetjet tani janë në duart e hetuesve të cilët duhet të zgjidhin një enigmë për të arritur te e vërteta.
Lini një Përgjigje